1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Një div i artit gjerman mbërrin në Tiranë

Një koleksion i Sigmar Polke-s, fitues i çmimeve prestigjoze ndërkombëtare, si Premium Imperiale, Luani i Artë i Bienales së Venecias etj, po prezantohet për artdashësit shqiptarë.

Ausstellung von Sigmar Polke in Tirana Januar 2015

Ekspozita me vepra të Sigmar Polkes në Tiranë

I ndarë nga jeta në vitin 2010, Sigmar Polke vijon të ruajë famën e punimeve të tij, duke mbetur në qendër të kritikës elitare. Themelues dhe zhvillues i atij që është konsideruar si “realizmi kapitalist”, lëvrues i pop artit, Polke, në veprën e tij shfaqet sa i distancuar, aq dhe ironik apo me qëndrime ambiguitive, gjithmonë në kërkim të shtigjeve të reja, deri dhe në afrimin anëve të kundërta në trajtimin e temave dhe ideve që përpunonte.

Ai renditet ndër artistët më të rëndësishëm të kohës së pasluftës në Gjermani, por jehona e krijimtarisë së tij fitoi përmasë globale, duke arritur të fitojë dhe çmime të shumta ndërkombëtare, si Premium Imperiale, Luani i Artë i Bienales së Venecias etj.

Veprat e tij vlerësohen rregullisht me shuma milionëshe në tregun e artit dhe shfaqen në muzetë më të famshëm të botës, si p.sh. para pak kohësh në Muzeun e Artit Modern në New York, MOMA, u paraqit një retrospektivë e Polkes, e cila aktualisht është duke u shfaqur në Tate Modern të Londrës.

Projekte që bashkojnë gjermanët dhe shqiptarët

Këto ditë Sigmar Polke është prezent në Tiranë me një ekspozitë personale, një cikël me 40 punime në guash, të gjitha të krijime të vitit 1996. Pas një pune disamujore për ta mundësuar ekspozitën, Christiane Wolters, atashe i kulturës në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri ndjehet shumë e kënaqur. Ambasada ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore në muajt e shkuar, jo vetëm në kuadrin e Tetorit Gjerman, dhe ekspozita e Polkes është një pikë tjetër kulmore në këtë drejtim, thotë Wolters për Deutsche Welle-n.

“Duke bashkëpunuar me Qendrën e Gjermanishtes dhe Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ne e finalizuam këtë projekt. Një falenderim i veçantë i takon IFA-s, Institutit për Marrëdheniet me Jashtë në Shtutgart, i cili arriti të na e vinte në dispozicion këtë ekspozitë shëtitëse, e cila do të vijojë të prezantohet dhe në vendet e tjera të rajonit”.

Duke folur mbi agjendën kulturore 2015, Christiane Wolters, shpreh vijueshmërinë e bashkëpunimit mes dy vendeve. që do të thotë se sipas saj do të mbështeten para së gjithash ato projekte që bashkojnë gjermanët dhe shqiptarët, apo që u krijojnë atyre mundësinë për të njohur diçka nga kultura e tjetrit.

“Edhe në vitin 2015 ne do ta aplikojmë këtë koncept në fusha të ndryshme, e për këtë qëllim janë në planifikim projekte në fushën e teatrit, kërcimit dhe filmit. Dhe sigurisht që jemi duke planifikuar edicionin e ardhshëm të Tetorit Gjerman 2015, i cili do të tregojë sërish gjithë diapazonin dhe larminë e marrëdhënieve gjermano-shqiptare”.

Ausstellung Sigmar Polke in Tirana

Drejtori Artan Shabani

Java Kulturore në Dyseldorf

Artan Shabani, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë tregon se për hapjen e kësaj ekspozite është punuar prej muajsh dhe bashkëpunimi me partnerë gjermanë do të ketë dhe një kulm tjetër gjatë vitit 2015. Ne jemi në procesin përgatitor të Javës Kulturore në Dyseldorf të Gjermanisë, thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Është një megaperfomancë e një grupi prej rreth 12 artistësh nga Shqipëria, të cilët do të paraqesin para publikut gjerman veprat e tyre në videoart, fotografi, instalacion e zhanre të ndryshme të pikturës. Ne po e vlerësojmë maksimalisht, pasi do të jemi në një atmosphere krjuese dhe kritike me shumë cilësi. Këto aktivitete shërbejnë për shkëmbimin e kulturave, janë nxitëse për kontakte dhe projekte artistike jo vetëm në nivel institucional, por dhe mes grupimeve a individëve nga fusha e artit.”

Shabani thotë se pavarësisht vlerave të jashtëzakonshme që ka ekspozita vetjake e Sigmar Polkes, për vizitorët nuk kërkohet pagesë. “Ne presim që gjatë ditëve që ajo të jetë hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve të vijnë më shumë nxënës dhe studentë, të cilët mësojnë dhe studjojnë në artet figurative, pasi duhet ta shfrytëzojnë një rast të artë ku prezantohen punimet e një artisti shumë cilësor, i njohur ndërkombëtarisht.”