1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një skandal tjetër i mbrojtjes së të dhënave po trondit opinionin publik gjerman

Protagonist sërish Telekomi: koncernit iu desh të pranojë se dy vjet më parë janë vjedhur nga zyrat e tij të dhënat personale (emri, datëlindja, numri i celularit dhe adresa e e-mailit) të 17 milionë klientëve.

Qendra e koncernit të Telekomit Gjerman në Bon

Qendra e koncernit të Telekomit Gjerman në Bon

Pas skandaleve të tjera këtë vit me tregtinë në internet të të dhënave personale të miliona konsumatorëve dhe me spiunimin e bashkëpunëtorëve në supermarkete, besimi i qytetarëve në mbrojtjen e të dhënave ka humbur.

Shefi i Telekomit Rene Oberman kërkoi në fundjavë falje për skandalin e ri në sipërmarrjen e tij dhe u ofroi një numër të ri telefoni falas të gjithë klientëve të prekur. Gjeste dhe oferta që nuk u mjaftojnë në asnjë mënyrë politikanëve dhe mbrojtësve të të dhënave. Opozita ka kohë që kërkon një ligj më të ashpër.

Shefi i partisë dhe i fraksionit të liberalëve (FDP), Gido Vestervele (Westervele) kërkoi nën përshtypjen e disa skandaleve, duke folur me DW, që mbrojtja e qytetarit të merret më në fund më seriozisht:

"Jo vetëm përballë shtetit dhe shpërdorimeve atje, por shprehimisht përballë koncerneve private, përballë vjedhjeve, përballë përgjimeve në rrjetet tregtare dhe të ngjashmeve. Shpresoj se ky skandal i ri i përsëritur të jetë shkas për të gjitha partitë në qeveri, që të mos i bllokojnë iniciativat tona për një mbrojtje më të mirë të të dhënave personale, por t'i pranojnë ato."

Eksperti për punët e brendshme të Të Gjelbërve, Hans- Kristian Shtrëbele (Ströbele) e quan rastin e vjedhjes së të dhënave personale te Telekomi, pa dorashka "çorbë derrash":

"Dyert e Telekomit me sa duket qenkan të hapura tej e tej për hajdutët e të dhënave personale. Atje duhet të hyjnë në fuqi masa të reja sigurie! Duhet të bëhet një ligj krejt i ri, më i mirë për mbrojtjen e të dhënave."

Wolfgang Bosbah, zëvendëskryetar i Fraksionit Unionist të CDU/CSU-së e akuzon Telekomin se i informoi me shumë vonesë klientët e prekur:

"Të prekurit duhet të qenë informuar patjetër dhe menjëherë."

Shpërdorimet e të dhënave personale duhet të raportohen me detyrim, kërkon kryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme, Sebastian Edati (Edathy). Socialdemokrati e kritikoi që në fillim të qershorit mbrojtjen e të dhënave te Telekomi.

"Kur një firmë mund të niset nga fakti që rasti i verifikimit praktikisht nuk ekziston fare, atëherë kjo është e ngjashme kur deklarohet se në tramvaj nuk do të ketë më fatorino. Atëherë, të ndershmit do të vazhdojnë të blejnë një biletë, por numri i atyre që udhëtojnë në të zezë do të jetë më i madh. Kjo mundësi do të përjashtohej, nëse ata do të mësonin se ka të paktën kontrolle sporadike. Dhe kjo duhet të garantohet edhe në fushën e mbrojtjes së të dhënave te firmat."

  • Data 07.10.2008
  • Autor Marsel Fyrstenau
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FVZC
  • Data 07.10.2008
  • Autor Marsel Fyrstenau
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FVZC