1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Një opozitë e fortë është e shëndetshme për qeverisjen e vendit!"

Në intervistë për DW analisti Lufti Dervishi lidhur me legjislaturën e mazhorancës së re mes PS dhe LSI në Shqipëri thekson, se në 100 ditët e para qeveria do të matet nga fryma që do të përcjellë.

Analisti Lutfi Dervishi

Analisti Lutfi Dervishi

DW: Cilat janë sipas jush të rejat që parashikohen gjatë legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë?

Dervishi: Legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë pritet me interes për faktin që është kjo legjislaturë që do të bëjë të mundur mbështetjen e programit të ri qeverisës bazuar kryesisht edhe mbi premtimet elektorale që u dëgjuan gjatë fushatës. Kështu që është një legjislaturë që është e rëndësishtme për faktin që në dhjetor Shqipëria ka një periudhë shumë të shkurtër për të dëshmuar para Komisionit Europian për të marrë statusin e vendit kandidat dhe pse jo nëse ecet me ritme të shpejta për të afruar hapjen e negociatave për stabilizim-asocimin me Bashkimin Europian.

Çfarë qëndrimi pritet të mbajë opozita duke qënë se ka 8 vjet që është çmësuar se qëni në këtë rol?

Në të shkuarën ka patur një periudhë kur opozita sillej si qeveri dhe qeveria sillej si opozitë, por është një kohë ambjentimi dhe ndoshta do të zgjidhet brenda javës së parë. Dhe opozita në deklarimet e para të kryetarit të ri të Partisë Demokratike ka thënë që do të jetë një opozitë konstruktive e jo opozitë e konflikteve dhe e përplasjeve, jo opozitë që do të mbajë peng interesat e mëdha të vendit për interesa të ngushta partiake që për fat të keq edhe ka ndodhur në historinë tonë të afërt dhe të largët. Megjithëse opozita nuk është e fortë në numra, por mund të jetë e fortë në ide dhe ekspertizë për shkak edhe të kualiteteve dhe përvojës që mbledh. Historikisht në Shqipëri është treguar që më shumë se sa numrat një opozitë e bëjnë aksioni opozitar, idetë, e bëjnë projektet që shpall. Në këtë mënyrë ato e bëjnë atë alternativë të qeverisjes. Një opozitë e fortë është e shëndetshme për qeverisjen e vendit.

Duke marrë shkas nga kjo përgjigje, si Basha ashtu edhe Rama thonë se qëndrimi i tyre do të jetë jobllokues për njëri-tjetrin, mendoni se do të jenë vërtetë kështu?

Ne vlerësojmë mbi bazën e asaj çfarë thonë. Dhe mbi këtë bazë të asaj që shprehin ka vend për optimizëm. Mbi bazëne asaj se çfarë do të bëjnë do të jetë pastaj hapi i mëtejshëm. Por nuk ka arsye të qënësishme për të besuar që do të shkojnë në bllokim ekstrem të njëri-tjetrit për shkak se mbi të gjitha janë interesat e vendit dhe interesat e qytetarëve. Edhe votuesi shqiptar nuk i pëlqen qëndrimet bllokuese, nuk e pëlqen konfliktin.

Si mendoni ju se do të konkretizohet plani 4 vjeçar i pozitës duke qenë se arka e shtetit është bosh, dhe pushtetarët e rinj deklarojnë se qeveria e larguar ka lënë pas "tokë të djegur"?

Shqipëria i ka rezistuar deri tani krizës ekonomike botërore, por sigurisht që ka probleme të borxhit të brendshëm dhe probleme fiskale. Ato janë prioritet e qeverisë së re në kuptimin që të duhen para, të duhen fonde për të realizuar programin, por nëse do të kishim para të mjaftueshme nuk do të kishim nevojë për shumë ide. Por disa gjëra mund të bëhen edhe thjesht pa fonde. P.sh. administrimi i territorit që është kthyer në një problem të madh nëpër Shqipëri, nuk është se kërkon fonde të mëdha. Ndërtimi i institucioneve apo forcimi i tyre nuk kërkon fonde të mëdha. Lufta ndaj korrupsionit nuk kërkon fonde të mëdha, por kërkon transparencë dhe vullnet politik. Kështu që nëse do të ketë një çlirim energjish në kuptimin e forcimit të institucioneve, administrimit të territorit, rritjes së transparencës atëherë do të ishte një gjë shumë e mirë. Ndërsa për projektet e tjera çështja nuk është më tepër debati që do të krijonte rritja e taksave për të mbledhur më shumë fonde, por është më tepër tek formalizimi i ekonomisë. D.m.th. nëse shumë e shumë njerëz do të paguanin taksat, faturat e energjisë, detyrimet që kanë, nuk do të ishin problem fondet. Dhe për mua prioritet ndoshta është më mirë të jetë formalizimi i ekonomisë që të gjithë të paguajnë detyrimet që u takojnë.

A ka premtime që sipas jush pozita e re nuk mund t'i mbajë dot?

Unë besoj se disa premtime do të mbeten në letër, pasi do të jenë teknikisht të parealizueshme si p.sh. shëndetësia falas, apo legalizimet falas. Në takimin që u zhvillua para pak javësh me nismëm e Partisë Socialiste, ku mendimi i ekspertëve ishte i qartë që nuk mund të kesh shumë gjëra falsa. Ti duhet të kesh një taksë që ta përdorësh për urbanizim të zonës që legalizon. Kështu që sigurisht që do të ketë premtime që do të mbeten në letër. Do të ketë edhe premtime që nuk realizohen dot me shpejtësi,d.m.th. kërkojnë kohën e vet. Por ajo me të cilën do të matet qeveria e re në 100 ditët apo në muajt e parë është fryma që do të përcjellë edhe çfarë do të bëjë me një problem që është shndërruar në gangrenë siç është administrimi i terrirorit apo lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

A do të funksionojë sipas jush koalicioni PS-LSI?

Është hera e parë që Shqipëria ka që pas vitit 1992 një qeveri vetëm me dy parti, është Partia Socialiste në rangun ekzekutiv të nivelit të parë të ministrave dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Në mos një martesë me dashuri është një lidhje për interesa të fuqishme që i lidhin këto dy parti. Ndërsa projektet që dy liderat kanë për 4 vjeçarin e ardhshëm tregojnë që ka një interes për të qenë të lidhur. Tjetra është që nëse gjatë qeverisjes me Partinë Demokratike partia Lëvizja Socialiste për Integrim ato ministri që mori i konsideronte parcela të vetat, ku mbillte dhe korrte sipas planit të saj, tashmë kjo gjë nuk duket se ekziston më. Dhe ndoshta sjellja ndryshe e LSI-së do të bëjë që ky koalicion të jetë më afatgjatë. Ndërsa po të jetë sjellje e njëjtë ndoshta do të krijonte përplasje të pashmangshme.

A është 21 janari i 2011-tës një eufemizëm tashmë ose më mirë një ngjarje e destinuar të varroset përfundimisht?

Është një ngjarje që do të mbetet gjithmonë në dy plane, atë ligjor ku nënkuptohet hetimi i plotë, i qartë, i pastër, vënien para përgjegjësisë të fajtorëve, dhe së dyti në planin politik që nuk mund të harrojë dot kurrë.

Po në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE çfarë mendoni se do të bëjë pozita e re?

Nuk duhet të humbasë kohë. Deri tani Shqipëria ka humbur shumë kohë vetë. Shqipëria nuk është në pozitë më të keqe se Maqedonia apo Mali i Zi që të jetë në këtë status siç është. Koha po tregon se një vit vonesë mund të të kthehet edhe në dhjetë vjetë disavantazh, pasi lëvizin interesat, ka ngjarje të tjera më të mëdha, dalin prioritete të tjera. Kështu që Shqipëria ka humbur shumë kohë megjithëse duke pasur sukses, duke e mbajtur veten në këmbë, nëse mund të shprehem kështu. E vetmja gjë është që nuk duhet humbur kohë dhe të mos humbasësh kohë do të thotë se duhen vazhduar reformat pa bllokuar njëri-tjetrin. Sepse duke bllokuar njëri-tjetrin, bllokojmë vetveten.