1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një takim i posaçëm i BE për refugjatët

BE ka rënë dakord të mbajë një takim të posaçëm të nivelit të lartë në nivel ministrash për krizën e refugjatëve. Situata ka marrë përmasa të reja, deklaroi presidenca luksemburgase e radhës e BE.

Përballë ardhjes së pandërprerë të qindra mijëra refugjatëve në Evropë, BE kërkon t'u japë fund mosmarrëveshjen disamujorëshe për shpërndarjen e drejtë të migrantëve. Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE do të diskutojnë për këtë më 14 shtator, në një takim të posaçëm për krizën e refugjatëve. Në takim do të diskutohet për gjendjen aktuale dhe mbi masat politike "për forcimin e përgjigjes evropiane" ndaj vërshimit të refugjatëve, njoftoi Presidencia luksemburgase e radhës e BE. Situata brenda dhe jashtë BE ka marrë përmasa që nuk kanë ekzistuar kurrë më parë, u bë e ditur.

Më parë, Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere dhe kolegët e tij nga Franca dhe Britania e Madhe u shprehën për mbajtjen e një takimi të tillë të posaçëm. Objektivi duhet të jetë hartimi i hapave konkretë, në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme të rregullt të radhës të BE më 8 tetor të mund të merren vendime konkrete, u bë e ditur në një deklaratë të përbashkët të të tre ministrave. Ata kërkuan midis të tjerave që të vendoset në nivel të BE dhe me vlefshmëri për të gjitha vendet e BE se cilat vende do të konsiderohen shtete të sigurta të origjinës. Deri tani, klasifikime të tilla janë bërë në nivelin e shteteve nacionale.

Trieministrat përforcuan veç kësaj kërkesën për ngritjen e të ashtuquajturave "hot spots". Me këtë mbahet parasysh ngritja e qendrave të refugjatëve në vende si Italia dhe Greqia. Në to refugjatët që vijnë regjistrohen duke u marrë gjurmët e gishtave, përmes të cilave do të identifikohen më vonë ata, të cilët me të vërtetë kanë nevojë për mbrojtje.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans dhe Komisari i Migrimit, Dimitris Avramopoulos do të vizitojnë të hënën (31.08.) Calais në Francën e Veriut, ku kanë mbetur të bllokuar mijëra refugjatë në rrugë për në Britaninë e Madhe. Të shoqëruar nga kryeministri francez Manuel Valls dhe nga Ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve, përfaqësuesit e Komisionit do të vizitojnë ndër të tjera kampin e improvizuar në Calais. Sipas vlerësimeve atje aktualisht ndodhen deri 3000 refugjatë.

Qeveria gjermane përforcoi ndërkohë vullnetin e saj për ta kufizuar shpejt ardhjen e dhjetëra mijëra refugjatëve, të cilët nuk përndiqen politikisht në kuptimin që e parashikon kushtetuta gjermane. "Në mënyrë që të mund t'u ndihmojmë atyre që janë në hall, duhet edhe t'u themi atyre që nuk janë në hall se nuk mund të qendrojnë tek ne", tha kancelarja Angela Merkel. Ministri i Brendshëm, de Maiziere përforcoi se në plan afatgjatë Gjermania nuk do ta përballojë dot presionin aktual të migrantëve: "800.000 vetë, me kalimin e kohës janë një numër shumë i madh."