1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një mrekulli

Dukej thuajse e papërfytyrueshme, që midis Gjermanisë dhe Izraelit të kishte pas Holokaustit ende marrëdhënie "normale". Por megjithatë ka normalitet në anormalitet, mendon Alexander Kudascheff.

50 vjet më parë, Izraeli dhe Republika Federale Gjermane vendosën marrëdhënie diplomatike. Pa kaluar 20 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Pa kaluar 20 vjet pasi aleatët patën mundur "Rajhun e Tretë" dhe Adolf Hitlerin. Pa kaluar 20 vjet nga Holokausti, viktimë e të cilit ranë gjashtë milionë hebrenj evropianë. Një masakër industriale në kampet e përqendrimit - të deportuar, të seleksionuar, të mbytur me gaz, të vrarë me goditje. Një thyerje monstruouze civilizimi.

Dhe megjithëse në fillim të viteve 1950 u nënshkrua e ashtuquajtura "Marrëveshje kompensimi" midis Gjermanisë dhe Izraelit, dhjetë vjet më vonë ishte vështirë e përfytyrueshme që gjermanët dhe hebrenjtë, gjermanët dhe izraelitët të përpiqeshin dhe të donin të përpiqeshin, megjithë këto krime monstruoze të vendosnin marrëdhënie diplomatike dhe të kujdeseshin për to. Në Izrael përkundrazi pati protesta masive - të kuptueshme nga ana njerëzore dhe politike, shumë të kuptueshme.

Afëri dhe besim megjithë Holokaustin

Sot, 50 vjet më vonë, të duhet të flasësh për një mrekulli politike. 50 vjet më vonë, Gjermania dhe Izraeli janë pranë, shumë pranë. Izraelitë të rinj vijnë me mijëra në Gjermani, vizitojnë Berlinin, kalojnë pushimet ose vendosen për të punuar e jetuar në Gjermani. 200.000 izraelitë kanë një pasaportë të dytë - gjermane. Gjermania - vendi i Holokaustit - krahas SHBA me siguri që është vendi i dytë që vlerësohet në Izrael. Gjermanët nga ana tjetër - që punuan në vitet 1960 dhe 1970 për një periudhë kohe në Kibbuz - udhëtojnë si turistë në Vendin e Shenjtë. Por ajo që është më e rëndësishmja: qeveritë në Berlin dhe në Tel Aviv kanë besim te njëra-tjetra dhe bashkëpunojnë ngushtë.

Kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff

Kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff

Gjermania është vendi, ku Izraeli mund të mbështetet më shumë. Edhe nëse ka debat dhe mosmarrëveshje për politikën izraelite të kolonive, edhe nëse ka fërkime kur kryeministri izraelit, Beniamin Netanjahu shprehet në fushatën elektorale kundër një shteti palestinez: siguria e Izraelit bën pjesë në interesin shtetëror të Gjermanisë, siç shpalli kancelarja Merkel në vitin 2008 në Izrael - pa kundërshtime të mëdha në Gjermani. Shpesh në BE gjermanët janë të vetmit, që e mbështesin Izraelin. E hidhur për një vend, i cili e sheh veten të rrethuar nga armiq. Por edhe e pazakontë: Gjermania, e cila është përgjegjëse për shoan, për përndjekjen dhe masakrimin e hebrenjve në kohën e nacionalsocialistëve, sot është edhe aleatja më e ngushtë e Izraelit. Një zhvillim, të cilin 50 vjet më parë askush nuk e quajti të mundur.

Normalitet në anormalitet

Ka një normalitet të pabesueshëm në raportin midis të dyja shteteve. Por është një normalitet në anormalitet. Sepse trauma historike rëndon edhe më tej në të dyja vendet. Asgjësimi i një numri të madh të hebrenjve të Evropës nga "Rajhu i Tretë" bën pjesë në qerthullin e marrëdhënieve, në identitetin dhe në perceptimin reciprok të të dyja vendeve. Përcakton mentalitetin e të dyja popujve. Dhe pastaj, në të përditshmen shoqërore dhe politike ka edhe gjëra që të habisin: izraelitët i vlerësojnë gjermanët, por gjermanët i vlerësojnë shumë më pak izraelitët - para së gjithash për shkak të konfliktit në Lindjen e Afërme. Aty ka çuditërisht shumë që simpatizojnë palestinezët, të cilët i shohin si viktima të izraelitëve. Dhe atëherë raporti midis të dyja vendeve bëhet shpejt delikat.

Por megjithatë: në një kohë që hebrenjtë për shembull largohen nga Franca, sepse nuk ndihen më të sigurtë atje, nuk ka valë migrimi të hebrenjve nga Gjermania në Izrael - më tepër kemi një migrim të hebrenjve për në Gjermani. Komunitetet janë dyfishuar në 20 vitet e shkuara. Kjo është mrekullia e dytë. Hebrenjtë duan të jetojnë sërish në Gjermani. Për fat të keq - dhe ky është realiteti edhe në Gjermani, me siguri në të gjithë Evropën - kopshtet e fëmijëve të tyre dhe sinagogat duhet të mbrohen nga policia, varrezat hebreje herë pas here dhunohen. Ky është surrati i shëmtuar i urrejtjes ende ekzistuese ndaj hebrenjve. Por marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Izraelit, midis gjermanëve dhe izraelitëve janë - 70 vjet pas vrasjes së shumëfishtë të hebrenjve - mrekullisht të mira. Për këtë mund të jesh mirënjohës.