1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Një portal virtual rajonal për punësimin

Shqipëria e Kosova finalizuan të parat akordin për një portal të përbashkët punësimi. Projekti, që mbështet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, synon partneritet edhe me vende të tjera të rajonit.

Zgjerimi gjithnjë e më i madh i aksesit të popullatës në internet, por dhe dinamika e lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e rajonit, po shfrytëzohen në favor të kërkimit të hapësirave të reja për punësim. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, është duke mbështetur një projekt konkret punësimi përmes ndërtimit të një faqeje online, që do t'u shërbejë punëkërkuesve dhe punëdhënësve të interesuar nga shtetet ballkanike.

Hapi i parë është hedhur me marrëveshjen mes Tiranës dhe Prishtinës, të cilat kanë materializuar portalin e përbashkët virtual mes tyre.

Si portal i ngjashëm me portalin europian EURES

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë Erion Veliaj e shikon me optimizëm këtë nismë, që hap pas hapi, sipas tij, do të konkretizohet dhe me vende të tjera. Synimi ynë është që të krijojmë një bazë të vetme të dhënash për të gjithë vendet e rajonit, thotë Veliaj për DW.

“Sigurisht, jemi në hapat e para, por jam shpresëmirë se shumë shpejt ky portal rajonal do të ofrojë më shumë mundësi punësimi, sidomos për të rinjtë, të cilët janë më të disponueshëm për t'u punësuar në vende të tjera. Ky portal është i ngjashëm me portalin europian EURES, dhe me integrimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë do të jetë më e lehtë që ky portal të integrohet me portalet e vendeve të BE”, thotë Veliaj për DW.

Avni Shehu, një 30 vjeçar nga Kosova ka rreth katër muaj i punësuar në një agjenci publicitare dhe marketingu në Tiranë. Ai thotë se nuk ka pasur asnjë vështirësi për integrimin social dhe ekonomik në Shqipëri. Aq më tepër që në Tiranë kam dhe disa të njohur të tjerë nga Kosova. “Në mënyrë individuale, me rekomandime miqsh jemi punësuar. Edhe unë kështu ju afrova punës. Por nuk duhet lënë gjithçka spontanitetit dhe rastësisë, pasi Shqipëria dhe Kosova mund të jenë një front i përbashkët pune për qytetarët nga dy anët e kufirit. Nuk ka pengesa ligjore dhe administrative për t'u punësuar, ka lehtësi në gjuhën e folur, dhe në mentalitet, thotë ai për DW.

“Shqipëria dhe Kosova nuk janë thjesht vende kufitare, të cilat këmbejnë krahun e tyre të punës. Lehtësitë në komunikim, por dhe historia e tradita e përbashkët janë tregues, që e bëjnë këmbimin e krahut të punës një energji të madhe zhvilluese. Sepse ka zanate në Kosovë, të cilat shumë mirë mund të vlejnë për t'u ushtruar në Shqipëri. Por dhe e kundërta. Në mënyrë të përkohshme apo me afat më të gjatë tregu ka nevoja për profesionistë të kualifikuar, por dhe për të pakualifikuar. Ndaj dhe qeveritë tona duhet të mbështesin dhe orientojnë nevojat, që ka tregu i punës”.

Shtysë për kualifikimin profesional të të rinjve

Por si do të funksionojë portali virtual i punësimit për Shqipërinë dhe Kosovën? Ministri Erion Veliaj sqaron për DW se ky portal do të bashkojë në një faqe të vetme të dhënat e faqes së internetit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në të cilën afishohen të gjitha vendet e lira të punës të deklaruara pranë Zyrave Rajonale të Punës, me të dhënat e faqes respektive, që ekziston në Kosovë.

“Kështu, në këtë portal do të afishohen të gjitha vendet e lira të punës në Shqipëri dhe Kosovë, dhe nëse një qytetar kërkon të punësohet, ta zëmë, si hidraulik, ai do mund të shohë vendet e lira për këtë kategori në të dy shtetet.”

Projekti për portalin rajonal virtual do të jetë në sinkron dhe me fuqizimin e qëndrave kualifikuese profesionale. Për rastin e qëndrave të tilla në rajonet e verilindjes së Shqipërisë, kryesisht në qarkun e Kukësit, që janë gati inekzistente, mbështetja do të vijë nga pala kosovare. Në bazë të një marrëveshjeje, që kanë nënshkruar ditët e fundit në Tiranë ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj me Ministrin e Punës së Kosovës Nenad Rashiç është rënë dakord që qendrat e formimit profesional në Prizren dhe në Gjakovë, në territorin e Kosovës, të jenë të vlefshme për të interesuarit në Kokës, Tropojë e Has.

Por impakti, që mund të vijë nga portali virtual i punësimit, kërkon nga autoritetet zyrtare të rajonit që të ndërmarrin dhe masa të tjera lehtësuese për sigurimin e lëvizjes dhe të qëndrimit të shtetasve nga njeri vend në tjetrin. Për të hequr barrierat dhe procedurat burokratike në lejen e punës, të qëndrimit, të njohjes së kontributeve të sigurimeve etj.