1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një vit zënka dhe debate - Bilanc i punës së koalicionit konservatoro-liberal

Një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit qeverisës në Gjermani, zëvendëskancelari Guido Westerwelle bën një bilanc pozitiv. Por votuesit janë të zhgënjyer. Edhe opozita shprehet me tone kritike.

Kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe ministri i Jashtëm dhe zv/kancelari Guido Westerwelle (FDP).

Kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe ministri i Jashtëm dhe zv/kancelari Guido Westerwelle (FDP).

Para një viti Unioni Kristiandemokrat/Kristiansocial (CDU/CSU) dhe partia liberale FDP nënshkruan marrëveshjen e koalicionit. Atmosfera në fillim të periudhes së qeverisjes ishte shumë e qetë dhe e sigurtë. Por në fjalët e kancelares Angela Merkel ndjehej që atëherë frika, se me partnerin e dëshiruar liberalët ( FDP) nuk do të ishte ndoshta e lehtë:

"Ne kemi punuar gjatë, për të krijuar një koalicion të tillë dhe kjo duhet të na mbajë edhe në ditët, që mund të jetë pak më të vështira."

Opozita: koalicionit i mungon një projekt i përbashkët

Pak më e vështirë u bë me të vertetë. Koalicioni ka lënë pas një vit debatesh dhe grindjesh. Asnjë projektligj nuk mundi të kalohej pa konflikte ndërmjet partive pjesëmarrëse në qeveri. Debatet shoqëroheshin edhe me fyerje dhe sharje personale. Koalicioni shëmbullor i Unionit me liberalët është kthyer në një ëndërr të frikshme për qytetarët, kritikon kryetari i grupit parlamentar socialdemokrat Frank-Walter Steinmeier.

Kryetari i grupit parlamentar socialdemokrat Frank-Walter Steinmeier.

Kryetari i grupit parlamentar socialdemokrat Frank-Walter Steinmeier.

"Kështu nuk qeveriset, kështu siç kemi parë të bëhet këtë vit. Dhe këto nuk janë vështirësi fillimi, por diçka, që nuk mund të funksionojë shumë gjatë. Dhe kjo ka të bëjë me faktin, që këtë koalicion nuk e lidh me të vërtetë gjë. Nuk ekziston një projekt i përbashkët, ide e përbashkët, nuk ka solidaritet të brendshëm."

Për shembull lehtësimet fiskale. Për partinë liberale kjo ka qenë një nga objektivat e saj kryesore, ajo donte të ulte taksat. Unioni nuk shihte fushë veprimi për ta realizuar këtë në kohët e krizës ekonomike dhe të deficitit rekord. Grindja përfundoi vetëm kur kancelarja u shpreh me fjalë të vendosura. Shembulli i pensionit në moshën 67 vjeçare. Unioni Kristiandemokrat dhe partia liberale insistojnë në realizimin e kësaj ideje. Kësaj radhe ishte shefi i Unionit Kristiansocial Horst Seehofer, i cili kërcënoi me largimin nga koalicioni.

Shembulli i paktit të stabilitetit të euros: Kryetari i partisë liberale Guido Westerwelle kritikoi publikisht rregullin e aprovuar nga kancelarja Merkel me presidentin francez Sarkozy. Megjithatë kryetari i liberalëve nxjerr një konkluzion pozitiv.

"Unë konstatoj, se ekonomia po zhvillohet, papunësia po bie, kjo ka të bëjë edhe rrethanat politike. Ne i kemi dhënë prioritet dhe shanse të reja arsimit dhe kërkimeve shkencore. Ne kemi përmirësuar raportin e sigurisë dhe lirisë në të drejtat civile dhe ne kemi ecur përpara në sistemin e sigurimit social. Edhe në politikën e jashtme tanimë nuk mund t'i mohosh sukseset, edhe nëse duan të jenë shumë kritikë ndaj nesh."

Sondazhet tregojnë pakënaqësinë e zgjedhësve

Në sondazhet e opinionit publik nuk pasqyrohen këto suksese. Të dy partnerët e koaliciont janë rrëzuar me plot gojën. Sidomos partia liberale, nuk do ta kishte të sigurtë hyrjen sërish në parlament, por të ishin tani zgjedhjet parlamentare. Nga zhgënjimi me qeverinë deri tani kanë mundur të përfitojnë në radhë të parë të Gjelbrit. Në disa zona të Gjermanisë ato mund t'ia kalojnë socialdemokratëve, forcës së dytë politike. Socialdemokratët nuk duan të merren këto ditë me vetveten. Por u referohen bilancit sipas tyre katastrofal të vitit të parë qeverisjes së koalicionit. Kryetari i grupit parlamentar socialdemokrat Frank Walter Steinmeier thotë:

"Ky vit ka shkuar huq, nuk solli asgjë, nuk ka për të sjellë asgjë, kjo nuk do të jetë vjeshta e vendimeve po vjeshta e qeverisë dhe gjethe të tjera kanë për të rënë përdhe."

Autor: Bettina Marx / Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 27.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pppv
  • Data 27.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pppv