1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një dhuratë kosovare për Gjermaninë

Disa biznesmenë kosovarë i dhurojnë qytetit të Augsburgut një shtatore të Nënë Terezës si shenjë falënderimi. Në përurim ishte edhe ministri i kulturës së Kosovës Memli Krasniqi.

default

Një dhuratë kosovare

Është një gjest simbolik falënderimi i kosovarëve ndaj Gjermanisë – shtatorja e bronztë e Nënë Terezës, e cila që nga e shtuna (9.4.11) ndodhet në parkun e spitalit qendror të qytetit të Augsburgut.

Simbolikë, të cilën nuk donte ta humbte as Memli Krasniqi, ministër i kulturës së Kosovës: «Për ne ka qene kënaqësi qe te vijmë këtu ne emër te qeverise se Kosovës e të jemi prezent në këtë inaugurim, edhe për të thënë se simboli i Nënë Terezës, që padyshim i takon gjithë popujve, ne radhe te pare i takon popullit shqiptar», i tha ai Deutsche Welles.

Ish-reperi kosovar, menjëherë pas ardhjes në post, në shkurt të këtij viti, u bë objekt sulmesh nga kundërshtarët, pasi për një kohë shumë të shkurtër kishte hequr nga muret e ministrisë fotografitë e Ibrahim Rugovës dhe Nënë Terezës.

Në Augsburg ishte Memli Krasniqi i pari që e zbuloi buzëqeshjen e bronztë të misionares katolike të punuar me dashuri nga skulptorja gjermane Marlies Hof. «E kam studiuar me muaj të tërë fytyrën e saj nëpër fotografi dhe filma derisa zbulova buzëqeshjen» rrëfen ajo dhe shton një citat të humanistes së Kalkutës: «Një buzëqeshje mund t'i shpëtojë ditën një njeriu». Modeli i Nënë Terezës me dorën e djathtë të shtrirë dhe të majtën duke mbajtur rruzaret, është prodhuar qysh në vitin 2006 për Shtëpinë Nënë Tereza në Niederfischbach, një qytezë në Gjermanisë perëndimore.

Mutter Teresa Grab Krasniqi

Ilir Seferit nga Kosova jeton që prej gati dy dekadash në Augsburg.

Falënderim për lirinë

Ideja ishte e Ilir Seferit. 38-vjeçari nga Kosova jeton që prej gati dy dekadash në Augsburg. Babai i katër fëmijëve është anëtar i partisë qeverisëse në Bavari, asaj kristiansociale, pronar i tre restoranteve me kuzhinë bavareze dhe mban të punësuar 35 vendas. Krenar është ai së për integrimin kaq shembullor të tij dhe të vëllezërve në Gjermani, por edhe mirënjohës për besimin që i dhuruan vendasit në vitin 1992, kur ai, si shumë bashkatdhetarë të vet, e la Kosovën në kërkim të lirisë: «E atë liri neve na e dhuruan gjermanët këtu kur erdhëm, në mënyrë që të zhvillojmë jetën dhe aktivitetet tona të punës. Prandaj edhe unë gjithmonë kam menduar se si t'i falënderohem këtij qyteti», thotë Seferi. Derisa një vit më parë i lindi ideja e një shtatoreje të Nënë Terezës, të cilës ia shprehu bashkëpartiakut dhe kryebashkiakut të qytetit 230 mijë banorësh, Kurt Griebl.

Që projekti do të kërkonte 35.000 Euro, shumë më tepër se ç'kishte kujtuar emigranti kosovar, këtë në atë moment nuk e dinte. Por, kur ideja është e mirë, edhe mbështetja financiare gjendet shpejt: Atij nuk i erdhën në ndihmë vetëm biznesmenë shqiptarë të Bavarisë, por edhe Fondacioni Besa me qendër ne Mynih, e para së gjithash qeveria e Kosovës. Për ambasadorin në Berlin, Vilson Mirdita, ky është një gjest që e mishëron më së miri mirënjohjen e Kosovës dhe afro 300 mijë kosovarëve të Gjermanisë ndaj këtij vendi: «Për gjithë ato ndihma, të cilat qytetarët gjermanë e qeveria gjermane i kanë ofruar popullit tonë është një një gjest shumë i mirë që në shenjë falënderimi t'i dhurohet qytetit të Augsburgut shtatorja e personalitetit më të madh të popullit shqiptar, të Nënë Terezës», thotë Mirdita.

Mutter Teresa Grab Seferi

Në përurim ishte edhe ministri i kulturës së Kosovës Memli Krasniqi.

Në qytetin e paqes

Me 3000 nga gjithsej 263.000 banorë, pak më shumë se 1,3 përqind, komuniteti i shqiptarëve në Augsburg është relativisht i vogël, por ai është i pari, që i falënderohet qytetit me një skulpturë simbolike.

Peter Grab, bashkiaku i tretë i Augsburgut dhe referent për kulturën, i cili vetë është i lindur në Çeki dhe e di se çfarë do të thotë të humbasësh atdheun, di ta vlerësojë këtë dhuratë. Por ai është i kënaqur edhe me faktin që është pikërisht shtatorja e fitueses së çmimit Nobel për paqen, Nënë Terezës: «Sepse Nënë Tereza është simboli paqes, e Augsburgu është i vetmi qytet në botë, që i ka përkushtuar paqes një ditë feste zyrtare», thotë Grab, duke pasur parasysh 8 gushtin, që përkujton paqen e Vestfalisë së vitit 1648 që i dha fund shtypjes së protestantizmit nga katolikët, duke zbatuar kështu marrëveshjen e barazisë fetare, e cila ishte miratuar qysh në vitin 1555, po në qytetin historik të Augsburgut.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 11.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10rGv
  • Data 11.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10rGv