1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një raport i OKB-së dëshmon krime brutale të udhëheqjes në Pekin

Pushtetmbajtësit e Koresë së Veriut, sipas ekspertëve të OKB-së e kanë vendin para gjyqit. Sipas tyre, udhëheqja e partisë dhe e shtetit është direkt përgjegjëse për krime si tortura sistematike, vrasje e përdhunime.

Në këtë përfundim vjen "Raporti i Komisionit Hetimor për të drejtat e njeriut në Republikën Demokratike Popullore të Koresë", i cili u paraqit të hënën (17.03.2014) në Gjenevë. Hetimi i deri tani më i gjerë për këtë temë përmban një radhitje të krimeve mizore të regjimit të Phenianit kundër një pjese të madhe të popullit. Raporti mbështetet në deklarata të shumta të dëshmitarëve.

Udhëheqja e partisë dhe e shtetit nën Kim Jong Un-in është drejtpërdrejt përgjegjëse për krime, si torturat sistematike si dhe vrasjet masive, deklaroi në Gjenevë drejtuesi i Komisionit të Koresë së Veriut të ngritur nga Kombet e Bashkuara, Michael Kirby.

Qindra mijëra të vdekur

Në raport thuhet më tej se Koreja e Veriut është një shtet totalitar, në të cilin njerëzit, që regjimit i duken jo të besueshëm, vriten në mënyrë sistematike ose keqtrajtohen si skllevër pune, torturohen, përdhunohen dhe lihen të vdesin nga uria. Për këtë, me porosi të udhëheqjes së partisë dhe të shtetit, është ngritur një sistem kampesh ndëshkimi me aktualisht deri 120.000 të burgosur. Thuajse askush nuk del i gjallë nga këto kampe. Komisioni vlerëson se në 50 vjetët e kaluara, në kampe e kanë humbur jetën qindra mijëra të burgosur.

Udhëheqësi diktator i Koresë Veriore, Kim Jong -un

Udhëheqësi diktator i Koresë Veriore, Kim Jong -un

Kërkohet angazhimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Juristi australian Kirby i krahasoi krimet me aktet mizore të nazistëve gjermanë në vitet 1933 deri 1945. "Kurrë më" u betua bota më 1945. Kurse njerëzimi përballet në shekullin e 21-të në Korenë e Veriut me një "fshikullim të turpshëm" të ngjashëm. Kirby i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa juridikë kundër pushtetmbajtësve në Korenë e Veriut. Përballë akteve mizore kundër pjesëve të gjera të popullit, instanca e duhur për hetime kundër Koresë së Veriut është Gjykata Penale Ndërkombëtare, tha ai.

Në një pozicionim ndaj raportit, Bashkimi Evropian e mbështet angazhimin e Gjykatës Penale të Hagës. Por diplomatët e konsiderojnë me pak gjasa, që Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së të miratojë në fund të mbledhjes së tij të pranverës, në fund të marsit në Gjenevë, një rezolutë, me të cilën t'i kërkohet KS të OKB-së ngarkimi me hetime i Gjykatës së Hagës. Kjo kërkesë refuzohet deri tani nga fuqia me të drejtë vetoje, Kina dhe një sërë shtetesh afrikane, të cilat nuk e njohin Gjykatën Penale Ndërkombëtare.