Një ditë vendimtare për Ukrainën | Bota | DW | 28.01.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Një ditë vendimtare për Ukrainën

Parlamenti ukrainas diskuton sot në një seancë të veçantë për kërkesat e demonstruesve. Por nuk ka shumë shpresa për zgjidhjen e krizës në vend.

Zona ku ndodhen ndërtesat qeveritare në Kiev është e rrethuar nga mijëra policë. Sot (28.12) aty pritet të vendoset nëse kriza politike në Ukrainë do të zgjidhet në mënyrë paqësore, apo nëse do të ketë gjakderdhje të mëtejshme. Parlamenti diskuton në një seancë të veçantë për kërkesat e demonstruesve.

Mosmarrëveshja është programuar

Por që për pikën e parë ka rrezik të ketë mosmarrëveshje. Opozita kërkon anulimin e atyre që ajo i quan "ligjet diktatoriale" që u miratuan më 16 Janar 2014. Ato kufizojnë në mënyrë të konsiderueshme të drejtën e demonstrave. Kush merr pjesë në protesta dënohet. Kush maskon fytyrën dënohet. Kush bën thirrje në media dhe rrjetet sociale për ndryshim të qeverisë ndëshkohet. Dënimi shkon nga gjobë deri në 15 vjet heqje lirie.

Këto ligje kriminalizojnë dhjetëra mijëra protestues që po demonstrojnë me javë të tëra kundër presidentit Viktor Janukoviç dhe qeverisë së tij. Shkaku i protestave qe refuzimi i nënshkrimit të marrëveshjes me Bashkimin Evropian dhe në vend të kësaj afrimi me Rusinë. Por kjo gjë tani po luan një rol të dorës në protesta . Shumica e protestuesve duan një ndryshim politik brenda vendit dhe më shumë demokraci.

Presidenti nuk është i gatshëm t'i shfuqizojë ligjet e diskutueshme, por ofron vetëm mundësinë e një ndryshimi, kjo qe oferta e presidentit ndaj pozitës pas raundit të fundit të negociatave.

Ndryshime kushtetuese dhe zgjedhje të reja

Opozita kërkon jo vetëm që presidenti t'i kalojë një pjesë të kompetencave të tij tek parlamenti - sikurse ka pranuar edhe vetë - por këtë ta bëjë edhe menjëherë.

Po ashtu opozita kërkon amnesti për protestuesit. Presidenti Viktor Janukoviç nuk ka gjë kundër, por vë si kusht që protestuesit të largohen nga sheshi i protestës dhe nga ndërtesat qeveritare që mbajnë të pushtuara. Opozita pret fillmisht hapa konkretë nga presidenti.

Së fundi kërkesa thelbësore e protestuesve është organizimi i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare dhe presidenciale. Por presidenti është kundër dhe i ofron opozitës vetëm pjesëmarrje në qeveri.

Protestuesit mund të përçahen

Agjenda e seancës parlamentare është aq komplekse sa mund të zgjasë disa ditë me radhë. Krerët e opozitës u shprehën në një deklaratë të përbashkët se janë të gatshëm për bisedime të mëtejshme. Por jo të gjithë syresh janë të gatshëm të presin. Ish-ministri i Brendshëm Jurij Luzenko tha në një bisedë me protestuesit se në rast më 28 janar nuk do të ketë vendime konkrete, protestuesit do t'i afrohen parlamentit. Luzenko është përkrahës i idesë së sulmit ndaj qendrës qeveritare.

Ndërkohë po bëhet gjithnjë e më e qartë se udhëheqësit e opozitës nuk e kanë nën kontroll një pjesë të protestuesve. Ata u distancuan prej atyre që kanë pushtuar ministritë në Kiev duke i quajtur "provokatorë". Pra ka gjasa që gjendja mund të dalë jashtë kontrollit. Ky qe dhe paralajmërimi i politikanit të opozitës Vitali Klitschko në një intervistë me DW.

Të gatshëm për të luftuar edhe më ashpër janë sidomos protestuesit radikalë në rrugën Hrushevski. Rrugëve të Kievit po ngrihen thuajse çdo orë barrikada te reja.