1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Një venecian në Berlin

‚Addio Vedova, artist i rebelimit‘ – me këto fjalë gazeta La Reppublica i dha lamtumirën Emilio Vedovës, në vjeshtën e vitin 2006.

Emilio Vedova

Emilio Vedova

15 muaj pas vdekjes së tij, Galeria Berlineze e nderon artistin, përfaqësuesin kryesor të ekspresionizmit italian me një retrospektivë. Këtu në buzë të Lumit Spree në Berlin, ai punoi disa dekada më parë njërën nga veprat kryesore të tij.
Dera e rëndë e ish magazinës së kripës mezi hapet, drita e dobët hyn në sallën pa dritare, që ndodhet në fazën e ndërtimit. Arkitekti i njohur Renzo Piano, do të rindërtojë këtë sallë magazinimi për ta përgatitur për të ardhmen, për konservimin e një pjese të pikturave që presin varur në anekse. Pikturave me formate të mëdha, katrore ose rrumbullake, të punuara me shumë karakter, me ngjyra agresive të kuqe, të verdha, jeshile ose bardhë e zi, me kontrast të fortë të dritës dhe hijes, të të mirës dhe të keqes. „Vedova, ka qenë pa dyshim njeri politik. Në vitet 1940-të ai luftoi kundër nazistëve gjermane dhe ishte një komunist i bindur, megjithëse në vitet pesëdhjetë u largua nga Partia. Vedova ishte i mendimit se nëpërmjet pikturës abstrakte, që përdoret në vendin e duhur dhe që bëhet gjithë shpirt, mund krijohet një përshtypje se me çfarë njeriu kemi të bëjmë.“ …thotë Jörn Merkert, drejtor i Galerisë Berlineze dhe mik për gati 30 vjet i Emilio Vedovës. Lëvizjet që mjekëroshi venecian ka bërë me penelat, furcat dhe gjilpërat që ndodhen ende midis pikturave, sikur presin të përdoren sërish, flasin një gjuhë të qartë, gjuhën e pasionit, e dhimbjes e kontradiktave të papajtueshme. Vedova ka jetuar dhe punuar dekada të tëra në lagjen Dorsoduro të Venedikut - në një shtëpi të vjetër gjithë hyrje dalje, në afërsi të magazinës së kripës, në të cilën Vedova kishte atelienë dhe një dhomëz të vogël. Në to ndodhen edhe sot mijra punime dhe skica të tij, skulptura dhe libra shënimesh. „Ai kishte gjithnjë me vete një fletore shkolle, ku shkruante dhe ilustronte mendimet e tij, gjithnjë me një lloj lëvizjeje që vinte nga pikturimi, nga pikturimi ekspresiv. Ndodh rrallë të shohësh, se si mund të përjetohet edhe në jetën e përditshme një identitet i tillë midis artit dhe personalitetit.“ Emilio Vedova lindi më 9 gusht 1919 në Venedik. Ai ishte fëmijë i një familjeje të varfër dhe u shkëput shpejt prej saj duke mësuar në mënyrë audodidakte të skiconte dhe pikturonte. Ai pikturoi me stil ekspresionist arkitekturën veneciane. Njeri këmbëngulës, që ju kundërvu artit fashist dhe mori pjesë në krijimin e sesecionizmit të ri italian. Bota ndërkombëtare e artit drejtoi vëmendjen ndaj tij, Vedova prezantoi artin e tij kudo, mori çmime dhe skicoi më 1961 skenografinë dhe veshjet për Luigi Nonos në Operën "Intoleranca". "Ai punonte me elemente imazhi dhe drite të vendosura në hapësirë të lirë. Pastaj i lindi ideja se piktura mund të ofrohet në dialog edhe më direkt me vëzhguesin. Jo duke i vënë vëzhguesit pikturën para hundës, por në atë mënyrë që imazhi ta rrethojë vëzhguesin dhe kudo që të shkojë ai të ndihet se ndodhet në mes të pikturës.“ Kështu lindi ideja e ‚Plurimi-t‘, dhoga të sharruara, të pikturuara nga të dyja anët në mënyrë ekspresioniste, me shumë ngarkesë, bashkuar me plastikë të kapërcyeshme dhe të mbushura me të papritura. Deshi fati që Vedova ta realizonte këtë ide - në Berlin, në qytetin e ndarë nga muri ku ai qëndroi nga fundi i 1963-it deri në mes të 1965-ës i ftuar si ‚artist në rezidencë‘ nga Programi për artistë i Akademisë Gjermane për Këmbimet akademike. Gjatë muajve të qëndrimit në Berlin, Vedova përpunoi përvojën e tij në ‚Ditarin absurd berlineze", një instalacion i madh 9 metra të lartë dhe 20 metra të gjerë, që pasqyron në mënyrë grandioze psykogramën e qytetit të ndarë. Koleksionistë dhe të interesuar nga e gjithë bota erdhën në atelienë e tij që ndodhej në Grynevald të Berlinit për të shijuar veprën e re të artit, të cilën Vedova e prezantoi disa herë por nuk e shiti kurrë. Pas rrëzimit të murit, ai e vizitoi disa herë Berlinin. Nga data 25 janar ‚Ditari absurd berlinez‘ do të prezantohet në Galerinë Berlineze - duke prezantuar kështu ekspozitën e fundit që artisti përgatiti para se të vdiste në tetor të 2006-ës.
  • Data 28.01.2008
  • Autor Silke Bartlick / DW
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CwjP
  • Data 28.01.2008
  • Autor Silke Bartlick / DW
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CwjP