Një herë e një kohë grekët u dhanë dorën gjermanëve... | Ballkani | DW | 25.09.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Një herë e një kohë grekët u dhanë dorën gjermanëve...

Dy të tretat e gjermanëve nuk duan që Gjermania t'i japë ndihma të tjera financiare Greqisë. Por, shumë gjermanë kanë harruar ose nuk e dinë që pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania iu lut Greqisë për ndihmë financiare.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Rezultati i një sondazhi të bërë nga agjencia e lajmeve, dpa është i qartë: Dy të tretat e gjermanëve nuk duan që Gjermania t'i japë ndihma të tjera financiare Greqisë. Shumë gjermanë ndoshta e kanë harruar ose nuk e dinë që pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania iu lut Greqisë për ndihmë financiare.

Si u shtruan me ndihmën greke themelet e mrekullisë ekonomike gjermane?  

Londër, 1953: Gjermania zhvillon bisedime me 22 shtete. Delegacioni gjerman i kërkon partnerëve lehtësime borxhesh. Detyrimet e mëdha të planit Marshall si dhe dëmshpërblimet e luftës, të cilat duhen paguar edhe për Luftën e Parë Botërore, ushtrojnë presion të madh. Lutja e gjermanëve dëgjohet. 22 shtetet, mes të cilave edhe Greqia e lehtësojnë Gjermaninë me gjysmat e borxheve. Për Republikën Federale Gjermane, të sapoformuar, kjo ishte një ndihmë shumë e madhe, thotë Jürgen Kaiser, nga Shoqata e përvjetorit të nismës së borxheve.

Marrëveshja e Londrës 1953

Marrëveshja e Londrës 1953

Mrekullia nuk do të kishte ndodhur ose do ishte shtyrë në kohë

"Gjermania pati pas kësaj një kuotë të borxheve, që ishte shumë më e ulët nga ajo që duhet të paguajnë sot vendet në zhvillim, apo Greqia. Kështu, duhet thënë se lehtësimi i borxheve nuk ka qenë arsyeja e vetme e mrekullisë ekonomike, por pa të mrekullia ekonomike nuk do të kishte ndodhur fare, ose do të kishte ndodhur më vonë." Ekonomia gjermane u rrit shumë shpejt pas vitit 1953. Dhjetë vjet më vonë ajo dyfishoi prodhimin e brendshëm bruto. Gjermania nuk ka qenë asnjëherë me rritje kaq të madhe ekonomike, sa në dekadën pas Marrëveshjes londineze të borxheve.

Shoqata e përvjetorit të nismës së borxheve, një koalicion i disa grupeve kristiane dhe të politikave të zhvillimit kërkon për Greqinë fillimin e procedurave të falimentimit. Marrëveshja e Londrës e vitit 1953, mund të jetë shembull për trajtimin e shteteve me borxhe.

Rindërtimi. Këtu pamje nga punimet në Frankfurt

Rindërtimi. Këtu pamje nga punimet në Frankfurt

Çfarë është në favor të Greqisë

"Njësoj si në krizën e borxheve të viteve 80-të dhe 90-të, për shumë vende të botës së tretë do të kishte qenë më mirë një skemë e tillë se sa mekanizmat shumë të ngadaltë, shpesh joeficientë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ashtu siç do të ishte mirë sot që edhe Greqia të ndiqte një shembull të tillë. Ngarkesa e borxheve greke në relacion me fuqinë ekonomike të Greqisë është më e madhe se në vendet me borxhe të botës së tretë." Borxhet e qeverisë greke përbëjnë 150 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit.

Jürgen Kaiser

Jürgen Kaiser

Për krahasim: Para marrëveshjes së Londrës, Gjermania kishte kuotë borxhesh prej 21 përqind, pra më pak se një e shtata e borxheve të Greqisë. Pas zbatimit të marrëveshjes së borxheve, në vitin 1958 Gjermania mundi të ulte kuotën e borxheve në 6 përqind. Për të dalë nga kriza Greqia duhet të lirohet nga borxhet, mendonJürgen Kaiser: "Nuk ka kuptim që të vazhdosh të financosh krizën. Çështja vendimtare është çfarë vjen pas? Ashtu si Gjermania, edhe Greqia duhet të marrë një ristrukturim të rregullt të borxheve. Pra atë që quhet proces i falimentimit."

Autor: Johannes Beck/Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi