1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një vit ndalim i ferexhesë: 'E varur prej burrit.'

Një vit më parë në Francë hyri në fuqi ndalimi i ferexhesë. Po si ka ndryshuar qysh atëherë jeta e grave myslimane franceze, si ua gjejnë ato anën sfidave të integrimit?

Demostratë ferexhesh në Paris

Demostratë ferexhesh në Paris

Mabrouka luan me vajzën e saj dyvjeçare në banesën e familjes së saj në periferinë veriore të Parisit. Ato kalojnë shumë kohë këtu dhe gati vetëm mbyllen mes katër muresh: Mabrouka është një prej 2.000 grave të përllogaritura në Francë, të cilat mbajnë ferexhe të plotë (një burkë ose nikab). Mirëpo, prej një një viti ferexheja, që mbulon gjithçka me përjashtim të rripi të hollë për sytë, është e ndaluar në Francë.

Vetëm nganjëherë guxon të dalë jashtë në rrugë 30-vjeçarja, për të bërë pazar në dyqanet fare pranë. Ajo mban edhe atëherë ferexhe dhe rrezikon çdo herë që t'i vihet një gjobë prej 150 eurosh ose detyrimi për të kryer një kurs integrimi. Ajo thotë që policia e bën një sy qorr kur ajo është rrugës me të bijën. Nga ana tjetër, në filialin e bankës së saj i bënë të ditur se nuk donin që ajo të hynte në filial me ferexhe. Prandaj Mabroukës iu desh t'ia jepte të shoqit autorizmin për llogarinë e saj.

11 prill 2011 hyn në fuqi ndalimi i ferexhesë në Francë

11 prill 2011 hyn në fuqi ndalimi i ferexhesë në Francë

Ndalimi i burkës u miratua nga qeveria konservatore e djathtë e presidentit Sarkozy më 11 prill 2011, me shpresën se do të nxiteshin siguria, të drejtat e barabarta, dhe do të mbrohej dinjiteti i grave. Por për ato, të cilat këmbëngulin në mbajtjen e ferexhesë së plotë, qysh atëherë është shfaqur e kundërta. Mabrouka, e cila nuk do që mbiemri i saj të përmendet, thotë se nëpërmjet ndalimit ka humbur shumë prej lirive të saj dhe se tani është më e varur se kurrë prej të shoqit.

"Tani jam bërë edhe më e varur," i tregon Mabrouka DW-së. "Para dasmës kam punuar pesë vjet. Edhe asokohe mbaja ferexhe dhe përdorja krejt normalisht mjetet e transportit publik, ndërmerrja udhëtime të gjata ose dilja me shoqe. Dhe tani duhet të mjaftohem me banesën tonë dhe përndryshe nuk kam gjë tjetër."

Shumë trazim, pak gra të prekura

Paçka se ndalimi ka shkaktuar shumë diskutime dhe trazim të madh, prej tij janë të prekura vetëm pak gra. Sipas të dhënave të Ministrisë franceze të Drejtësisë, në gjashtë mujat e parë pas hyrjes në fuqi të ndalimit pati vetëm rreth 100 raste, në të cilat gra me nikab u ndaluan nga policia; rreth dhjetë prej këtyre rasteve përfunduan në gjykatë.

Për shembull, Hind Ahmas dhe Najate Nait Ali. Atyre iu desh të paguanin një gjobë prej 120 respektivisht 80 eurosh, kur u ndaluan prej policisë afër ndërtesës së bashkisë së Meaux-së në lindje të Parisit. Ato po shkonin te Jean-François Cope, të cilit donin t'i sillnin një tortë për datëlindje. Cope konsiderohet si arkitekt i ndalimit të burkës. Ahmas dhe Ali nga ana tjetër thonë se ndalimi shkel legjislacionin për lirinë personale dhe të besimit dhe kanë ndër mend ta shpien rastin e tyre (po të jetë nevoja) deri në Gjykatën Evropiane.

Shumica dërrmuese e myslimaneve franceze nuk mban ferexhe të plotë dhe te shumë prej tyre nuk shkakton pakënaqësi e zemërim ndalimi i burkës, por një ligj tjetër: Prej vitit 2004 janë të ndaluara simbolet fetare në shkolla (një rregull, e cila prek edhe nxënëse e mësuese, të cilat mbajnë shaminë e kokës të quajtur 'hijab', shumë më e përhapur).

Nuk ka mbështetje politike për heqjen e ndalimit

Franca ka me rreth nëntë për qind përqindjen më të madhe myslimane të popullsisë në krejt Evropën Perëndimore. Shumica e myslimanëve vijnë nga ish-kolonitë franceze Algjeri, Marok dhe Tunizi. Imigrantët kanë shpesh vështirësi me laicizmin francez, ndarjen e rreptë të kishës nga jeta publike, një parim që gjithësesi mbahet lart nga pjesë të mëdha të spektrit politik. Madje edhe në radhët e kundërshtarëve politikë të Sarkozisë, ka vetëm pak mbështetje për heqjen e ndalimit (të burkës). Shekullarizmi është një nga parimet e pakta që e mbajnë të bashkuar të majtën politike të fragmentarizuar.

Autor: Joanna Impey / Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama