1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një evropian polak - Donald Tusk merr Karlspreis

Kryeminstri polak Donald Tusk nderohet me çmimin ndërkombëtar Karlspreis të qytetit Ahenit. Me këtë çmim nderohen personalitete për merita për mirëkuptimin evropian.

Kryeministri polak Tusk me Çmimin Karl

Kryeministri polak Tusk me Çmimin Karl

"Brukseli është stacioni i parë, kjo është e qartë: ne jemi në BE, pra unë shtroj pyetjen nëse vizita ime në Bruksel është udhëtim jashtë shtetit.“

Kështu iu përgjigj Donald Tusk në vitin 2007 pyetjes se cila do të ishte vizita e parë e tij jashtë vendit si kryeministër. Kjo s'është ndonjë surprizë, sepse 53-vjeçari Donald Tusk ka qenë gjithmonë një evropian i bindur.

Ky orientim i Donald Tuskut lidhet para së gjithash me vendlindjen e tij, Dancigun. Karakteri evropian dhe multinacional i këtij qyteti, i cili ishte skenë e shumë ngjarjeve të rëndësishme të shekullit të 20-të ka ndikur shumë në formimin e Tuskut. Në këtë qytet filloi Lufta e II Botërore, në të komunistët masakruan punëtorët që prostestonin në vitin 1970 dhe këtu lindi lëvizja e Solidarnosit, e cila qe nismëtare e procesit të shëmbjes së "perdes së hekurt". Donald Tusk, i cili studionte asokohe histori u angazhua edhe vetë në këtë lëvizje.

Pas shtypjes së përkohshme të Solidarnosit prej qeverisë ushtarake të Jaruzhelskit, ai filloi ta njihte shoqërinë nga poshtë: për shkak të angazhimit të tij politik ai humbi vendin e punës dhe u detyruar të mbijetonte duke punuar si punëtor i thjeshtë.

Rënien e murit të Berlinit në vitin 1989 ai e kujton me këto fjalë:

"Ne polakëve na u mbushën sytë me lotë, por ndjenim edhe kënaqësi se ajo që filloi me Solidarnostin arriti një finale të lumtur në kryeqytete të tjera evropiane.“

Pas rënies së perdes së hekurt Tusk themeloi që në vitin 1989 Partinë Liberale dhe hyri edhe në parlament. Qëllimi i tij: vendosja e demokracisë dhe ekonimisë së lirë të tregut në Poloni.

Tusku përmirësoi marrëdhëniet e Polonisë me Evropën

Pas fazës së trazuar politike të viteve 90-të Tusk themeloi në vitin 2001 një parti të re "Platforma Qytetare" (PO), e cila ka qëndrim liberal-konservativ dhe evropian. Në vitin 2005 Tusku e humbi me fare pak vota garën për postin e presidentit me kandidatin national-konservator Lech Kaczynski. Por pas dy vjetësh ai fitoi thellë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Tusk premtoi përmirësimin e marrëdhënieve të Polonisë me fqinjët dhe para së gjithash me Rusinë dhe Gjermaninë. Dhe viti 2007 shënon vërtet një kthesë në marrëdhëniet gjermano-polake, të cilat nën drejtimin e qeverisë national-konservatore thuajse kishin ngecur në vend. Që prej asaj kohe problemet mes dy vendeve zgjidhen në mënyrë pragmatike dhe frymë mirëbesimi, megjithë ndryshimet në qëndrime të tilla si gazjellësi gjermano-rus i Detit Baltik apo "Qendra kundër Dëbimeve".

Nën drejtimin e Tuskut po shtensionohen edhe marrëdhëniet me Rusinë. Ftesa për Vladimir Putinin për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për 70-vjetorin e fillimit të Luftës së II Botërore në Dancig dhe vizita e përbashkët e varrezave të oficerëve polakë të vrarë në Katyn në prill të këtij viti flasin për përparime të mëdha.

Tusk nuk është njeri i toneve të larta, ai është më tepër modest, i peshon gjërat dhe nuk ka dëshirë për t'u grindur. Suksesi i tij e vërteton këtë, politika e tij e dialogut e ka bërë atë politikanin më të dashur në Poloni. Ai shihet me sy të mirë edhe në Bruksel. Bashkë me Suedinë dhe me ndihmën gjermane Polonia mund të formësojë me sukses politikën e BE-së drejt Lindjes. Pas një ndërprerjeje në kohën e Kazhinskit, Polonia është bërë sërish një partnere e mirëpritur dhe konstruktive. Kjo është edhe merita e Donald Tuskut: polakut evropian.

Autor: Bartosz Dudek/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 13.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NMth
  • Data 13.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NMth