1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një shans tjetër i humbur - negociatat atomike me Teheranin

Për aq kohë sa Teherani nuk është i gatshëm për koncesione, këto biseda nuk kanë më kuptim. Nga ana tjetër presidentit Obama i duhet një sukses në politikën e jashtme.

Optimistët besuan se këtë herë mund të arrihej suksesi: në fund të fundit, kushtet kuadër për sukses në historinë e pafund të negociatave për programin atomik iranian nuk kanë qenë kurrë më të përshtatshme se sot. Regjimi në Teheran ndodhet nën presion të madh, sepse ekonomia e vendit është përtokë. Vite të sanksioneve gjithnjë e më të ashpra e kanë izoluar vendin në botë, e kanë ndërprerë qarkullimin financiar, i kanë marrë frymën prodhimit industrial dhe i kanë reduktuar në një minimum prodhimet e naftës dhe të gazit. Iranianët vetë, të cilët luftojnë me inflacionin galopant dhe me kushte jetese që bëhen gjithnjë e më të vështira, dëshirojnë vetëm një gjë: fundin e sanksioneve dhe kthimin në një lloj normaliteti. Dhe së fundi: një president që konsiderohet i moderuar zgjoi tek të gjithë pjesëmarrësit shpresën për një shtendosje midis Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar dhe për një zgjidhje të konfliktit që zgjat prej një dekade. Presidenti Rohani vetë nga ana e tij duhet të arrijë ta përmirësojë gjendjen ekonomike, përndryshe mbijetesa e tij politike rrezikohet.

Perëndimi e dëshiron më shumë se kurrë suksesin

Në anë tjetër janë interesat e partnerëve perëndimorë të negociatave: presidentit Obama i duhet një sukses në politikën e jashtme. Ai e theu bllokadën e kontaktit midis dy kryeqyteteve, e cila zgjaste që prej 25 vjetësh. Sepse edhe kërkon një partner të fortë rajonal në luftë kundër milicisë terroriste IS. Evropianët, nga ana tjetër, nuk kanë dëshirë më të madhe se sa konfirmimin që politika e tyre e jashtme si kombinim i diplomacisë këmbëngulëse dhe sanksioneve konsekuente mund të sjellë në fund sukses.

Außenminister Frank-Walter Steinmeier

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier

Kurse tani duket se edhe ky raund i bisedimeve të zhvilluara prej 12 vjetësh "ec e ndalo" do të përfundojë me shtyrje. Nëntorin e kaluar të dyja palët lidhën një marrëveshje kuadër, e cila parashikonte një zgjidhje brenda gjashtë muajve. Në verë nuk u arrit dakordimi dhe negociatat u zgjatën edhe një gjysmë viti më shumë. Edhe ky afat duket se do të zgjatet deri në vitin e ardhshëm. Të gjithë ata që nuk janë pajisur me durimin e pakufishëm të diplomatëve profesionistë do t'i kishin quajtur negociatat teatër absurd.

A nuk duhet bërë një pushim nga bisedimet?

Nuk duhet të gënjehemi, "se në shumë pyetje ne jemi ende larg njëri-tjetrit", e shpjegoi situatën ministri i Jashtëm Frank Walter Steinmeier. E tillë ishte situata dhe e tillë me sa duket mbetet.

Nuk ekziston asnjë bazë besimi në marrëdhëniet me Teheranin, që do ta bënte të besueshme një paradhënie politike për sjellje të mira në të ardhmen. Për kthimin e Iranit në bashkësinë e shteteve, një raport me më pak urrejtje dhe ideologji dhe me më shumë bashkëpunim të arsyeshëm, për fat të keq ne duhet të presim akoma.