1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një botë pa droga është e vështirë të arrihet

Parandalimi dhe shëndeti duhet të jenë të parat kur bëhet fjalë për politikën ndaj drogave. Kështu shprehet e ngarkuara me problematikën e drogave Marlene Mortler në bisedë me DW.

Deutsche Welle: Si një nga rezultatet më të rëndësishme të studimin për drogat të Qendrës Federale të Informacionit për Shëndetin, ju theksuat se nuk ka pasur kurrë kaq pak të rinj që të kenë pirë duhan në Gjermani. Edhe konsumi i rregullt i alkoolit, sipas studimit është në rënie. Me se e lidhni këtë zhvillim?

Marlene Mortler: Unë këtë zhvillim e lidh me faktin që të rinjtë i thonë vetes: pirja e duhanit nuk është më pjesë e botës sime. Por vendimtare, pse e thonë ata këtë është se ne kemi ofruar shumë punë parandaluese në vitet dhe dekadat e kaluara - para së gjithash me ndihmën e Qendrës Federale të Informacionit për Shëndetin. Ne kemi kontaktuar në këtë drejtim klasa shkollash, vajza, djem, u kemi folur në mënyrë të kuptueshme për moshën dhe për grupin shoqëror ku ndodhen. Unë e shoh rezultatin si konfirmim të punës sonë të mirë preventive. Por edhe si kërkesë që puna preventive të vazhdojë.

Por studimi tregon edhe se droga ilegale Cannabis vazhdon të preferohet. Një në tri të rritur e ka provuar këtë drogë. A tregojnë ndoshta sukseset në konsumin e duhanit dhe të alkoolit se një mënyrë veprimi e ngjashme të jep rezultate më të mira se ndalimi?

Po ta shohim konsumin e Cannabisit vetëm në pikëpamjen e së drejtës penale, nuk paraqesim drejt faktin që Cannabisi është një drogë e dëmshme. Propozimet e shumta që kemi dëgjuar kohët e fundit në drejtim të liberalizimit, ndoshta edhe ndikojnë që të mendojmë: "epo, kaq e keqe nuk i bie të jetë". Rruga ime është e qartë: në këndvështrimin tim është shëndeti i njerëzve. Dhe unë e them shprehimisht: sa më herët të nisin njerëzit me konsumin, aq më e madhe është mundësia që të pësojnë dëme në shëndetin e tyre - disa përkohësisht, të tjerë për gjithë jetën.

Diskutimi që bëhet për legalizimin ka në fokus para së gjithash: a duhet vepruar në mënyrë parandaluese, si në rastin e alkoolit, apo me mjete penale.

Unë mund të argumentoj edhe ndryshe: Ka një numër shumë të madh të rinjsh, të cilët nuk e konsumojnë Cannabisin ngaqë është i ndaluar. Edhe kjo del në biseda. Së dyti, dua të përcjell këtë mesazh: asnjë vend në Evropë nuk vepron në mënyrë masive me anë të organeve të ndjekjes penale kundër konsumuesve. Këtu në Gjermani, po edhe në Evropë kemi një fushë të gjerë mundësish: ndihmë në vend të dënimit, terapi në vend të dënimit. Prandaj unë mbroj edhe më tej qendrimin që të mos e minimizojmë rrezikun e konsumit të Cannabisit.

Në botë, nga ana tjetër kemi ende dënimin me vdekje, kur bëhet fjalë edhe për sasitë më të vogla të drogave ilegale. Koordinimi, gjetja e emëruesve të përbashkët në këtë çështje është sfida jonë edhe në konferencën e posaçme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në 19 prill në Nju Jork. Për ne, absolutisht në radhë të parë është shëndeti i njerëzve, jo ndëshkimi.