1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një hap i rëndësishëm për Angela Merkelin - Hap i vogël për G-20

Kancelarja Merkel i hodhi poshtë kritikat ndaj kursit të saj për mbrojtjen e euros. BE u prezantua e vendosur në Los Kabos. Shpëtimi i euros dhe stabilizimi i ekonomisë botërore bëhet diku tjetër.

Angela Merkel mund të thotë se e mbylli e kënaqur takimin e nivelit të lartë të G-20. Si shkëmb i paepur i qëndroi ajo kritikave që erdhën nga SHBA-ja dhe nga vendet në ekspansion ekonomik gjatë samitit në Los Kabos të Meksikës. Ajo i qëndroi besnike linjës së saj duke mos lejuar të bëheshin lëshimë të mëtejshme për Greqinë. Madje edhe nga Los Kabos në adresë të Greqisë u nis kërkesa që ajo t'i respektojë sa më shpejt të jetë e mundur detyrimet. Për zgjidhjen e krizës së euros nuk u arritën hapa të mëtejshëm, por Evropa u tregua megjithatë e vendosur. Rezultati i zgjedhjeve në Greqi dha kontributin e vet para fillimit të takimit.

E vetëkuptueshme apo sukses i vërtëtë?

Rezultatet e takimit të nivelit të lartë ekonomik të Los Kabos janë të dukshme. Vendet e euros janë të detyruara, që të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për stabilizimin e monedhës së përbashkët dhe për fitimin e besimit të tregjeve. Si përgjigje G-20 pranon se Evropa ka arritur sukseset e para në çështjen e krizës së euros. Kritiku më i madh jashtë evropian i kursit të kursimit që ndjek Angela Merkel, Presidenti Barack Obama, kërkon një identifikim të ri të evropianëve dhe tregon mirëkuptim për rrugën evropiane për daljen nga kriza. Grindjet i përkasin së kaluarës. Tani duhet të shkojmë të gjithë në një një llogore për ta forcuar rritjen ekonomike dhe për të ulur tensionet në tregjet botërore financiare. Ky është mesazhi i dhënë nga Los Kabos.

Nga G-20 nuk mund të pritej gjë tjetër. Grupi i 20 vendeve më të rëndësishme industriale të botës përfaqëson gati 80 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në botë, tre të katërtat e tregtisë botërore dhe rreth dy të tretat e popullsisë së botës. E matur për nga rëndësia grupi jozyrtar i shteteve është si një tigër prej letre. Grupi mblidhet në intervale të rregullta që pas falimentimit të bankës Lehman, kur ekonomia botërore ndodhej pak para shkatërrimit. Në fund të takimeve të G-20 jepen premtime dhe merren zotime nga secili vend, por të gjitha këto vendime nuk janë të detyrueshme.

Los Kabos nuk bëri asnjë përjashtim nga kjo rutinë. Për herë të dytë, pas takimit të Kanës nëntorin e kaluar, takimi i G-20 është takim i krizës së euros. Por zgjidhjet për krizën duhet të jepen në një skenë tjetër. Takimi i nivelit të lartë të BE-së, në fund të qershorit duhet të tregojë se e ka merituar besimin e G-20 dhe nuk duhet të bëjë më pak përpjekje nga ato që premtoi në Los Kabos.

Ruajtje me mençuri e roleve

Merkel, stoikja e ftohtë, Barroso, njeri emocional dhe gjaknxehtë dhe van Rompuy me elemente ekuilibrues midis dy ekstremeve, bënë që ndarja e roleve brenda BE-së, të funksiononte mirë në Los Kabos. Të paktën ata arritën ta pengonin kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy që të tërhiqte vëmendjen. Spanja do të kërkojë zyrtarisht në Bruksel ndihma për rikapitalizimin e bankave të rrënuara, para takimit në fund të qershorit. Nuk dihet nëse 100 milionat e premtuara do të mjaftojnë. E sigurt është se shpëtimi i Spanjës do të jetë prova tjetër e zjarrit për stabilitetin e zonës së euros. Nëse arrihet kjo atëherë në takimin tjetër të G-20 në Rusi në vitin 2013 temat kryesore mund të jenë ato çështje që ndonëse u futën në axhendë në Meksiko u përmendën vetëm në sfond në Los Kabos si p.sh. zhvillimi i ekologjisë dhe siguria në industrinë ushqimore. Lufta kundër urisë nuk mund të fitohet vetëm në bursat e botës.