1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një treshe për partneritet - Samiti BE-Rusi në Shën Petërburg

Dhuna në Siri dominon samitin BE-Rusi në Shën Petërburg. Në hapje të tij, presidenti rus Putin ka kërkuar edhe heqjen e vizave për qytetarët rusë. Nuk ka partneritet të vërtetë pa hequr vizat.

Treshja për një partneritet të suksesshëm

Treshja për një partneritet të suksesshëm

Në Shën Petërburg të Rusisë, presidenti Vladimir Putin hapi zyrtarisht këtë të hënë samitin e 29-të, BE-Rusi. Në këto bisedime me praninë e Presidentit të BE-së, Herman Van Rompuy si dhe të Presidentit të Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso është në qendër dhuna në vazhdim në Siri. Të dy politikanët e BE-së duan të bindin presidentin rus, Vladimir Putin që të heqë dorë nga mbështetja e tij për presidentin e diskutueshëm sirian Bashar al-Asad.

Rusia kërkon një partneritet me BE-në dhe është e interesuar për një Bashkim të fortë Europian, tha presidenti Putin. Por Rusia kërkon edhe një dialog të hapur për parimet e një partneriteti të vërtetë. Në hapje të samitit, Putin nga ana e tij ka kërkuar me ngulm heqjen e vizave për qytetarët e tij. "Një partneritet i mundshëm mes Rusisë dhe BE-së do të ishte i "pamundur" për sa kohë që ka një barrierë të vizave për qytetarët e vendit tonë", tha presidenti rus. Bashkimi Evropian shprehet se nuk do të vendosë një afat artificial për këtë çështje.

Putin, Barroso dhe Van Rompuy në Shën Peterburg

Putin, Barroso dhe Van Rompuy në Shën Peterburg

BE kërkon angazhimin rus për Sirinë

Bashkimi Europian dëshiron të angazhojë Rusinë në këto konsultime bilaterale për një ndryshim kursi në konfliktin e Sirisë. Në bisedimet e para është rënë dakord si nga Rusia, ashtu edhe BE, se plani i paqes së të dërguarit të posaçëm, Kofi Annan është mënyra më e mirë për të evituar planin e paqes në Siri. Këtë e bëri të ditur e ngarkuara e BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton para fillimit të samitit BE-Rusi.

Rusia luan një rol vendimtar për realizimin me sukses të planit ndërkombëtar të paqes. BE për këtë arsye dëshiron të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë në Moskë për të gjetur rrugën për dhënien fund të dhunës dhe për zbatimin e planit të paqes së të dërguarit special të OKB, Kofi Annan, tha Ashton.

Edhe ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton tha në mbyllje të një vizite në Stokholm pasi ajo i kishte telefonuar homologut të saj rus, Sergej Lavrov lidhur me gjendjen në Siri se edhe Rusia duhet të kontribuojë në zgjidhjen e konfliktit sirian."Unë e kam bërë shumë të qartë: Ne duhet të përforcojmë përpjekjet tona që të sjellim ndryshime politike në vend. Rusia duhet të ulet në tryezën e bisedimeve dhe duhet të kontribuojë për suksesin. Largimi i Asad-it nuk duhet të jetë parakusht, por ky duhet të jetë një rezultat", tha Clinton.

Detyra jonë e përbashkët - ndalja e dhunës

Deri tani Rusia nuk ka treguar asnjë lloj gatishmërie bashkëpunimi ndaj veprimeve të dhunshme kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pas takimit me kancelaren Angela Merkel në Berlin pati mohuar se armët që Moska ia shet Sirisë mund të përdoren në konfliktin civil në këtë vend. "Rusia nuk furnizon këtë vend me asnjë lloj armatimi që mund të përdoret në një luftë civile. Ne kemi prej vitesh marrëdhënie të mira me Sirinë. Por ne nuk mbështesim atë krah që çon në rrezikun e shpërthimit të një lufte civile. Detyra jonë e përbashkët është që të ndalim dhunën, pak rëndësi ka se nga cila anë vjen“, pati theksuar kreu i Kremlinit.

Autor: ag/Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi