1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Një doras i izoluar, i nxitur nga propaganda islamike në internet"

Arid U. pranon vrasjen e ushtarëve amerikanë. Proces gjyqësor para Gjykatës së Lartë të Landit. "Unë pendohem thellësisht". Ai pranon aktet dhe thotë duke dënesur: "Unë doja t'i vrisja ushtarët"

default

Nën këto këndvështrime, me nuanca të ndryshme në tituj dhe nëntituj flitet sot në shtypin gjerman, përkatësisht në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG dhe në revistën DER SPIEGEL për hapjen e procesit gjyqësor kundër Arid Ukës, atentatorit që vrau në mars të këtij viti ushtarë amerikanë në aeroportin e Frankfurtit mbi Main.

Ja çfarë veçon komentatori i FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG me artikullin e tij me nëntitull: "Unë pendohem thellësisht":

21 vjeçari Arid Uka para gjykatës në Frankfurt

21 vjeçari Arid Uka para gjykatës në Frankfurt

U. sipas fjalëve të tij donte të pengonte që ushtarët të kryenin në vend (Afganistan) "krime të tjera kundër civilëve", siç u shpreh ai. Sot ai nuk e shpjegon dot më, se pse i besoi në mënyrë jokritike propagandës islamike. Ai pendohet thellësisht për atë, që ndodhi. Nëse në qarqet ekstremiste akti i tij konsiderohet me vlerë, atëherë këta janë të njëjtët njerëz, gënjeshtrat e të cilëve e patën verbuar atë, thotë U. Ai distancohet nga akti i tij dhe kërkon të bëjë gjithçka për sqarimin e tij. Sot ai nuk e kupton më, se si mundi të shkojë kaq larg.

Në bazë të paraqitjes së tij, një natë më parë ai kishte parë në internet një videofilm, që tregonte se si ushtarët amerikanë përdhunonin në Afganistan një grua. Ai kishte besuar se duhej të ndërmerrte diçka për t'i mbrojtur gratë dhe për të penguar krime të tjera të amerikanëve në Afganistan...I pandehuri që të lë përshtypjen e një njeriu shumë të ndrojtur, ai ishte mbyllur në muajt para atentatit gjithnjë e më shumë në vete dhe e kishte kaluar kohën me lojëra me vrasje në kompjuter. Ai nuk dëshiron që aktin e tij ta shohë si kontribut për xhihadin", shkëpusim nga artikulli i FAZ.

Me nëntitullin "Unë doja t'i vrisja ushtarët", analisti i revistës DER SPIEGEL ndër të tjera shkruan:

"21 vjeçari pranoi të mërkurën para Gjykatës së Lartë të Landit në Frankfurt që kishte vrarë në 2 mars dy ushtarë dhe kishte plagosur për vdekje dy të tjerë. "Është e vërtetë ajo, për të cilën më akuzon mua akuza", tha frankfurtasi i lindur në Kosovë. "Unë doja t'i vrisja ushtarët", pranon ai.

Në hapje të procesit Arid U. lexoi një tekst të shkruar nga ai vetë. Gjatë gjysmë orös ai fshinte herë pas here lotët nga sytë. Pak pas aktit atij i kishte ardhur mendimi se ky ishte "budallallëk i plotë" dhe "kundër çdo besimi". Ai u kërkon falje viktimave dhe të afërmve të tyre. Ai shpreson që askush të mos nxitet për atentate nga aktet e tij.

Ai (Arid U.) është sipas vlerësimit të Prokurorisë Federale një doras i izoluar, i cili u nxit nga propaganda islamike në internet. Ushtarët ai deshi t'i vriste vetëm, sepse ishin pjesëtarë të forcave të armatosura të SHBA në kuadër të mandatit të ISAF-it në Afganistan, lexojmë në Der Spiegel.

Sipas avokatëve të U.-së "skena e krijuar" me një gjoja myslimane të re, që përdhunohet, që e ka parë U. në videofilm "është pjesë e një filmi amerikan kundër luftës dhe dallohet vetëm në mënyrë skematike, por U. besoi se skena ishte reale.

Në fillim të qershorit Arid U., i cili ka nënshtetësi kosovare-serbe, u padit nga një gjykatë në SHBA. Tribunali amerikan e quajti atë doras të izoluar me formim islamik. "

"Atentatori me fytyrën e djalit" kështu e titullon artikullin analisti i së përditshmes SÜDDEUTSCHE ZEITUNG.

Emri në derën e shtëpisë, ku banonte Arid U

Emri në derën e shtëpisë, ku banonte Arid U

"Shumë i ulët është zëri, që del nga fytyra e djalit. Vetëm pasi gjykatësi kërkon që të sjellin në sallën e Gjykatës së Lartë të Landit në Frankfurt një mikrofon të dytë mund të kuptosh në njëfarë mënyre se çfarë thotë Arid U. Kur flet, të duket sikur ai e nxjerr me mundim të madh çdo fjalë. "  Më tej SZ vëren:

"Atij i kujtohet vetëm e shtëna e parë, kundër ushtarit të parë, i cili ra në tokë para autobusit. Dhe pastaj vetëm arrestimi i tij në terminal, kështu pohon ai."Unë nuk e dija se ç'kisha bërë, gjithçka rreth meje rrotullohej."

Kjo është historia, që dëshiron pra të tregojë Arid U., në të ai nuk është gjë tjetër veçse një doras me sistem psikik të paqendrueshëm, që ka vepruar në gjendje emocionale. Ndoshta kështu e kanë këshilluar avokatët mbrojtës që të veprojë. Por kaq lehtë kryegjykatësi nuk e lë atë të rrëshkasë. Në rastin e Thomas Sagebiel, një juristi me përvojë me islamistët, Arid U. zgjon gjithnjë e më shumë skepticizëm. A nuk ishte ai, që sapo lexoi se dëshiron t'u përgjigjet të gjitha pyetjeve? Kurse tani i pandehuri mbyll sytë dhe hesht për një kohë shumë të gjatë për pyetje të tilla të thjeshta, si ajo se ku e kishte gjetur pistoletën.

Kur Arid U. përgjigjet, atëherë shumicën e herëve me fjalë njërrokëshe, shkurt, refuzues. Nganjëherë ai nuk përgjigjet fare. "Unë këtë e konsideroj gabim", thotë gjykatësi në mes të qetësisë. "Unë jo", ia kthen atentatori i ri. Më në fund gjykatësit i mbaron durimi dhe thotë: "Unë nuk dua të dëgjoj këtu këtë këngë të zbukuruar". Në vend të kësaj, ai pret qëndrim të ndershëm nga ana e të akuzuarit, ndershmëri edhe përballë vetes.

Analisti i SZ tërheq vëmendjen në skepticizmin e gjykatësve për deklaratat e Arid U.:

"Nga pyetjet e gjykatësve kuptohet se ata dyshojnë për disa pohime të Arid U. Ata me sa duket nuk i besojnë atij që videoja me përdhunim, që pa një darkë para aktit, ishte e vetmja shtysë për atentatin. Shumë gjëra të tmerrshme në video nuk ka, të paktën në krahasim me filmat e tjerë mizorë, të cilat Arid U. i ka konsumuar bollshëm.

"Unë nuk e di, nëse përgjigjet tuaja të ngecura janë sjellja e duhur këtu", thotë gjykatësi. Pastaj ai i kujton të riut se një deponim i paplotë mund të llogaritet në fund kundër të pandehurit.

Por deri në marrjen e vendimit vitin e ardhshëm Arid U. ka nëntë ditë proces gjyqësor kohë që të vrasë për këtë mendjen", shkëpusim nga SZ.

Autor: FAZ, Der Spiegel, Süddeutsche Zeitung/ Auron Dodi

Redaktoi: av

 

DW.COM