1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një trajtim me preferencë por i rrezikshëm

Vizitë e rëndësishme nga Pekini: Kryeministri i ri kinez viziton Gjermaninë si vendin e parë të BE-së në kuadër të udhëtimit të tij të parë jashtë vendit. Por trajtimi me prefrencë bart rrezik komenton Mathias von Hein.

default

"Nëse do të arrish diçka në Bruksel duhet të kalosh nga Berlini" - kështu thonë nëpunësit e lartë shtetërorë në Pekin. Vizita e Li Keqiangs në Berlin duket se ndjek këtë logjikë. Gjermania është vendi i parë i BE-së, që viziton kryeministri i ri i Kinës në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit. Kina e konsideron Gjermaninë si partnerin kryesor të kontaktit në Evropë. Pekini konsideron se Berlini i vlerëson si duhet shqetësimet e Kinës lidhur me tendencat proteksioniste. Tek e fundit është Gjermania brenda BE-së ajo që humbet më shumë në grindjen me Kinën për çështjet e tregtisë. Kina është ndërkohë partneri i tretë më i madh tregtar për Gjermaninë.

Kërkesa e lartë e vazhdueshme për produkte industriale gjermane në Kinë ka ndikuar dukshëm, që Gjermania deri tani ta përballojë lehtë krizën e euros. Ndaj s'të habit fakti që kancelarja Angela Merkel në sfondin e grindjes për çështjet e tregtisë që kërcënon mes BE-së dhe Kinës është shprehur qartë kundër tarifave ndëshkuese doganore. Gjithashtu Pekini e konsideron Berlinin si aktorin më të rëndësishëm në krizën e euros. Kjo krizë e preokupon edhe Kinën. Tek e fundit Evropa është partneri tregtar më i rëndësishëm i Kinës. Rënia e kërkesës për produkte nga fabrikat kineze në vendet e krizës e ka frenuar rritjen ekonomike në Kinë.

Në foto, Matthias von Hein

Në foto, Matthias von Hein

Mes Kinës dhe Gjermanisë zhvillohen më shumë se 60 dialogje mbi tema të ndryshme në nivel qeveritar. Gjatë vizitës së kryeministrit të ri Li Keqiang doli në pah, se asgjë nuk do të ndryshojë në cilësinë e marrëdhënieve bilaterale. Në sfondin e thellimit të marrëdhënieve ndonjëherë bëhet fjalë edhe për "marrëdhënie të veçanta". Sado atraktive - veçanërisht për ekonominë gjermane - janë të tilla "marrëdhënie të veçanta", ato nuk duhet të bëhen pengesë për një politikë të përbashkët evropiane ndaj Kinës. Evropa nuk duhet të lejojë përçarjen pikërisht lidhur me marrëdhëniet e saj me një partner të rëndësishëm si Kina. BE-ja si një gjigant ekonomik duhet ta forocjë edhe më shumë vetëdijen në aspektin politik. E për aq kohë sa një politikë e përbashkët ndaj Kinës në BE për shkak të interesave të shumta nuk është e mundur të bëhet realitet, të paktën Berlinit në koordinim të ngushtë me partnerët më të rëndësishëm evropianë i duhet të përcaktojë qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Pekinit.

Vetëm kështu Evropa mund t'i përfaqësojë edhe nga jashtë vlerat e saj. Por lidhur me këtë ka një sërë kundërthëniesh: Në konferencën e shtypit me Li Keqiang Angela Merkel ndër të tjera theksoi, ne duam t'i zhvillojmë edhe më tej marrëdhëniet në fushën e kulturës. E me këtë rast le të kujtojmë, se më 1 qershor hap portat bienalja në Venecia. Artisti kinez Ai Weiwei ka dorëzuar një vepër të tijën për pavionin gjerman. Por vet Ai Weiwei nuk lejohet të vijë në Venecia.