1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një moment historik - 9 tetori 1989

9 tetori ishte moment i parë historik në historinë e lirisë gjermane të vitit 1989 mendon Alexander Kudascheff në restrospektivë.

9 tetori 1989 është një ditë e historisë gjermane dhe evropiane të lirisë. 70.000 vetë u mblodhën atë të hënë në Leipzig për të demonstruar kundër SED, ish-partia shtet në RDGJ, shtetit të dytë gjerman. Ata lëshuan parrulla kundër sunduesve komunistë: "Ne jemi populli". Një demonstratë masive nga poshtë kundër "atyre lart", anëtarëve të Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror, që nuk dinin më se çfarë donin njerëzit: liri. Liria në jetë, liri në shoqëri, por edhe lirinë për të udhëtuar dhe më e rëndësishmja për të dalë jashtë vendit. Dhe ndërsa një grup që po bëhej gjithmonë e më i fortë demonstronte në rrugë kundër shtetit, jo vetëm çdo të hënë në Leipzig, por edhe në Halle apo në Eisenhüttenstadt, dhjetëra-mijëra të frustruar nga skleroza e shtetit dhe sistemit të RDGJ po largoheshin nga vendi kryesisht ilegalisht. Njerëzisht ishin ngritur në lëmbë, për të demonstruar në RDGJ apo për t'u larguar nga RDGJ-ja.

9 tetori ishte moment i parë historik në historinë e lirisë gjermane të vitit 1989. Kjo ishte dita kur 70.000 qytetarë patën kurajon për t'u shprehur hapur kundër RDGJ-së. Kjo ishte dita e parë e kryengritjes paqësore në katër javët në vijim deri më 9 nëntor 1989, kur ra muri i Berlinit - katër javë, që shkruan histori gjermane dhe evropiane. Ishte dita në të cilën gjermanët - të cilët sipas një loje fjalësh të Leninit blejnë biletë, kur duan që gjatë një revolucioni të sulmojnë një stacion treni - u renditën e madje edhe u paraprinë pjesërisht kryengritjeve të popujve të Evropës Qendrore dhe Lindore kundër komunizmit, kundër diktaturave të partive përkatëse, kundër pretendimit të Moskës për supremaci.

Alexander Kudascheff

Alexander Kudascheff

Ajo që nisi në Poloni me sindikatën e pavarur të Solidarnosc-it në fillim të viteve 1980, e cila u shoqërua shpirtërisht nga Papa polak Gjon Pali II, u ndez në ato katër javë - në Gjermaninë Lindore si dhe tek polakët, çekët, sllovakët apo hungarezët. Populli u ngrit në këmbë dhe diktatura komuniste u shemb plotësisht.

Disa javë para 9 tetorit RDGJ-ja kishte festuar 40 vjetorin e saj me parada ushtarake dhe me madhështi. Por partia dhe udhëheqja shtetërore nuk i kishte marrë parasysh shenjat e kohës dhe dëshirën për ndryshime. Tani ata u sfiduan në mënyrë paqësore dhe pastaj u hoqën nga pushteti. Më 9 tetor gjermanolindorë filluan të shkruajnë histori. Katër javë paqësore filluan - me demonstrata dhe mitingje të reja, pas tyre ndarja gjermane dhe evropiane mori fund. 9 tetori është preludi i historisë gjermane të lirisë, një moment historik në rrugën drejt në 9 nëntorit. Një ditë në të cilën gjermanolindorët, banorët e Lajpcigut mund të jenë krenarë. Ishte dita kur njerëzit humbën frikën prej diktaturës.