1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një konservatore sulmon "Ndrikullën" Merkel

Larje e fortë hesapesh me stilin qeveritar të Angela Merkelit: Në librin "Ndrikulla", një publiciste me librezë partiake të CDU-së e përshkruan kancelaren si një kërcënim për demokracinë.

"Ndrikulla" është një libër që ndoshta nuk do ta lexojë kancelarja gjermane. Sidoqoftë thuhet se Angela Merkel sapo ka lexuar rreshtat e parë ka hedhur me zemërim mënjanë një fragment të publikuar tashmë në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Megjithatë, libri me 300 faqe "Anti-Merkel" i shkruar nga publicistja 71-vjeçare dhe ish bashkëpunëtorja besnike e Helmut Kohlit, Höhler Gertrud ka gjasa të mira që të bëhet një bestseller në skenën politike të Berlinit. Në prezantimin e parë të librit në të enjten (23.08.2012) morrën pjesë mbi 80 gazetarë dhe gjashtë ekipe televizive.

Në librin e Höhlers mund të gjinden më shumë se sa akuzat tashmë të njohura se Merkeli mënjanon nga rruga të gjithë konkurrentët meshkuj, kancelarja nuk ka përvetësuar vlera dhe ajo merr vendime vetëm atëherë kur e di se si do të duket rezultati përfundimtar.

Merkel, e cila në skenën politike të Berlinit ka kohë që ndryshe quhet edhe me pseudonimin "Nëna", në librin e Höhlers bëhet "Ndrikull" e cila "zhvillon një variant të heshtur të pushtetit autoritar, të panjohur për Gjermaninë deri tani". Vjedhje idesh nga konkurentët politikë, nivelim në rritje të sistemit partiak me sistemin gjithëpartiak, trajtim i pakujdesshëm i normave ligjore, standarde etike me parlamentin dhe kushtetutën - së fundi qortuar shpesh nga Gjykata Federale Kushtetuese - me pak fjalë, nga perspektiva e autores një rënie e moralit politik shkon në llogarinë e "Sistemit M".

"Kostum me masa gjermane" për Evropën

Kjo mund të ketë lidhje, sugjeron me nënndërgjegje autorja, me 35 vite sa Angela Merkel ka kaluar nën regjimin diktatorial në Gjermaninë Lindore. Sepse askush nuk e di saktësisht se çfarë e nxit Angela Merkelin, e cila ka mësuar në RDGJ, të lexojë midis rreshtave, të paraqitet shumë në heshtje, mos të flasë kurrë shumë dhe të jetë mosbesuese, sqaroi autorja gjatë prezantimit të librit.

"Si e rimodelon Angela Merkel Gjermaninë", quhet nëntitulli i librit "Ndrikulla". Por shqetësime nga etja e Merkelit për pushtet sipas pikëpamjeve të Höhler duhet të kenë edhe evropianët e tjerë pasi që kancelarja është duke i ofruar Evropës "një kostum të prerë sipas masës gjermane".

Faktet që ka përmbledhur autorja për humbjen e demokracisë që po përvidhet në Gjermani dhe në Evropë nuk janë të reja. Në shikim të parë i ri është vetëm roli në dukje i ekzagjeruar që i atribuohet Merkel-it në këtë proces. Kjo tregon se sa disa konservatorë në Unionin Kristian Demokratik (CDU) e ndjejnë veten të sfiduar dhe të shtyrë në qoshe nga pretendimet e Merkel-it për pushtet, thotë Höhler.

Autorja e librit - ish këshilltare e Helmut Kohl-it

Ndryshimi i papritur në politikën bërthamore, të cilin Merkel praktikisht arriti ta realizojë në mënyrë abritrare brenda natës, heqja e shërbimit të detyruar ushtarak, hedhja poshtë e planeve për zvogëlimin e taksave dhe heqja dorë gjithnjë e më shumë nga imazhi i familjes tradicionale ( kohët e fundit në CDU po diskutohet mbi mundësinë për barazinë tatimore për martesat homoseksuale), të gjitha këto kanë shkaktuar pasiguri në parti, nga udhëheqja deri në bazë.

Autorja e librit "Ndrikulla", Gertrud Höhler vetë ka një kohë të gjatë që ka librezën e partisë CDU dhe ka shërbyer ndër të tjera edhe si këshilltare e ish kancelarit gjerman Helmut Kohl.