1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një vizitë e shumë mosmarrëveshje - Kancelarja gjermane Angela Merkel në Turqi

Kancelarja gjermane filloi dje (29.3.) një vizitë dyditore në Turqi. Tema të bisedimeve politike: negociatat e ngadalta të anëtarësimit të Turqisë në BE, gjendja në rajon si dhe integrimi i turqve, që jetojnë në Gjermani

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan dhe Kancelarja gjermane Agela Merkel

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdoğan dhe Kancelarja gjermane Agela Merkel

Me qëndrime të kundërta në temat e rëndësishme

Me një pëllumb paqeje të sajuar nga balta si dhuratë, Kancelarja gjermane Angela Merkel provoi të hënën të gjejë një ton pajtues me Kryeministrin turk Recep Tayyip Erdoğan. Në temat e rëndësishme si sanksionet e mundshme në zënkat bërthamore me Iranin, integrimin e turqve që jetojnë në Gjermani dhe përpjekjet e Turqisë për anëtarsim në Bashkimin Evropian ata vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta. Në fillim të vizitës dyditore në Turqi ata kanë arritur të zbusin zënkat për më shumë gjimnaze turke në Gjermani. Për shembull shkollat, në të cilat tashmë mësohet turqisht mund të zgjerohen edhe më shumë, tha Merkel pas një takimi me Erdoğanin në Ankara. Por kjo nuk duhet të kthehet në justifikim që turqit në Gjermani mos të mësojnë gjuhën gjermane. Shkolla turke mund të ketë njëjtë siç ka shkolla angleze apo franceze, por duhet ta kemi të qartë se:

Merkel dhe Erdogan (29.02.2010)

Merkel dhe Erdoğan (29.02.2010)

"... dikush nuk mund të jetojë në Gjermani dhe mos të dijë gjuhën. Këtu bëhet fjalë për dygjuhësinë, kjo do të thotë se duhen mësuar të dyja gjuhët dhe gjuha e vendit ku jeton është kusht për integrimin e mirë."

Ngjashëm me Kancelaren Merkel u shpreh edhe Kryeministri Erdoğan:

"Integrimi i turqve në Gjermani është një temë e rëndësishme, që turqit të ruajnë kulturën e tyre dhe në të njëjtën kohë të integrohen në shoqërinë gjermane."

Sidoqoftë, Erdoğani është për Merkelin një bashkëbisedues i vështirë. Gjithnjë me vetëdije ai paraqet publikisht kërkesat e tij. Vendi i tij është prekur më pak nga kriza ekonomike se disa vende të varfra të BE-së dhe po ndërton në drejtim të lindjes një rrjet politik dhe ekonomik. Në botën arabe Kryeministri islamiko-konservator Erdoğan gëzon famë ndërkohë që në Bashkimin Evropian vendi e tij e ndien veten si "dash kurbani".

"Sot Bashkimi Evropian nuk mund të thotë më se nuk mund ta pranojë Turqinë për shkak të fuqisë së dobët ekonomike dhe se vendi është i varfër", tha ministri turk i Ekonomisë Ali Babacan para ca ditësh në Bruksel. "Atëherë ne me të drejtë mund të pyesim se çfarë kanë ndërmend të bëjnë ata me shtetet e varfra si Bullgaria dhe Rumania."

Çështja e Qipros pengesë për anëtarsimin e Turqisë në BE

Por Merkel në bisedimet e saj nuk e vuri theksin tek fuqia ekonomike e Turqisë por tek problemet e pazgjidhura me fqinjët.

Harta e Qipros

Harta e Qipros

"Natyrisht që ne biseduam edhe për çështjen e negociatave për anëtarsim në BE. Në këtë pikë ne kemi thënë se marrëveshjet bëhen për t'i respektuar, pra që ne do t'i vazhdojmë negociatat. Nga pikëpamja ime problemi më i rëndësishëm për t'u zgjidhur është Protokolli i Ankarasë. Aktualisht kemi një gjendje ku nuk është sqaruar ende çështja e Qipros... Unë besoj që kohën që na ka mbetur do ta shfyrtëzojmë për të biseduar për çështjen e Qipros dhe për të gjetur një zgjidhje për të. Besoj që kjo është në interesin e të gjithëve..."

Një temë tjetër në bisedimet Merkel-Erdoğan ishin edhe zënkat për programin bërthamor iranian. Erdoğan u shpreh të hënën edhe një herë kundër sanksioneve kundër Iranit. "A ka vende të tjera në rajon që posedojnë armë bërthamore? Po. Por a ka sanksione kundër këtyre shteteve? Jo", tha Erdoğan duke aluduar hapur në bombat atomike izraelite.

Qeveria turke planifikon që vetëm me Iranin gjatë këtij viti të dyfishojë shkëmbimin tregtar, i cili pritet të arrijë në 15 miliardë euro. Partnerët perëndimorë të Turqisë, para së gjithash SHBA-ja e kanë "halë në sy" zgjerimin e biznesit turk me Iranin.

Autor: dpa / Anja Koehler / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj

Audio dhe video për temën

  • Data 30.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhKZ
  • Data 30.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhKZ