1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një video shokuese saboton përpjekjet për paqe

Rastësi? Një video shokuese me ushtarë amerikane, që urinojnë mbi afganë të vrarë, është shfaqur në internet në një moment, kur bisedimet e fshehta me talibanët kanë hyrë në një fazë kritike.

Ushtarë amerikanë në Afganistan

Ushtarë amerikanë në Afganistan

Vetëm pak afganë e kanë parë videon, në të cilën tregohet përdhosja e kufomave nga ushtarë amerikanë, pjesëtarë të korpusit marinar. Mediat afgane janë treguar deri tani të rezervuara me publikimin e videos, që qarkullon në internet. Megjithatë të gjithë ata, që kanë dëgjuar lajmin, janë të indinjuar. Feja islame kërkon respekt sa më të madh për trupat pa jetë. Një i vdekur duhet varrosur menjëherë.

"Asnjë kulturë, asnjë fe nuk lejon përdhosjen e kufomave. Edhe trupi pa jetë i një armiku meriton respekt. Ata, që kanë bërë këtë krim, duhet të dënohen," thotë Abdul Malik nga Kandahari. 25 vjeçarja Marzia Rostami nga Kundusi ka frikë se talibanët do të përdorin këtë incident për të furnizuar fushatën e nxitjes së urrejtjes kundër të gjithë të huajve, që ndodhen në Afganistan: "Talibanët do të thonë: "Shikoni, ata flasin për të drejtat e njeriut, por e shkelin vetë me këmbë dinjitetin e njerëzve." Bashkëkombasit e saj, thotë Rostami, nuk do të mund të bëjnë më dallimin midis dorasve dhe shumë të huajve të tjerë në vend, që kanë ardhur për të ndihmuar. Ajo është e shqetësuar për punën e organizatave ndërkombëtare, e cila mund të vështirësohet. Tani gjatë dimrit shumë afganë janë të varur nga ndihmat ndërkombëtare.

Kabuli kërkon që rasti të ketë pasoja

Hamid Karsai

Hamid Karsai

Presidenti afgan Hamid Karsai i ka kërkuar qeverisë amerikane, që të hetojë rastin dhe të dërgojë autorët e krimit para organeve të drejtësisë. Në një deklaratë të shkurtër të zyrës presidenciale thuhet: "Qeveria afgane është shumë e shqetësuar për videon, që tregon ushtarë amerikane, që çnderojnë trupat pa jetë të tre afganëve."

Sipas mediave amerikane ushtarët janë identifikuar ndërkohë. Sipas kanalit të lajmeve CNN ata janë marinarë të bazës ushtarake Camp Lejeune në shtetin federal të Karolinës së Jugut. Nga shkurti deri në tetor 2011 ata kanë qenë me mision kryesisht në provincën afgane Helmand, njofton CNN.

Pengim i qëllimshëm i afrimit?

Qeveria afgane është duke u përpjekur që prej dy vjetësh, që të zhvillojë bisedime paqësore me talibanët. Të vetëthirrurit luftëtarë të zotit kanë refuzuar deri tani çdo lloj bisedimi me qeverinë e presidentit Karsai dhe komunitetin ndërkombëtar. Por që prej disa javësh janë shtuar njoftimet, sipas të cilave pjesë të udhëheqjes talibanë janë të gatshëm të marrin pjesë në bisedime direkte paqeje. Njoftohet madje se talibanët kanë hapur një zyrë kontakti në shtetin arab të Gjirit, Katar.

Kjo iniciativë për zgjidhjen e konfliktit të Afganistanit mund të marrë një goditje nga publikimi i videos skandaloze, thotë eksperti i politikës afgane Syffudin Sayhoon. "Sipas mendimit tim kundërshtarët e bisedimeve të paqes me talibanët e kanë zgjedhur me vetëdije momentin e publikimit të videos, për ta bërë të pamundur afrimin midis SHBA-së dhe talibanëve."

Vetë talibanët kanë reaguar deri tani në mënyra të ndryshme: Në një njoftim, që i kanë dhënë mediave afgane, luftëtarët e zotit flasin për "Satan Amerika", i cili ka treguar edhe një herë fytyrën e tij çnjerëzore.

Nga ana tjetër agjencitë njoftojnë se talibanët kanë vazhduar bisedimet me SHBA-në. Sidoqoftë thotë eksperti Sayhoon, bisedimet e vështira do të vështirësohen edhe më shumë.

Autor: Ratbil Shamel/ Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM