1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

„Një e treta e viktimave janë fëmijë“ - Organizatat humanitare në Gazë akuzojnë rëndë Izraelin

Përkundër rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së Izraeli do të vazhdoj ofensivën e tij në Rripin e Gazës. Po ashtu edhe Hamasi vazhdon sulmet me raketa ndaj Izraelit.

Pamje nga Gaza

Pamje nga Gaza

Një e treta e të vdekurve dhe të plagosurve në Rripin e Gazës janë fëmijë. Kështu njofton Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Po ashtu edhe koordinatori i Kombeve të Bashkuara për misione humanitare, Xhon Holms (John Holmes) e konsideron të besueshëm këtë vlerësim. Pamjet televizive dëshmojnë për shifrat: trupa të vegjël të mbështjellur me qefin, foshnja të plagosura dhe fëmijë të vegjël në krahët e prindërve të dëshpëruar.

Organizatat humanitare flasin për një katastrofë humanitare

Ajo çfarë po ndodh në Gazë është para së gjithash një katastrofë humanitare. Por as organizatat humanitare nuk kanë se çfarë të bëjnë: edhe makinat dhe ndihmësit e tyre po qëllohen, njofton organizata Oxfam. Komisariati i Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, ka ndërprerë veprimtarinë pasi që të enjten (8.1.) nga sulmet izraelite u vranë dy bashkëpunëtorë të tij.


"Nëse ushtria izraelite na jep dritë jeshile për forcat shpëtimtare, atëherë është e papranueshme që ushtarët e saj të qëllojnë vullnetarët tanë"... thotë Xhon Ging (John Ging), drejtues i operacioneve të Komisariatit të Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë në Gazë. Edhe Komiteti i Kryqit të Kuq është i tmerruar me mënyrën se si ushtria izraelite po vepron në Rripin e Gazës. Kryqi i Kuq Gjerman kërkoi të premten (9.1.) në Berlin hyrje të lirë dhe të pakufizuar në Rripin e Gazës. Ai ndërkohë ka vënë në dispozicion ndihma për popullatën civile.

Izraeli nuk ka respektuar rregullat e të drejtës ndërkombëtare

Si pasojë e një sulmi në një shtëpi në lagjen Seitun të Gazës të dielen e kaluar (4.1.) u vranë të paktën 30 njerëz. Më parë rreth 100 njerëz, pas kërkesave të ushtarëve izraelitë u strehuan në atë shtëpi. Shtëpia më vonë është qëlluar nga artilieria. Vetëm të mërkurën (7.1.), pra katër ditë më vonë, bashkëpunëtorë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar u lejuan të futen në zonën ushtarake. Drejtuesja e misionit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Jeruzalem, Katrina Ritz ishte e tmerruar:


"Ne gjetëm njerëz të cilët ishin ulur apo shtrirë pranë kufomave. Pa ndihmë, pa ujë, pa ushqim, pa medikamente dhe pa patur mundësi që të largohen. Askush nuk ishte përkujdesur për ta".


Dëshmitarët okularë njoftojnë se në shtëpi pranë nënave të vdekura janë gjetur disa fëmijë të vegjël. "Izraeli ka shkelur detyrimet e tij ndaj të drejtës ndërkombëtare, që të përkujdeset për të plagosurit dhe ata t'i dërgojë në vend të sigurt", thuhet në një deklaratë të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Kërkohen hetime të pavarura për krimet e mundshme të luftës në konfliktpër krimet e mundshme të luftës në konflikt

Komisionerja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navi Pillej (Navi Pillay) kërkon hetime të pavarura për krimet e mundshme të luftës në konflikt. Vuajtjet e personave civilë si pasojë e sulmeve me raketa të Hamasit janë të papranueshme, por Izraeli përkundër këtyre sulmeve duhet t'i përmbahet rregullave humanitare ndërkombëtare, tha Pillej në Gjenevë. Njëkohësisht organizatat humanitare dhe ato për mbrojtjen e të drejtave të njeriut akuzojnë Hamasin se është duke shfrytëzuar civilët si mburojë. Edhe kjo është e ndaluar me konventat ndërkombëtare.

  • Data 10.01.2009
  • Autor Helle Jeppesen (era)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GVa7
  • Data 10.01.2009
  • Autor Helle Jeppesen (era)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GVa7