1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Një dështim" - Berlini reagon ndaj vetëvrasjes së Al Bakr

Pas vetëvrasjes në qeli të të dyshuarit për terrorizëm Al Bakr politikanët kërkojnë një zbardhje të plotë të rastit.

Një ditë pas vetëvrasjes në qelinë e burgut  të të dyshuarit për terrorizëm Xhaber Al-Bakr politikanët në Berlin janë të shtangur, të shokuar. Si mund të ndodhte kjo, ndonëse qelia e burgut, ku ndodhej Al Bakr, vëzhgohej intensivisht, kjo është pyetja që shtrohet më së shumti përmes rrjetit Twitter.

Edhe avokati mbrojtës i Al-Bakr, Alexander Hübner, në bisedë me DW u shpreh i habitur. Për të nuk ka asnjë dyshim, që klienti i tij rrezikohej të kryente vetëvrasje. "Që një i rrezikuar nga vetëvrasja nuk e komunikon atë që ka në mendje, kjo është e njohur në psikologji", thotë ai. 

Goditje për hetimet

Al-Bakr të mërkurën në mbrëmje (12.10) e kish varur veten në kangjellat e qelisë me një këmishë që i ishte dhënë në burgun e Lajpcigut. Të martën ai kishte shkulur llambën nga tavani i qelisë dhe kish manipuluar prizat e korentit, po ashtu ai nuk kishte pranuar të hante dhe të pinte. E megjithatë peersoneli i burgut e kishte vlerësuar atë si jo "të rrezikuar akut për vetëvrasje". Sipas të dhënave të drejtorit të burgut Rolf Jacob intervalet e kontrollit për qelinë e Al-Bakr ishin vendosur nga çdo 15 minuta fillimisht në çdo gjysmë ore.

Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière (CDU) e konsdieron një dështim vetëvrasjen e Al-Bakr në luftën kundër terrorit. "Me këtë janë vështirësuar hetimet", tha politikani kristiandemokrat në kuadër të një takimi të ministrave të brendshëm të BE-së në Luksemburg. Kjo është një goditje prapaktheu për zbulimin e pjesëmarrësve të tjerë të mundshëm, i personave dhe rrjeteve që qëndrojnë pas.

Politikani kristiandemokrat Wolfgang Bosbach e quajti këtë vetëvrasje si "një tragjedi të vërtetë". Përderisa Al-Bakr me sa duket kishte qenë i gatshëm të flasë, me të humbet një "burim i rëndësishëm informacioni". Ka ende shumë pikëpyetje, përgjigja ndaj të cilave do të ishte e rëndësishme për sigurinë në Gjermani.

Kritika ndaj drejtësisë në landin e Saksonisë

Vëtëvrasja është "një dështim për drejtësinë e saksonisë", sepse kishte dijeni për rrezikshmërinë për suicid të të dyshuarit për terrorizëm, theksoi politikani i partisë ekologjiste Konstantin von Notz. Që "figura kyç" Al-Bakr nuk mund të pyetet më rreth planeve për atentate, është "një dështim edhe për zbardhjen, që duhet të bëjmë ne".

Komisioni i Bundestagut për punët e brendshme në javët e ardhëhsme do të shqyrtojë këtë çështje - madje edhe gabimet e mundshme të policisë në Chemnitz, së cilës i shpëtoi fillimisht nga arrestimi i kërkuari Al Bakr. Sipas Notz synohet që të tilla "gabime të rënda" të shmangen në të ardhmen.

Kërkesa për dorëheqje

Kryetarja e partisë "E Majta" Katja Kipping pas vetëvrasjes së Al-Bakr kërkoi dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë të landit të Saksonisë Sebastian Gemkoë (CDU). "Drejtësia në Saksoni është një turp për çdo shtet ligjor", i tha Kipping agjencisë gjermane të lajmeve DPA. Në këtë mënyrë, shtoi ajo, as nuk mund të gjenden personat në prapaskenë dhe as nuk mund të zbardhen informacionet për sfondin e aktit. Ministri i Drejtësisë në Saksoni e ka hedhur poshtë kërkesën për dorëheqje. Për këtë tani për tani nuk ka shkas, deklaroi Gemkow në Dresden.

Edhe sindikata e policisë kërkon një zbardhje të plotë të ngjarjes. Shefi i sindikatës Rainer Wendt kritikoi, që vetëvrasja e Al-Bakr çon tani ujë në mullirin e atyre që krijojnë teori komploti dhe ka pësuar një goditje të rëndë besimi i popullsisë tek shteti.