1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Një ditë që e ndryshoi botën

Çfarë ka ndryshuar në dhjetë vjet qysh pas 11 shtatorit 2011? Ndonëse në vështrim të parë nuk duket të ketë shumë ndryshim, në realitet shumë gjëra kanë ndryshuar.

default

Dhjetë vjet më pas, duket se nuk paska ndryshuar asgjë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëhen përgjegjëse për gjithë mjerimin në botë. Gjermania merret me vetveten. Hiq ndonjë rast, kur aksioni i njësisë speciale të SHBA-së si pasojë e të cilit u vra themeluesi i Al Kaida-s Osama bin Laden ngjall indinjatë morale. E dhjetë vjet pas sulmeve më të rënda terroriste në histori, dalin libra që duan të dëshmojnë shkencërisht se 11 shtatori 2001 nuk ishte ndonjë ditë që ndryshoi botën. Këto përpjekje qyqare për ta shpallur një katastrofë të tillë që nuk mund të matet me kritere njerëzore në një ngjarje historike dosido, mund të jenë ndoshta të kuptueshme nga ana psikologjike, por në aspektin politik ato janë të gabuara, në atë moral madje të dënueshme: Sepse 11 shtatori 2001 e ka ndryshuar botën si asnjë ditë tjetër e dekadave të mëparshme. Ka një periudhë para dhe një periudhë pas. Data është një cezurë, në çarjen e së cilës janë fundosur botëkuptime, modele të menduarish dhe teori politike. Shumë nga këto të çara të krijuara prej saj gjer më sot nuk kanë arritur ende të mbyllen.

Në radhë të parë kjo vlen për Perëndimin: Në dhjetë vjetët e kaluar ai shumë shpesh ka preferuar të nxitojë për të sinjalizuar mirëkuptim, në vend që t'i kundërvihet sfidës së terrorit islamik dhe mbështetësve të tij me koncepte dhe oferta të qarta. Një nga shembujt më absurdë ishte reaksioni i trembur ndaj disa karikaturave të punuara keq për profetin Muhamed. Kësaj ia kaloi debati, që u hap sidomos në Gjermani, nëse ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare vrasja e një vrasësi masiv, si Osama Bin Laden, në emër të të cilit u keqpërdorën kultura dhe feja islame.

Debate të tilla tregojnë se sa fort e tronditën sistemin e vlerave perëndimore atentatet e 11 shtatorit 2001: George W. Bush i riu, i cili sigurisht që nuk ishte një nga presidentët më të shquar të SHBA-së, dy ditë mbas sulmeve terroriste tha: «Ne do ta mbrojmë lirinë dhe gjithçka që është e mirë dhe e drejtë». Kjo fjali e thjeshtë, por vendimtare ndërkohë është fundosur në indinjatën e drejtë për Guantánamon, Abu Ghraibin dhe mijëra të vrarë, që ka lënë pas lufta kundër terrorizmit. Karakteri i saj i qartë dhe pa ambiguitet sot është bërë me cen. Kjo jo vetëm që qesëndis viktimat e 11 shtatorit, njerëzit në World Trade Center, të cilët duhet të zgjidhnin mes vdekjes në ferrin e flakëve apo atë duke u hedhur nga 400 metra lartësi. Kjo në fund të fundit këmben rolet mes kriminelëve dhe viktimave.

Edhe pasojat konkrete, dhe shpresojmë të pakthyeshme, të fjalisë së Bushit kanë dalë jashtë vëmendjes: Që Afganistani nuk është më në dorë të një bande fanatike teokratike anti-njerëzore. Që Iraku ka shpëtuar nga një diktator dhe që është duke ndërtuar një demokraci. Edhe revolucionet në Lindjen e Mesme janë së fundi rezultat i një pohimi të qartë dhe të përsëritur të demokracisë dhe lirisë.

Ndërsa terrori nuk duhet pranuar kurrë. As si «gjuhë që zëvendëson dhunën» siç interpretohet ai nganjëherë nga gjoja njerëz plot mirëkuptim. Specialja multimediale e Deutsche Welle-s i dëshmon të gjitha aspektet: nëpërmjet historive të njerëzve, qyteteve dhe rajoneve dhe nëpërmjet perspektivave tona – dhjetë vjet pas 11 shtatorit, një dite, që ndryshoi botën.


Autor: Marc Koch
Redaktoi: Anila Shuka