1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një vepër e shekullit - Ndërtimi i kishës kristiane në Stamboll

Për herë të parë që prej themelimit të republikës në Turqi do të ndërtohet një kishë. Bëhet fjalë për kishën e bashkësisë aramiko-asiriane në Stamboll. Por me kaq nuk do të përmirësohet gjendja e të krishterëve në Turqi.

Vitin e ri qeveria turke e nisi me një lajm shpresëdhënës. Një kishë e re lejohet të ndërtohet, e para që prej themelimit të republikës në vitin 1923. Këtë vendim e komunikoi kryeministri Ahmet Davutoglu gjatë një takimi me përfaqësues të bashkësive jo myslimane në fillim të janarit. "Të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe ata janë qytetarë të vërtetë të republikës turke", argumentoi vendimin e qeverisë Davutoglu. Kisha siriano-ortodokse do të ndërtohet në një truall në lagjen Yesikoy të Stambllit dhe shpenzimet e ndërtimit do t'i marrë përsipër bashkësia siriano-ortodokse.

Ky vendim erdhi i papritur, sepse qeveria islame- konservatore e partisë AKP vitet e fundit është kritikuar vazhdimisht për stilin e saj rigoroz dhe islamik. Por pakicat fetare në Turqi qysh përpara periudhës së qeverisjes së AKP-së kanë pasur situatë të vështirë: Në 91 vitet e shkuara pakicat krisitiane në Turqi në fakt nuk janë lejuar t'i restaurojnë kishat, e jo më të ndërtonin të reja.

Një kishë prej hallit

"Eshtë mjaft emocionuese për ne. Do të ndërtohet kisha e parë që prej themelimit të republikës turke, e kjo do të jetë pikërisht një kishë siriano-ortodokse. Deri më sot ne anëtarëve të bashkësisë siriano-ortodokse na duhej të luteshim në kisha 'të huaja", thotë për DW Kenan Gürdal, nënkryetar i komunitetit të kishës së vjetër siriano-ortodokse Virgjëresha Marie në Stamboll. Rreth 20.000 të krishterë siriano-ortodoksë jetojnë në Turqi, shumica e tyre janë në Stamboll.

"Ne besojmë, se qeveria turke vërtetë do t'u përgjigjet kërkesave tona", thotë Gürdal. Në vitin 2013 adminsitrata e Stambollit gjeti truallin për ndërtimin e kishës. "Eshtë një truall në Yesilkoy, në të cilin ndodhet një varrezë katolike. Ne i kemi dorëzuar ndërkohë planet e ndërtimit pranë zyrës për mbrojtjen e monumenteve. Tani presim lejen e ndërtimit", vë në dukje Gürdal.

Një hap pozitiv por...

Leja e ndërtimit duhej të ishte një hap "mëse normal", thotë Elcin Aktoprak, politologe dhe eksperte pë rminoritetet në Universitetin e Ankarasë. "Eshtë një e drejtë, që u përket të gjitha pakicave fetare në Turqi. Sipas marrëveshjes së Lozanës (viti 1923, shën. i red.) të gjithë qytetarët jo-myslimanë të Turqisë lejohen të ndërtojnë dhe të drejtojnë institucionet e veta fetare dhe sociale", shpjegon për DW politologia. Por për dekada kjo e drejtë është keqpërdorur prej qeverive në Turqi.

Si bazë e politikës së AKP-së ndaj minoriteteve ka shërbyer i ashtuquajturi sistemi Millet, thotë Aktoprak. Ky është një rend ligjor nga periudha e Perandorisë Osmane, përmes të cilit minoriteteve u ofrohej mbrojtje dhe më shumë të drejta. "Qeveria e AKP-së e përkufizon veten si mbështetëse të kohës osmane. Por, a është vërtetë demokratik sistemi Millet? Nëse e sheh me vëmendje, kupton që ky sistem bazohet tek toleranca e myslimanëve ndaj jo-myslimanëve. Por toleranca është një fjalë delikate, sepse ajo në vetvete nënkupton hierarkinë", vëren Aktoprak. Marrëveshja e Lozanës u jep minoriteteve të drejtat në kuadrin e shtetit demokratik dhe jo në kuadrin e tolerancës përmes një lloj sistemi Millet, konstaton politologia.

"Sistemi Millet nuk i panon jo-myslimanët si qytetarë të barabartë. Ky është problemi, sipas ekspertes. Ajo kritikon qendrimin e qeverisë turke ndaj shkollës teologjike në ishullin princëror Heybeliada jo larg Stambollit. "Nëse qeveria turke vërtetë do të japë një sinjal, ajo duhet të lejojë rihapjen e seminarit të priftërinjve greko-ortodoksë. Ky seminar është mbyllur qysh nga viti 1971. Por në këmbim të kësaj qeveria turke pret ndërtimin e një xhamie në Athinë. Por në demokraci nuk duhet të ketë një qendrim të tillë, nëse bëhet fjalë për të drejtat e pakicave. Xhamia në Athinë s'ka të bëjë me të drejta e jo-myslimanëve në Turqi", argumenton Aktoprak.

Elpidophoros Lambriniadis Metropolit von Bursa 22.11.2014 in Istanbul

Kryepeshkopi ElpidophorosLambriniadis

"Qeveria turke na ka zhgënjyer shumë"

Qendrimi i bashkësive të tjera kristiane në Turqi lidhur me politikën e qeverisë turke ndaj pakicave fetare është i ndarë. Nga njëra anë ata gëzohen, që bashkësia siriano-ortodokse do të ketë një kishë të vetën thotë kryepeshkopi greko-ortodoks Elpidophorus Lambriniadis. "Ata vërtetë kanë pasur nevojë për këtë kishë. Bashkësia e tyre nuk ka vend të mjaftueshëm për t'u falur", thotë ai në bisedë për DW. Ndërsa bashkësia greko-ortodokse në Turqi nuk është aq e madhe, thotë Lambriniadis. "Ne nuk kemi nevojë për një kishë të re. Ne kemi nevojë për lejen, që të restaurojmë kishat e vjetra", thekson kryepeshkopi.

Nga ana tjetër është i padrejtë qendrimi i qeverisë turke ndaj komunitetit greko-ortodoks, krititikon Lambriniadis. "Në fillim ne shpresonim tek AKP. Por kur u publikua paketa e demokratizimit në vitin 2013 në të nuk ishte parashikuar rihapja e seminarit të priftërinjve në Heybeliada", thotë ai. Zhgënjimi ishte i madh. "Unë nuk jamë më aq optimist, nëse qeveria vërtetë e ka seriozisht me mbrojtjen dhe në radhë të parë me zgjerimin e të drejtave për minoritetet", vëren Lambriniadis.