1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një ëndërr ukrainase

Shumë ukrainas ëndërrojnë për Evropën. Vetëm disa kanë vetëiniciativë dhe marrin përgjegjësi.Vendi duhet të zgjidhë vetë problemet dhe të mos presë ndihmë nga jashtë, kërkojnë ata.

Lëkura të djeg ende nga nxehtësia e padurueshme e ajrit. Por dalëngadalë metropolin e lodhur ukrainas e rrok freskia e mbrëmjes. Kharkivi është qyteti i dytë për nga madhësia në Ukrainë. Në një bodrum të një ndërtese të zymtë me parafabrikate mblidhen një nga një muzikantë të rinj. "Sobaky v kosmosi", që në gjermanisht do të thotë: "Qentë në hapësirë" është emri i grupit muzikor prej gjashtë anëtarësh. Grupi ka qenë disa herë në Gjermani së bashku me autorin e famshëm ukrainas Serhii Zhadan. Edhe këtë herë djemtë bëjnë prova në studion e tyre në bodrum për një shfaqje të përbashkët në Berlin. Ajo, që publikut gjerman u shpëton në kompozimet muzikore shpesh gazmore, janë tekset kritike sociopolitike në gjuhën ukrainase. "Kjo është në fakt muzika e solidaritetit e luftës dhe e rezistencës, si të thuash rok politik", shpjegon poeti Zhadan. "Është interesante për ne, që të kapim tema serioze sociale dhe politike. Në përgjithësi muzika ukrainase është pak a shumë joagresive dhe ka pak komponentë socialë."

Rritet distanca me Evropën

Grupi muzikor Qentë në hapësirë

Grupi muzikor "Qentë në hapësirë"

Në qendër të këngëve të Zhadanit janë kryesisht politikanët e korruptuar dhe punonjësit e dhunshëm të policisë. Edhe oligarkët, sipërmarrësit e pasur, që vendosin për çdo gjë në Ukrainë, nuk kursehen. Zhadan kritikon mungesën e lirisë së shtypit dhe korrupsionin e mediave. Të gjitha këto janë tema, që në dy vitet e fundit e kanë larguar Ukrainën gjithnjë e më shumë nga Evropa.

Zhadan jeton në Kharkiv. Në Evropë qyteti është i njohur nga kampionati i futbollit 2012. Ai është gjithashtu vendi, ku udhëheqësja e opozitës Julia Timoshenko kryen dënimin. Ish-kryeministrja u dënua pas ndryshimit të pushtetit me shtatë vjet burg. Ajo akuzohet se ka abuzuar me detyrën në negociimin e një kontrate me Rusinë për furnizimin me gaz. Gjithashtu me burgim për korrupsion u dënuan disa prej ministrave të saj. Për këtë arsye e gjithë Evropa diskutonte në prag të kampionatit, në se duhej bojkotuar kampionati i futbollit në Ukrainë, për shkak të dënimit të disa opozitarëve, me sa duket për arsye politike.

Kritika nga jashtë e dëshirueshme?

Gjatë kampionatit duhet të fshihet gjendja në vend

Gjatë kampionatit duhet të fshihet gjendja në vend

Thirrjet e tilla politike nga politikanët evropianë për shkak të kushteve në vendin e tij, Serhii Zhadan i kupton mirë. Në të njëjtën kohë shkrimtari thekson vazhdimisht se Evropa duhet ta kuptojë se politika dhe shoqëria në Ukrainë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Në asnjë mënyrë nuk duhet të vihet shenja e barazimit mes njerëzve në Ukrainë dhe presidentit ukrainas e qeverisë së tij. Një bojkot vështirë se do të ndihmonte vendin për të zgjidhur problemet e tij, thotë Zhadan.

Me këto probleme ballafaqohet prej më shumë se 20 vjetësh aktivisti ukrainas i të drejtave të njeriut, Yevgen Zakharov. Ai gjithashtu jeton në Kharkiv dhe angazhohet atje për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. Në diskutimin për bojkotin Zakharov sheh disa momente pozitive. "Së paku ukrainasit me orientim properëndimor e dëshirojnë kritikën e tillë nga Evropa, një qëndrim të qartë kritik ndaj qeverisë ukrainase dhe shtetit ukrainas. Ky është një nga mjetet për të ndikuar në situatën në vend", thekson Zakharov. Sepse në fund të fundit edhe udhëheqja politike e Ukrainës, pavarësisht se cila parti është në pushtet, vështron në drejtim të Evropës, qoftë edhe vetëm për interesa biznesi, thotë Zakharov. Megjithatë Kampionati Evropian do të shkaktojë humbje të madhe imazhi për Ukrainën. Qeveria ukrainase nën presidentin Viktor Janukovic demonstron përmes politikave të saj, se sa pak i respketon vlerat evropiane.

Ukrainasit duhet t'i zgjidhin vetë problemet

Aktivisti ukrainas i të drejtave të njeriut Yevgen Zakharov

Aktivisti ukrainas i të drejtave të njeriut Yevgen Zakharov

Këto vlera janë të rëndësishme për ukrainasit, thotë shkrimtari Serhii Zhadan. "Shumë ukrainas besojnë se Evropa e sotme është "toka e premtuar", në të cilën ne të gjithë pranohemi, bëhemi të pasur, të lumtur dhe të zotët e vetës. Unë jam kundër një idealizimi të tillë, kundër entuziazmit të verbër për standardet e euros, dhe për këtë arsye edhe kundër mallit për Evropën. Sidomos kur marrim parasysh se çfarë ndodh aktualisht në BE. "Ukrainasit duhet të fillojnë më në fund të zgjidhin problemet e tyre vetë, në vend se të presin ndihmë nga Evropa. Për këtë shkrimtari Serhii Zhadan dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Yevgen Zakharov janë të një mendimi. Ukrainasit jo vetëm që duhet të zgjedhin një qeveri të re dhe të ndryshojnë të gjithë sistemin e korruptuar në vend, por ata duhet të ndryshojnë në rradhë të parë veten.

Kjo gatishmëri për të marrë vetë iniciativën ekziston, sidomos në mesin e të rinjve. Daryna Grebeniuk është vetëm 18 vjeç. Ajo duket shumë e re. Daryna është aktiviste e OJQ-së "Rinia e Aleancës Demokratike", e cila angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në vend. Specialistja e ardhshme e IT thotë: "Unë e shoh të ardhmen time në Ukrainë, por në Ukrainën, që duam të ndërtojmë ne vetë, organizata ime dhe iniciativa të tjera të shoqërisë civile, mbi bazën e vlerave të krishtera-demokratike." Kështu aktivistja e re shikon në drejtim të Evropës. "Ne duam që të jemi në të njëjtin nivel me Evropën. Por nuk është se ne rrimë vetëm para dritares dhe ankohemi se nuk na lënë të hyjmë në Evropë".

Aktivistja 18 vjecare Daryna Grebeniuk

Aktivistja 18 vjecare Daryna Grebeniuk

Daryna Grebeniuk e sheh si detyrë të sqarojë njerëzit në Ukrainë në lidhje me të drejtat e tyre. Për shembull ajo informon të sëmurët për të drejtën e garantuar me ligj për ilaçe të caktuara falas. Ajo dëshiron që spitalet të japin medikamentet e përshtatshme. Ukraina, për të cilën ëndërron Daryna, është një vend për të gjithë njerëzit, jo vetëm për oligarkët. Me këtë ëndërr ajo nuk është vetëm.

Një këngë për zgjim

Në fakt, ne jemi të humburit dhe personat, që qëndrojnë mënjanë, por pikërisht për këtë shkak ne mund të themi atë, që duam", thotë Serhii Zhadan, kur u pyet, nëse ai mund të ndikojë sado pak me muzikën e tij në shoqërinë ukrainase. Edhe Zhadan ka një vizion të qartë, se në cilën Ukrainë dëshiron të jetojë: "Në një vend pa oligarkë, ku secili ka të drejta dhe liri civile, por edhe detyra." Pra, ai vazhdon të këndojë, plot zemërim dhe shpresë në të njëjtën kohë: "Askujt nuk i interesojnë nevojat e tua, hajde zemër vëllai, çdo gjë varet prej teje!"