1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një lajtmotiv i ri për Evropën

Kriza ekonomike ka shkatërruar jo pak edhe në aspektin politik. Nga ideja evropiane ka mbetur shumë pak. Tani kërkohet ndihma e kulturës për të ndryshuar këtë, të paktën kështu shpresojnë Merkel dhe Barroso.

Viti 2008 do të mbetet në kujtesë përgjithnjë si një vit i zi. Me krizën financiare, një zhvillim i cili kishte vënë theksin para së gjithash në arritjen e maksimumit të fitimit dhe vetërregullimit të tregjeve, shpërtheu duke marrë gjithçka me vete. Mijëra njerëz humbën punën në krizën ekonomike. Para së gjitha në vendet në jug të Evropës shumë njerëz vuajnë nën pasojat e krizës.

Politika reagoi ndaj infarktit ekonomik duke u kthyer në një kontabiliste. Më shumë mbikqyrje, më shumë rregullim, më shumë rregulla. Pasojat janë shkatërrimtare. Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq i vogël numri i qytetarëve të BE-së që ndihen si evropianë. Një nacionalizëm i ri është përhapur, i ushqyer nga paragjykime populiste të cilat konsideroheshin të kapërcyera prej kohësh dhe nga ndjenja se gjithçka do të shkonte më mirë, nëse izolohesh tek vetja.

Politikanët kërkojnë ndihmë

Politika është e alarmuar, por në të njëjtën kohë duket sikur nuk di ç'të bëjë. Si mund të arrihet përsëri më shumë bazë e përbashkët? Për të gjetur përgjigje për këtë pyetje, Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso së bashku me Parlamentin e BE-së para një gjysëm viti themeluan inisiativën "Një lajtmotiv i ri për Evropën"("New Narrative for Europe").

José Manuel Barroso Angela Merkel Leitmotiv Europa Berlin

José Manuel Barroso dhe Angela Merkel

U ngrit një komision kulture ku marrin pjesë 20 krijues të njohur të artit dhe kulturës, intelektualë dhe studiues, të cilët duhet të hartojnë një vizion për të ardhmen e Evropës. Në Berlin të shtunën (01.03.2014) u paraqit deklarata përmbyllëse e këtij komisioni në prani të Presidentit të Komisionit të BE-së Barroso dhe Kancelares gjermane Angela Merkel.

Në deklaratë kërkohet jo më pak se një ndryshim i paradigmave nga shoqëria, "një lloj rilindje e re me dimensionet e zgjimit shpirtëror të shekullit të 15-të dhe 16-të." Ashtu si atëherë edhe tani duhet të ndodhë një ndryshim i thellë në shoqëri, art dhe shkencë.

Mesazhi i Komisionit të Kulturës për politikën është i qartë. Ajo duhet të ndryshojë plotësisht mënyrën e të menduarit: "Rregullat ekonomike dhe financiare janë padyshim të rëndësishme, megjithatë pikërëndesat në fizikun e Evropës duhet të rregullohen nga e para." Politika duhet të mësojë nga arti, të guxojë mënyra të menduari të reja dhe radikale. Kërkohen "politikanë të guximshëm, krijues dhe të informuar, të cilët flasin dhe kuptojnë gjuhën e formës së re politike të Evropës.“

Puna fillon tani

Por çfarë do të thotë kjo konkretisht dhe si mund të vihen në zbatim rekomandimet? Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso thekson se deklarata nuk është fundi i punës, po shënon një fillim. E rëndësishmë është që tani të bëhen për vete sa më shumë njerëz për të mbushur me jetë vizionin e ri të Evropës. Para së gjithash duhet entuziasmuar për këtë vizion brezi i ri, i cili identifikohet më pak me atë që deri tani përbën Evropën. "Ashtu si në rastin e një libri, nuk mund të mbetesh gjithnjë tek faqet e para sado të bukura të jenë ato."

Kancelarja Angela Merkel tërheq vëmendje se në kërkimin e një lajtmotivi të ri për Evropën nuk duhet të lihen në harresë tre motivet e origjinës, pra premtimi për paqe, liri dhe mirëqënie.

"Ka shumë që thonë se misioni i paqes tashmë është përmbushur por nëse shohim me kujdes, lufta e fundit në Ballkanin Perëndimor është më pak se një gjeneratë e vjetër dhe pra kemi ende punë për të siguruar atje paqe afatgjatë." Ashtu si dhe më parë është e rëndësishme t'iu kundërvihemi vazhdimisht me këmbëngulje tendencave ekstremiste, që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor, të cilat për fat të keq ndeshen ende në Evropë. "Urrejtja, dhuna, terrorizmi, sjellja kundër pakicave, të gjitha këto janë edhe në Gjermani e jo vetëm këtu ashtu si dhe më parë pjesë e realitetit."

A është bërë liria shumë e vetëkuptueshme?

Kancelarja Merkel ka lindur dhe është rritur në ish RDGJ. Si shkencëtare e re ajo ka jetuar në Berlin dhe e ka pasur çdo ditë para syve murin ndarës. Merkel tregon se asokohe kishte shpresuar gjithnjë por nuk kishte besuar kurrë se diçka do të ndryshonte në lirinë e RDGJ-së dhe se do të mund të shtëtiste ndonjëherë përmes portës së Brandenburgut.

Angela Merkel

Angela Merkel

Sot për brezin e ri është diçka e vetëkuptueshme të studiojnë në universitete të tjera në Evropë: "Mendoj se kjo është diçka e mrekullueshme, që brezi im nuk e kishte." Por për Kancelaren pikërisht këtu gjendet edhe një shkak për pakënaqësinë që po përhapet në Evropë. "Rreziku qendron në faktin që është bërë shumë e vetëkuptueshme të jetosh Evropën sa harrohet që mund të ishte edhe ndryshe", tha Merkel. Ndoshta nuk do të ishte keq që herë pas herë "të shfuqizohej përkohësisht Shengeni dhe njerëzit të ishin të detyruar të tregonin kudo pasaportat".

Çfarë mund të bëjë çdo qytetar evropian?

Edhe Angela Merkel e ka të qartë se Evropa mund t'i bëjë për vete qytetarët e saj vetëm nëse ofron avantazhe të qarta përtej lirisë së lëvizjes. Rritja ekonomike dhe mirëqënia janë po aq të rëndësishme.

Kancelarja por dhe Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso shpresojnë që me deklaratën për lajtmotivin e ri për Evropën të kenë iniciuar një zhvillim i cili të shtyjë gjithnjë e më shumë njerëz që të merren me mendimin evropian dhe ta mbushin atë me jetë. Natyrisht edhe politikanët kanë përgjegjësinë e tyre, ata duhet të kenë unitet dhe të mbrojnë vendimet e tyre, u shpreh Barroso. Për përtej kësaj përgjegjësi mban edhe çdo qytetar evropian: "Mos pyet çfarë mund të bëjë Evropa për ty, por çfarë mund të bësh ti për Evropën."