1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Portret

Një tetovare në Berlin - Portreti i Mimoza Veliut

Mimoza Veliu ka lindur në Tetovë. Sot jeton në Berlin me të birin dhe i është përkushtuar fuqimisht artit të fotografisë. Dëshirën për të krijuar e ka shprehur fillimisht me poezi dhe pikturë.

Mimoza Veliu

Mimoza Veliu

Joni, i biri dhe fotografia janë gjërat që do më shumë në jetë. Kanë kaluar vite derisa ajo ka gjetur qetësinë shpirtërore, atë qetësi që i duhet një artisteje, e cila i shkëputet ambientit të shoqërisë ku ka lindur, për t'iu kushtuar e lirë botës së artit në një qytet perëndimor.

Ekspozitë me fotografitë e Mimoza Veliut

Ekspozitë me fotografitë e Mimoza Veliut, Berlin

Artit të të fotografuarit. "Gjëja më e bukur që kam bërë në jetë"

Mimoza fotografon gjithandej dhe i tregon fotografitë në galeri të ndryshme në vend dhe jashtë. Dëshirën për të krijuar e ka shprehur fillimisht me poezi dhe pikturë, shkruan Mimoza në kujtimet e saj. Të dyja ia sheh sot në fotografi, edhe poezinë edhe pikturën. Fotografi njerëzish në situata jete, në raport me veten dhe me të tjerët, në raport me natyrën. Syri i saj është i ndryshëm nga ai i të tjerëve. Syri i saj përmban kuriozitetin e një fëmije të shkolluar në një shkollë province dhe me rrugë "që përfundojnë gjithnjë në shtëpi". Familja ka qenë publiku i saj i parë, një publik thuajse i vështirë. "Familjes sime i pëlqenin gjërat që bëja, por më vonë shqetësoheshin për intensitetin e përkushtimit," kujton ajo.

Mimoza Veliu dhe piktori Wilko Königsmann

Mimoza Veliu dhe piktori Wilko Königsmann

Ballafaqimi me një kulturë të re

Me ardhjen në Gjermani në vitin 2002, Mimoza 23 vjeçare fillon shkollën më të rëndësishme të jetës, "ballafaqimin me një kulturë të re, e cila mundëson absorbimin e vlerave të reja, ruajtjen e atyre të vjetrave dhe filtrimin e dyanshëm". Në Berlin i hapen perspektiva të reja që i mundësojnë të parit e vetvetes dhe të origjinës nga një kënd tjetër. “Paralelisht me formimin tim si karakter që del nga një përzierje kulturash, është formuar dhe arti im, që sot shikohet paradoksal, siç mund të ishte paradoksale jeta e një artisteje të ardhur nga Tetova në Berlin,”-thotë ajo.

Fotografi nga Mimoza Veliu

Fotografi nga Mimoza Veliu

Shoqat kultURA e krijuar prej saj

Mimoza bën me aparatin e saj fotografi unikate që në stilin e tyre, kërkojnë kohë për t`i vështruar. Ajo e ka ruajtur veçantinë e artit të saj, duke krijuar atë lloj ekspresionizmi që të çon me dashje apo padashje tek emri i autores.

Nënë e një djali 7 vjeçar, Mimoza punon si dizajnere grafiku. Paralelisht organizon ekspozita me punët e saj dhe të artistëve të tjerë, duke dashur të krijojë një urë lidhëse mes artit shqiptar dhe atij gjerman, përmes shoqatës kultURA, të krijuar prej saj.

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora