1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një mandat i dytë i Obamës, jetik për Turqinë

Qeveria turke, nën drejtimin e kryeministrit Recep Tayiip Erdogan, ka qenë një ndër aleatët kyç të administratës Obama gjatë katër viteve të fundit. Obama është ende kandidati i preferuar i elitës politike në Turqi.

"Qeveria turke po ndjek një politikë gjithnjë e më kategorike për të rrëzuar Assadin dhe po bën përpjekje për ndalimin e zonave të fluturimit ose krijimin e zonave mbrojtëse brenda Sirisë," tha Serkan Demirtas, redaktor i politikës së jashtme në Hurriyet Daily News. "Por administrata e Obamës nuk është e gatshme për të parë përshkallëzim të situatës së tensionuar përgjatë këtyre ditëve, çka padyshim do të kërkonte ndërhyrjen ushtarake të forcave amerikane. Ky është skenari i fundit i dëshirueshëm sirian për administratën e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit," tha ai.

Mosmarrëveshjet mes Erdogan dhe Obamës rreth Sirisë u bënë akoma të dukshme pasi Erdogan kritikoi hapur Obamën për "mungesë iniciative në Siri", gjatë një interviste për CNN muajin e kaluar.

Miqësi e veçantë, por jo e lehtë

Flaggen der USA und der Türkei // NO-FLASH

Erdogan dhe Obama i janë gëzuar një marrëdhënieje të veçantë që nga viti 2009, ku Turqia ishte një ndër ndalesat e para të përtejdetit nga ana e presidentit amerikan, duke nënvizuar në këtë mënyrë rëndësinë e këtij aleati për administratën e tij.

Dy qeveritë mbajtën lidhje shumë të ngushta përsa u përket çështjeve kyçe të politikës së jashtme. Vitin e shkuar, Erdogan dhe Obama u takuan shpeshherë dhe patën 13 biseda telefonike në të cilat koordinuan politikat rreth Pranverës Arabe, Lindjes së Mesme dhe Iranit.

Gjithsesi, në fillim të këtij viti marrëdhëniet mes Erdogan dhe Obama u përballën me një sërë vështirësish. Mungesa e dukshme e komunikimit mes tyre u interpretua nga media turke si një hendek mes dy udhëheqësve.

Ankaraja po përpiqet të minimizojë rëndësinë e "ftohjes" mes Erdoganit dhe Obamës, dhe zyrtarët turq theksojnë se ngurrimi i Uashingtonit për të ndërmarrë një rol më vendimtar në Lindjen e Mesme ka ardhur kryesisht për shkak të gjykimit të brendshëm politik të Obamës përpara zgjedhjeve.

"Në Ankara askush nuk dyshon se në rast rizgjedhjeje, Obama do të ketë një bashkëpunim më të ngushtë me Turqinë rreth çështjes siriane," thotë redaktori i politikës së jashthme Demirtas. "Qeveria turke do të donte të shihte një rizgjedhje të Obamës për një mandat të dytë."

Popullariteti i lartë i Obamës në Turqi

Recep Tayyip Erdogan dhe Barack Obama

Recep Tayyip Erdogan dhe Barack Obama

Nuk është vetëm elita politike e vendit, por edhe popullsia turke ajo që do të dëshironte t´a shihte Obamën që të qëndrojë në detyrë. Sipas një sondazhi më të fundit, shumica e turqve duan që Obama të fitojë zgjedhjet presidenciale të muajit të ardhshëm. 94% e tyre thanë se do të votonin për Obamën, sipas një sondazhi të kryer nga Barem, kompani kërkimore marketingu.

Për shumë analistë, kjo mbështetje e madhe nuk është një surprizë, pasi Obama shihet si një udhëheqës i cili është përballur me politikat e diskutueshme të ish-presidentit amerikan Xhorxh W.Bush, veçanërisht gjatë luftës në Irak. Në vitin 2004, 82% e turqve thanë se ishin kundër rizgjedhjes së Bush, duke shprehur frikë se kjo mund të kishte një impakt negativ për paqen dhe sigurinë.

"Marrëdhëniet SHBA-Turqi ishin të traumatizuara gjatë epokës Bush," i tha DW Cagri Erhan, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në univeristetin e Ankarasë. "Në katër vitet e fundit, gjatë administratës së Obamës, SHBA-të dhe Turqia e kaluan këtë traumë, duke mbajtur marrëdhënie shumë të ngushta dhe duke zgjeruar lidhjet mes tyre," tha ai. Sipas Erhan, një fitore e kandidatit republikan Mitt Romney do t´a vështirësonte këtë marrëdhënie pozitive SHBA-Turqi.

Romney rrit frikën mes turqve

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Mbështetja e fuqishme e Mitt Romney-t për Izraelin dhe politikat e tij agresive kundrejt Iranit kanë rritur frikën mes elitës politike turke. "Ka ndryshime të mëdha mes politikës turke përkundrejt Lindjes së Mesme dhe vizionit të politikës së jashtme të Romney-t," thotë Erhan. Që nga incidenti i Mavi Marmara ( sulmi izraelit në flotën e rripit të Gazës, udhëhequr nga trageti turk Mava Marmara), marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin u përkeqësuan dhe që atëherë nuk pati përmirësime. Nëse Romney do t´i fitonte zgjedhjet, mbështetja e tij pa ekuivoke ndaj Izraelit do të krijonte një tendosje në marrëdhëniet SHBA-Turqi," thotë ai.

Sipas redaktorit të gazetës së Ankarasë Serkan Demirtas, kriza me Sirinë dhe shqetësimi rreth ambicieve bërthamore të Iranit, do të jenë në fokus të marrëdhënieve SHBA-Turqi pas zgjedhjeve të nëntorit.

Ndërsa Ankaraja pret një administratë të re për të treguar angazhimin e fortë në Siri, qeveria turke është krejtësisht kundër një sulmi ushtarak në zonat bërthamore të Iranit.

"Turqia i trembet një përballjeje të mundshme ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, për të cilën mendon se do të shkaktonte dëme të pariparueshme në rajon," thotë Demirtas. "Deri tani, mesazhet e dhëna nga Romney dhe këshilltarët e tij nuk i kanë lehtësuar shqetësimet e Ankarasë, përkundrazi, kanë ngjallur më tepër frikë," shton ai. "Nga një këndvështrim rajonal, qarqet qeveritare turke besojnë se një mandat i dytë i Obamës do të ishte domethënës dhe jetik."