1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një gjerman në geton e romëve në Bullgari

Prej gjashtë vjetësh gjermani Frank Abbas jeton një geto të romëve në Bullgari. Atje ai ndihmon njerëzit të shpëtojnë nga varfëria, për këtë ai ka lënë edhe punën në Gjermani.

Frank Abbas

Frank Abbas

Para gjashtë vjetësh speditori Frank Abbas erdhi me punë në Bullgari. Një mbrëmje ai po shëtiste pas qejfit nëpër rrugët e Varnës, qytetit të tretë më të madh të Bullgarisë, derisa ndaloi para një grupi artistësh rruge. Teksa po ndiqte veprimet e kllounëve, iu afrua një grup fëmijësh romë lypës, të cilët donin po ashtu t'i shihnin artistët e rrugës. Kur njëri prej kllounëve e ftoi njërin prej djemve të hipte me të në biçikletë, ky i fundit nuk u përmbajt. Me një anglishte me gabime ai iu lut gjermanit të kishte kujdes flautin dhe paratë e tij.

Një rom i bardhë

Frank Abbas u jep mësim fëmijëve romë

Frank Abbas u jep mësim fëmijëve romë

Vezullimi në sytë e fëmijës e preku shumë Abbas-in. Ai donte t'i ndihmonte disi Sashon dhe fëmijët e tjerë. Me kalimin e kohës midis Sashos dhe qytetarit nga Bremeni lindi një miqësi. „Jemi takuar shpesh në qytet“, rrëfen Abbas, mirëpo pastaj Sashoja nuk erdhi për kohë të gjatë. „Një ditë u shfaq, i dobët dhe i mbushur me ekzema.” Doli që djali kishte pasur një helmim prej ushqimeve. Frank Abbas e çoi Sashon te mjeku dhe e ndihmoi të shërohej. Pak më vonë ai njohu fisin rom të Sashos. „Më vonë u ftova atje në një mbledhje këshilli, gjatë së cilës unë u pranova në këshill si „rom i bardhë“ sepse i shpëtova jetën Sashos“, kujton qytetari nga Bremeni.

Klani e ndihmoi 39 vjeçarin nga Bremeni që të gjente një banesë mu në mes të getos. Në gjendje të mjerë dhe pa ujë të rrjedhshëm. Në fillim jeta atje ishte e vështirë, por nuk më trembi, thotë Abbas. „Edhe vetë jam rritur në një familje të varfër. Na është dashur ta ngrohim ujin mbi sobë për t'u larë.“ Mirëpo ndërkohë edhe tek ai ka mbërritur „progresi“ (në banesën e tij ka tani ujë të rrjedhshëm dhe një banjë, që funksionon.)

Rreze drite në errësirë

Getoja e romëve në Varna Vladislavovo

Getoja e romëve në Varna "Vladislavovo"

Abbasi pati punuar që në Gjermani me migrantë nga Bullgaria dhe nga Kosova. Në Varnë ai themeloi në 2006-n bashkësinë e besimit evangjelik „light in the darkness“, e cila i përkushtohet punës me fëmijët romë. Së bashku me një organizatë joqeveritare bullgare ai kujdeset që fëmijët romë të marrin arsimim, pasi ky thotë është çelësi drejt integrimit.: „Përpiqem t'u shpjegoj romëve se duhet ta marrin jetën vetë në dorë, se u duhet arsim.“ Në këtë mes gjuha bullgare është parakusht për një integrim të suksesshëm, vijon ai. „Vetëm në këtë mënyrë mund të gjejnë punë të mirë", thekson qytetari nga Bremeni.

Sivjet ai ia ka dalë të regjistrojë në shkollë 83 fëmijë. Mirëpo angazhimi i tij nuk mirëpritet aq, së paku jo nga romët e pasur të lagjes, të cilët i keqpërdorin fëmijët për punët e tyre kriminale, thotë Abbas dhe shton: „Të gjithë fëmijët duhet të mësojnë për të arritur që të dalin nga ky vend dhe të punojnë e të mos vjedhin ose të shesin trupin.“ Sepse në geto nuk ke zgjedhje të madhe, thotë. „Ne përpiqemi t'i shpëtojmë nga duart e kriminelëve dhe i dërgojmë në shkollë. Ne ndryshojmë mjedisin e tyre“, shpjegon Abbas. Për këtë ai është marrë me sy të keq nga romët e pasur, thotë. Është kërcënuar disa herë, mirëpo do të vazhdojë.

Të vendosësh ura komunikimi

Fëmijët romë me kujdestarin e tyre në ditën e parë të shkollës

Fëmijët romë me kujdestarin e tyre në ditën e parë të shkollës

Para së gjithash Abbas do të vendosë ura komunikimi midis bullgarëve dhe romëve. « Kur u vendosa këtu para gjashtë vjetësh, asnjëri nga romët nuk donte të shkonte në qendër të qytetit. Ata kishin frikë se mos rriheshin nga bullgarët.“ Të pinin një kafe te McDonalds-i, kjo ishte e papërfytyrueshme për ta, thotë. „Mirëpo sot, pasi njohim kaq shumë bullgarë (mësues, punonjë mbi bazë honorifike), të cilët duan t'i ndihmojnë e kanë parë që jo të gjithë bullgarët janë të këqinj“, thotë Abbas.

Romët si burim parash

Mirëpo shumë organizata shtetërore, organizata joqeveritare, ose kriminelë i shohin romët shpesh si burim parash, thotë Abbas. Këta mbledhin të dhënat e tyre personale për të përfituar ndihma sociale, të cilat nuk mbërrijnë kurrë te nevojtarët. Edhe shkollat nxjerrin fitime me romët, thotë Abbas. „Çdo shkollë në Bullgari merr nga autoritetet rreth 1.800 leva për nxënës buxhet në vit (afërsisht 900 euro). Kur fëmijët nuk janë të pranishëm, shkollat duhet t'i kthejnë paratë. Isha shumë i befasuar, kur me përfaqësues të organizatës sime joqeveritare m'u desh të regjistroja fëmijë romë në shkollë. Drejtori më tha „Përse t'i regjistroni rishtas? Ata janë me kohë të regjistruar“.“

Korrupsion, thotë si, ka hasur edhe gjetiu. Kjo i zhbën përpjekjet për integrim të romëve, thotë Abbas. Mirëpo ai nuk do të dorëzohet. Abbas është i bindur: „Në rast se bullgarët i ndihmojnë romët, atëherë problemi me getot mund të zgjidhet.”

Autor: Nikolja Tsekov/E Ajazaj

Redaktoi: A Verbica