Një aksion satirik shkakton diskutim mediatik | Gjermania | DW | 23.02.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Një aksion satirik shkakton diskutim mediatik

U duk si komplot gazetaresk. Përbërësit e tij: një rus misterioz, një komunikim delikat me email dhe një zgjedhje e manipuluar. Në fund ajo që qesh është një revistë satirike, kurse një gazetë bulevardeske turpërohet.

Fake-News, pra lajmet e rreme, në kohën e medias sociale dhe të komunikimit të pakufishëm digjital shpërndahen shumë më shpejt se kurrë më parë. Ky është lajmi i keq, por ai dihej. Lajmi i mirë është se sot përhapësit e lajmeve joserioze mund të demaskohen shumë më shpejt se më parë.  

Për shembull, në vitin 1977, për të zbuluar metodat e pandershme të punës së gazetës gjermane "Bild”, gazetarit të mirënjohur investigues gjerman Günther Wallraf iu desh të futej në redaksi si një person tjetër e të punonte aty dy muaj. Rezultati i këtij investigimi ishte libri "Der Aufmacher" (Kryeartikulli) ku tregohet për metodat investiguese joserioze dhe të pandershme të gazetës më të shitur të Gjermanisë.

Sot, pas katër dekadash mjafton një email dhe disa telefonata të një reviste satirike për të zbuluar se sa dobët investigon redaksia "Bild”, ndoshta në shërbim të një agjende të vetën politike. Çfarë kishte ndodhur?

Gazetës i kishte dërguar dikush një e-mail që ishte gjoja një dëshmi për në skandal politik të klasit të parë. Në e-mail, një troll rus i kish propozuar kreut të organizatës rinore të Partisë Socialdemokrate që të bënte një fushatë të manipuluar në rrjetet sociale, në mënyrë që të ndikonte mbi rezultatin e votimit aktual,që po bëhet në partinë e vet për të hyrë a jo në koalicionin e ri nën kancelaren Angela Merkel. Në e-mail, kreu i socialistëve të rinj, Kevin Kühnert, i cili po përpiqet prej disa javësh që ta pengojë krijimin e një qeverie të re mes dy partive të mëdha të Gjermanisë, tregohet i hapur ndaj këtij propozimi.

Gazeta "Bild” reagoi me një kryeartikull në faqen e parë me titullin: "Fushatë e pistë e SPD-së". Vetëm në fund të artikullit autori kishte shkruar se nuk ka dëshmi për vërtetësinë e e-mail-eve. Pak më pas doli që gjithçka kishte qenë e shpikur! Një lojë nga revista satirike gjermane "Titanic”.

Aferë mediatike

Nga skandal politik kjo ngjarje u kthye në një aferë mediatike. Sepse pyetja që shtrohet tani nuk është se sa hulumtojnë gazetarët e Bild-it, por për preferencat politike të medias gjoja të pavarur gjermane, detyra e të cilave do të ishte që të raportonin sa më afër të vërtetës dhe me paanësi.

Kryeredaktori i gazetës "Bild”, Julian Reichelt, reagoi në rrjetin social twitter me fjalët: Natyrisht që satira lejohet të bëjë një të tillë, por ajo po përpiqet të krijojë profil duke u përpjekur të diskreditojë me vetëdije të plotë ofertat gazetareske." Por ai nuk mundi ta hidhte poshtë kritikën se gazeta e tij i kishte marrë informacionet pa i kontrolluar fare dhe kishte bërë prej tyre një kryeartikulll për një temë qendrore të politikës së brendshme gjermane.

Kështu që nuk është për t'u çuditur që në këto kohëra të ndezura lind dyshimi se gazeta "Bild” i kishte marrë me etje të veçantë e-mail-et e revistës Titanic dhe pa i verifikuar thuajse aspak dhe prej këtij materiali kishte bërë një kryeartikull për një temë qendrore të politikës së brendshme gjermane, që shkonte me vijën politike të gazetës.

Kritika edhe ndaj revistës satirike

Deri ku lejohet të shkojë media kur ka një agjendë politike, një pyetje kjo që shtrohet tani nëpër media. Frank Überall, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Gjermanë (DJV), e ka një përgjigje: "Media mund të komentojë, mund të ketë edhe një politikë redaksionale, por faktet duhet të jenë të sakta."

Überall e përshëndet faktin që shefi i gazetës "Bild” kërkoi falje në publik, pavarësisht se sipas tij, me shumë vonesë, por ai shton se kjo nuk e zhbën kryertikullin.

Por edhe roli i revistës Titanic shihet me dyshim. "Sigurisht që satira lejohet, sado e hidhur që të jetë, si në këtë rast”, por unë apeloj edhe te koleget dhe kolegët që të mos sulmojnë gjithnjë gazetarinë”, thotë Überall.

Ironia e kësaj historie është se autori i Titanic-ut që e trilloi të gjithë historinë, doli e dha një intervistë nga televizioni shtetëror i Rusisë, Russia Today. Është pikërisht ky stacion që shumë shpesh akuzon median gjermane për manipulim të qëllimshëm të opinionit. Që atëherë në rrjetin social twitter ka nisur një polemikë e madhe. Janë pikërisht ata që, në fakt, duartrokasin për këtë aksion të Titanic-ut, por nga ana tjetër e shohin edhe atë të diskredituar.

Ndërsa gazeta "Bild” dhe revista "Titanic” vazhdojnë luftën në rrjetet sociale dhe siç kanë paralajmëruar, do të ndërmarrin hapa juridikë, një nga figurat kryesore të e-mail-it të falsifikuar, shefi i socialistëve të rinj, Kevin Kühnert, tregohet i qetë: Ai tha për revistën "Der Spiegel”: E thamë që në fillim që ishte lajm fals, tani është një lajm fake humoristik."