1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një vit pas katastrofës së Rana Plaza

Shëmbja e fabrikës së tekstileve Rana Plaza në Bangladesh një vit më parë shkaktoi indinjatë mbarëkombëtare. Po çfarë mësimesh ka nxjerrë industria e tekstileve?

E trishtueshme por e vërtetë: u deshën më shumë se 1100 të vdekur dhe 1600 të plagosur për të tërhequr vëmendjen për kushtet katastrofale të punës në industrinë e tekstileve. Një vit më parë u shemb fabrika Rana Plaza në Dhaka, katastrofa më e madhe në historinë e industrisë në Bangladesh, e cila tërhoqi vëmendjen e shtypit në gjithë botën dhe hapi rrugën për një marrëveshje, e cila duhej bërë prej kohësh. Vetëm pak javë pas shëmbjes së ndërtesës dhe pas vitesh të gjatë negociatash u miratua një rregull për standardet e ndërtesave dhe mbrojtjes nga zjarri në industrinë e tekstileve në Bangladesh. Shumë firma ndërkombëtare veshjesh, ndër të cilat edhe shumë gjermane, u bënë pjesë e marrëveshjes duke marrë kështu përgjegjësi për kushtet e punës tek furnitorët e tyre.

"Pas Rana Plaza-s shfrytëzuam vëmendjen e madhe të opinionit publik për të finalizuar marrëveshjen detyruese dhe transparente për standardet e ndërtesave dhe mbrojtjes nga zjarri", thotë Frauke Banse nga shoqata gjermane "Fushatë për veshje të pastra", pjesë e rrjetit panevropian "Clean Clothes Campaign".

Pa trysni nuk ndryshon asgjë

E hidhur, thotë Banse në bisedë me DW, është megjithatë që për arritjen e marrëveshjes u desh të ndodhte një katastrofë e përmasave të tilla. "Përpara Rana Plaza-s ndeshnim në veshë të shurdhër", thotë ajo. "Pa trysninë e opinionit publik pas katastrofës, nuk do t'ia kishim dalë mbanë."

Fabrikë tekstili në bangladesh, kushte të veshtira.

Fabrikë tekstili në bangladesh, kushte të veshtira.

Edhe fondi ndërkombëtar i zhdëmtimit për viktimat e Rana Plaza-s, i cili u themelua në nëntor, erdhi vetëm pas trysnisë nga opinioni publik. Në këtë fond duhet të marrin pjesë firma tekstilesh, të cilat japin porosi prodhimi tek fabrikat në Bangladesh. Deri tani janë mbledhur rreth 15 nga 40 milionë dollarët, që nevojiten. Por ngritja e fondit i dedikohet edhe fushatave dhe opinionit publik, thotë zv/sekretari i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), Gilbert Houngbo.

"Ne si ILO nuk kemi as mandat dhe as ndonjë interes të mbështesim fushata të tilla publike", thotë ai. "Por duhet të pranoj se fushatat e shumë OJQ-ve dhe medieve ishin shumë të dobishme për të sensibilizuar firmat blerëse për këtë temë", thotë Houngbo për DW.

ILO udhëhoqi negociatat për fondin e zhdëmtimit për viktimat dhe e ndërmjetëson atë me Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (ILO).

Interes i madh mediatik

Trysnia publike lindi para së gjithash nga raportimi i gjerë në mbarë botën. Edhe në Gjermani emisionet e lajmeve dhe formate të tjera televizive u morën me katastrofën e Bangladeshit. Jehona në medie ishte e habitshme, thotë Christian Thorun, themelues dhe drejtues i Conpolicy, një institut për politikën e konsumatorit, i cili këshillon politikën dhe sipërmarrjet.

Demosntratë e punë torëve të tekstilit në Daka. Jehonë e madhe mediatike

Demosntratë e punë torëve të tekstilit në Daka. Jehonë e madhe mediatike

"Tema e të drejtave të punëtorëve në Bangladesh deri pesë vjet më parë ishte e parëndësishme", thotë Thorin. Sipas tij fushatat e organizuara dhe drejtuara në mënyrë aktive nga OJQ-të bënë që në fund marrëveshjen për standardet e mbrojtjes së ndërtesave dhe mbrojtjes nga zjarri ta nënshkruanin edhe sipërmarrje gjermane. "Kjo tregon se aksione të tilla të shoqërisë civile mund të ndryshojnë tregjet", thotë Thorun.

Trysni nga politika

Tani trysni po ushtron edhe ministri përgjegjës në qeverinë gjermane: për datën 30 prill ministri gjerman i Zhvillimit Gerd Müller ka thirrur një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar rreth standardeve sociale dhe ekologjike në industrinë e tekstileve. Të ftuar janë përfaqësues të industrisë gjermane të tekstileve dhe tregtisë, sindikatave dhe iniciativave për të drejtën e punës nga shoqëria civile.

Ministri interesohet para së gjithash për një angazhim vullnetar të industrisë dhe tregtisë, për respektimin e standardeve ekologjike, sociale dhe të punës në vendet ku podhohen mallrat e tyre. Rezultati mund të ishte një portal interneti, ku konsumatori me anë të kodit me vija të mund të kontrollojë, nëse veshja e blerë prej tij është prodhuar duke respektuar këto standarde, tha ministri Müller në një intervistë me ARD. Në një hap të dytë mund të krijohej një sigël, e cila garanton që punëtorët marrin paga të arsyeshme dhe gjatë prodhimit respektohen standardet minimale ekologjike.

Nëse në bisedimet në tryezën e rrumbullakët nuk do të arrihen angazhime vullnetare transparente, ministri i Zhvillimit mund të marrë në konsideratë edhe rregulla ligjore të detyrueshme, tha një zëdhënës i Ministrisë.