1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Një pasuri e madhe e rajonit dhe Europës në rrezik

“RiverWatch” me seli në Vienë dhe organizata gjermane “EuroNatur” me seli në Rheinbach pranë Bonnit, kanë lëshuar SOS për të mos lejuar ndërtimin e digave në lumenjtë që përshkojnë Shqipërinë e Ballkanin.

Vjosa

Vjosa

Fjala është për lumenj të pa ndotur, që përshkojnë 36 mijë km, në hapësirën mes Sllovenisë dhe Shqipërisë. Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve, RiverWatch thotë për DW se në vende si Shqipëria dhe Mali i Zi ka lumenj që 60 % të ujrave të tyre janë krejt të pastër dhe të pandotur. Kjo përqindje pastërtie është e lartë nëse krahasohet me atë të lumenjve në Gjermani apo Austri. „Në Gjermani lumenjtë janë 10% të pandotur, kurse në Austri vetëm 6 %.“ thotë Ulrich Eichelmann. Pikërisht të qënit të pandotur i bën lumenjtë e Ballkanit një pasuri të jashtëzakonshme të biodiversitetit dhe ekosistemeve të Europës..

Lloje peshqish që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të Planetit

„Zemra blu e Europës rreh në Balkan. Në ujrat e lumenjve të Ballkanit jetojnë 69 specie endemike peshqish që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të Planetit, 151 specie të rralla molusqesh dhe gjarpërinjsh uji që përbëjnë 40,5 % të këtyre specieve, që janë të kërcënuara në Europë. 70-75% e këtyre lloj peshqish dhe molusqesh nuk mund të mbijetojnë në lumenjtë me diga, përfshirë këtu llojin e troftës më të madhe në botë, Salmonin e Danubit, që rritet në Bosnjë-Hercegovinë dhe që mendohet të jetë zona bazë nga ku, kjo lloj trofte, shpërndahet në të gjithë botën“ thotë Ulrich Eichelmann.

Shqipëria- vendi kryesor në Ballkan dhe Europë me lumenj që kanë shtrat të paprekur

Në këtë pasuri të madhe që paraqesin lumenjtë në Ballkan, Shqipëria zë vendin e parë në rajon dhe në krejt Europën. “Rreth 80% e lumenjve në Shqipërti janë ende “të gjallë” që do të thotë që shtrati i lumenjve është i paprekur, dinamikat e lumit janë aty, ndotja e tyre është një problem teknik i zgjidhshëm. Paprekshmëria e shtratit të lumenjve është pikërisht ajo cilësi që Bashkimi Europian kërkon në Direktivën e Ujit, citoj” të gjithë lumenjtë duhet të jenë në kushte të mira, të paktën deri në vitin 2027” thotë për DW, Ulrich Eichelmann.

Rreziku më i madh për natyrën në Shqipëri - digat mbi lumenj

Por kjo direktivë e BE rrezikon të nëpërkëmbet dhe ekosistemet që krijojnë lumenjtë me shtrat të paprekur të shkatërrohen. Xhemal Mato, Drejtor Ekzekutiv i shoqatës ambientaliste “Eko Lëvizja“thotë për DW : „Në Shqipëri, që nga 2010 janë dhënë koncesione për ndërtimin e 418 hidrocentraleve të vogla dhe në të gjithë vendin po planifikohet edhe ngritja e 11 digave të reja me fuqi më të madhe se 1 MW. Koncesionet u dhanë pa kushte, u bënë subjekt aferash korruptive dhe po shkatërrojnë në mënyrë makabre mjedisin dhe ekosistemet. Brenda parkut kombëtar të Shebenikut, në Librazhd, ka 43 hidrocentrale të vegjël, të ngritur mbi burimet që derdhen në lumin Shkumbin duke marrë kështu ujin e pijshëm. Kjo do të thotë vdekje e biodiversitetit, vdekje e parkut natyror. E marrin ujin që në burim, nuk ka më biodiversitet, nuk është më park“ thotë Xhemal Mato.

Digat – një „infarkt“ për lumenjtë

Ulrich Eichelmann,konservatoristi gjerman i natyrës, shkon edhe më tej kur flet për DW lidhur me dëmin e madh që sjell ndërtimi i digave për ekosistemet. “Digat e shkatërrojnë lumin krejtësisht. Është një lloj si të bllokosh arterien e qarkullimit të gjakut. Kjo shkakton infarkt. Digat nuk bllokojnë vetëm ujin, ato bllokojnë migrimin e peshqve dhe më e rëndësishmja transportin e zallit, zhavorit të lumit. Lumenjtë prodhojnë rërën për plazhet. Nëse ngre diga,lumi nuk çon në det zall dhe rërë,”thotë Ulrich Eichelmann.

Xhemal Mato i Ekolëvizjes

Xhemal Mato i "Ekolëvizjes"

Vjosa – në rrezik i vetmi lum i egër, i paprekur në Europë.

Ndër gjithë lumenjtë e Shqipërisë, që duhen mbetur të paprekur, si pasuri e Europës, shoqatat “RiverWatch” dhe “EuroNatur” veçojnë lumin Vjosa. “Vjosa është një lum i jashtëzakonshëm. Për mendimin tim është lumi i fundit, i madh, i egër, i gjallë në gjithë Europën. Gjatësia e tij është 270 km. Ai buron nga malet e Pindit në Greqi dhe rrugëton në shtratin e vet drejt Adriatikut duke përshkruar 270 kilometra mes enklavash të paprekura malore, kataraktesh, grykash dhe liqenesh. Ka kanione, zgjerime në disa pjesë që shkojnë deri në 2 km dhe në deltën e tij të paprekur ngrejnë folenë pelikanët. Gjithë lumi është diçka e gjallë. Dhe kjo është e jashtëzakonshme, unikale në Europë. Dhe çudia më e madhe është se shumë pak dihet për bio- diversitetin e lumit Vjosa. Askush nuk di për llojet e zogjve, insektet, lakuriqët e natës .. ka të dhëna shumë të pakta. Lumi Vjosa është më pak i njohur se shumë pjesë të lumit Amazon në Brazil”, thotë Ulrich Eichelmann.

Por planet për ndërtimin e 8 digave në pjesën shqiptare të lumit Vjosa dhe 2 në pjesën greke të tij rrezikojnë rëndë këtë pasuri që ky lum i ofron Europës. “Në lumin Vjosa, në Kalivaç filloi të ndërtohet para disa vitesh një digë, nga Grupi italian Beccheti, project që u mbështet financiarisht edhe nga Deutsche Bank. Me sa duket Deutsche Bank refuzoi më pas projektin. Arsyen pse nuk e di me saktësi, por punimet janë pezulluar. Lumi ka mbetur deri tani i paprekur", thotë Ulrich Eichelmann.

Fushatë për të mbrojtur lumin Vjosa

Organizata“RiverWatch”dhe “EuroNatur” në bashkëpunim me shoqatën shqiptare - Protection and Preservation of Natural Environment- PPNE- po planifikojmë të zhvillojnë fushatë për këtë qëllim. „Kemi inicuar „Deklaratën Vjosa“ të nënshkruar nga më shumë se 10 NGO, që funksionojnë në Shqipëri. Do të zhvillojmë nga 13- 15 qershor një studim të përbashkët ndërkombëtar për biodiversitetin me revistën gjermane GEO, ku do të marrin pjesë shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj, Qëllimi është të kemi sa më shumë të dhëna, ndofta gjejmë edhe ndonjë specie të re. Do të lobojmë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të mbrojtur lumin Vjosa. Mbi të nuk duhet të ndërtohen diga” thotë Ulrich Eichelmann.

Politika zyrtare për mbrojtjen e ekosistemeve

Prof. Pëllumb Abeshi, Drejtor i Përgjithshëm i Mjedisit, në Ministrinë e Mjedisit në Tiranë thotë për DW se “politikat e Shqipërisë në fushën e mjedisit dhe të mbrojtjes së ekosistemeve natyrore janë në përputhje me direktivat e BE dhe të Konventës së Kombeve të Bashkuara. Lidhur me projekte ndërkufitaresi ai indërtimit të digave mbi lumin Vjosa, në territorin shqiptar dhe grek, ai thotë: "Shqipëria ka ratifikuar një sërë konventash dhe potokollesh ndërkombëtare që trajtojnë ndikimet mjedisore në kontekstin ndërkufitar. Vendet janë të detyruara të njoftojnë njëri- tjetrin kur është fjala për projekte që do të zhvillojë në territorn e saj" thotë për DW, Prof. Abeshi.

Lumi Mat

Lumi Mat

Por qoftë edhe në kuadër të kësaj procedure të detyrueshme çështja që ngrihet është: a mund të harmonizojë Shqipëria nevojat e saj për energji me ruajtjen e paprekur të lumenjve? “Lumenjtë dhe energjia- kjo është një detyrë e vështirë. Zgjidhja gjendet tek planifikimi i duhur. Shqipëria duhet të ketë një masterplan ku të përcaktojë zonat e ndaluara për të ngritur diga dhe zonat ku ato mund të ngrihen, por vetëm sipas standarteve më të larta ndërkombëtare. Të hartosh një masterplan nuk është vështirë, është vetëm çështje kriteresh- ekologjike,ekonomike dhe politike. Lypset planifikim hapësinor jo vetëm për qytetet dhe fshatrat por edhe për natyrën”, thotë Ulrich Eichelmann.

Shqipëria- Costa Rika e Ballkanit?

Nëse lumenjtë si Vjosa nuk preken dhe shtrati i tyre nuk devijohet për të ndërtuar hidrocentrale, përfitimet janë edhe ekonomike. „Shqipëria mund të bëhet Costa Rica e Ballkanit. Lumenjtë dhe derdhjet e tyre në detin Mesdhe janë ende në gjendje natyrore. Mund të shohësh pelikanët në deltën e lumit Vjosa dhe peisazhe që të lënë pa frymë me bukurinë e tyre. Turistët që vijnë në Shqipëri mund të vizitojnë këta lumenj, të shohin zogjtë, të shëtisin brigjeve etj” thotë për DW Ulrich Eichelmann.

Costa Rica është cilësuar vendi më i gjelbër në botë, i vetmi që ka plotësuar të gjitha kriteret për të matur qëndrueshmërinë e zhvillimit mjedisor. Rruga e Shqipërisë për t'u bërë Costa Rica e Ballkanit kalon nga mosprekja e lumenjve të saj të egër dhe ekosistemeve që ata krijojnë.