1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një vajzë rome kosovare ndez debatin mbi politikat e emigracionit në Francë

Artan Kutra17 Tetor 2013

Dëbimi nga Franca i një nxënëseje rome me origjinë kosovare, dobëson pozitat e qeverisë dhe trondit postin e ministrit të Brendshëm francez.

https://p.dw.com/p/1A1X1
Fotografi: Philippe Huguen/AFP/Getty Images

Adoleshentja 15-vjeçare Leonarda Dibrani, me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, është marrë nga uniformat blu të policisë dhe është dërguar drejt vendlindjes, ndërkohë që ndodhej në një autobus shkolle për piknik, së bashku me shokët e klasës dhe mësuesit e saj.
Ngjarja ka krijuar njëkohësisht një debat aq të mprehtë në qarqet politike, sa ka dobësuar pozitat e qeverisë së majtë franceze dhe ka vendosur në situatë të vështirë edhe ministrin e Brendshëm francez, Manuel Valls. Ky i fundit ka marrë kritika shumë të ashpra, sidomos nga rradhët e kampit të koalicionit të majtë qeverisës. Ndër të tjera atë e akuzojnë se po neglizhon «vlerat humaniste të së majtës» duke u justifikuar pas rregulloreve dhe ligjeve.

Për të qetësuar disi debatin këtë të mërkurë në Asamblenë Kombëtare ka ndërhyrë vetë kryeministri francez, Jean-Marc Ayrault. Ky është shprehur për mundësinë e rikthimit të vajzës kosovare së bashku me familien e saj. Ayrault ka nënvizuar : «Nëse ka ndonjë gabim mbi procedurën e largimit të nxënëses adoleshente, atëhere urdhëresa për dëbimin mund të anullohet. Në vijim do të shqyrtohet edhe një herë dosja për azil e depozituar nga familia e saj mbi bazën e drejtësisë, mbi bazën e praktikave dhe mbi bazën e vlerave franceze ».
Kryeministri sqaroi se një komision i posaçëm do të shqyrtojë dosjen administrative dhe do të japë një përgjigje brenda 48 orëve në vijim.

Ministri i Brendshëm francez, Manuel Valls, është kritikaur për deklaratat se dyshon në vullnetin e romëve për t'u integruar
Ministri i Brendshëm francez, Manuel Valls, është kritikaur për deklaratat se dyshon në vullnetin e romëve për t'u integruarFotografi: AP

Pse kjo ngjarje mori menjëherë nuanca kaq të theksuara politike në Francë ?

Debati mbi temën e emigracionit është i ndjeshëm në Francë dhe ndikon menjëherë në pozitat e koalicionit të majtë qeveritar.
Kjo polemikë vjen në një moment jo shumë të përshtatshëm për presidentin François Holland. Disa sondazhe të fundit flasin për një rënie të theksuar të popullaritetit të tij në vend. Ndërsa në pozita më të vështira gjendet ministri i Brendshëm, Manuel Valls, 51 vjeçar me origjinë spanjolle.
Ky politikan gjatë muajit shtator bëri disa deklarata shokuese. Ai shkoi deri aty sa të vinte në pikëpyetje kapacitetin dhe vullnetin e rreth 20.000 romëve, që jetojnë në Francë, për t'u integruar në jetën e vendit. Të tilla mendime shkojnë ndesh me principet humaniste të së majtës franceze, e cila thekson se vlerat e këtij vendi mund te përqafohen nga çdokush, që dëshiron të bëhet francez, pavarësisht nga origjina apo feja e secilit.
Në këto kushte delikate presidenti, François Holland, ka preferuar të mos prononcohet menjëherë. Zëdhenësja e qeverisë, Najat Vallaud-Belkacem, ka shprehur qëndrimin e presidentit, i cili preferon të mos ngutet në vendimmarrje, derisa të qartësohet situata.

Për të qetësuar debatin ka ndërhyrë vetë kryeministri francez, Jean-Marc Ayrault
Për të qetësuar debatin ka ndërhyrë vetë kryeministri francez, Jean-Marc AyraultFotografi: Patrick Kovarik/AFP/Getty Images

Shigjeta kritikuese ministri i Brendshëm Valls ka marre më së shumti prej kolegëve të tij të majtë Socialistë, nga Partia Evropiane-Ekologjike, nga të Blertët, nga Partia Komuniste etj. Qëndrimin më të rreptë e shprehu Partia e Majtë. Kreu i saj, Jean-Luc Mélenchon, kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm.
Ndërsa brenda radhëve te qeverisë i pari, që ka reaguar ashpër ishte ministri i Edukimit Kombëtar, Vincent Peillon, i cili shprehu mosmbeshtetje ndaj veprimit të ndërmarrë nga uniformat blu të policisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, ky i fundit theksoi: «Nuk dëshiroj që të ndodhin kurrë më arrestime të nxënësve gjatë procesit mësimor, apo gjatë aktiviteteve jashtë shkollore».
Në të njëjtën linjë qortuese është shprehur edhe Presidenti i Asamblese Kombëtare të Francës, Claude Bartolone, i cili theksoi mbrojtjen e «vlerave dhe të principeve të së Majtës». Ai u shpreh: «Vërtetë ekziston ligji, por ekzistojnë edhe parimet humaniste, që përbëjnë shpirtin tonë. Për këto principe kanë votuar më së shumti francezët».

Dje kreu i Partisë Socialiste, Harlem Désir, dhe Ekologjistët, që përbëjnë bazën e koalicionit qeveritar, janë shprehur për kthimin e nxënëses kosovare në shkollë.

Historiku i ngjarjes, që shkaktoi debatin e rradhës mbi politikat e emigracionit të ndjekura në Francë.

Familia e adoleshentes 15 vjeçare, Leonarda Dibrani, kishte ardhur në mënyrë jo të rregullt në territorin francez, më 26 janar të vitit 2009. Ata kishin bërë disa herë kërkesë për azil, por pa sukses. Ndonëse e kishin çuar çështjen edhe në gjykatë, kjo familie rome me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, nuk kishte arritur dot të fitonte të drejtën e azilit. Ndërkohë vajza e tyre ishte regjistruar në kolegj dhe vazhdonte vitin e tretë të shkolles së mesme në një qytezë të vogël Levier në Doubs në lindje te Frances. Në datën 8 tetor 2013 policia kishte marrë të atin e saj për ta kthyer drejt Kosovës. Të nesërmen, më 9 tetor uniformat blu shkuan përsëri në shtëpinë e saj ku morën nënën dhe 5 vëllezër e motra, që ndodheshin aty. Por adoleshentja 15 vjeçare Leonarda Dibrani nuk ndodhej në shtëpi. Ajo gjendej bashkë me shokët e klasës dhe mësuesin e saj në një autobus shkolle, i cili po udhëtonte drejt Parisit, për të vizituar, në kuadrin e mësimeve një fabrikë. Pikerisht këtu kërkohet shkelja administrative e forcave të rendit. Kryebashkiaku i qytetit merr në telefon vajzën rome dhe i kërkon të tregojë, se ku ndodhet. Vajza përgjigjet se ndodhet në autobus bashkë me klasën dhe i kalon telefonin mësuesit të saj. Autoritetet i kërkojnë shoferit të ndalet derisa të mberrijnë uniformat blu.
Debati rinis prej qytetit të Mitrovicës, ku vajza e tregon historine e saj përmes telefonit për Radion «France Inter».
Këtu fillon sensibilizimi i opinionit të gjerë dhe reagimi i menjehërshem i shoqatave, që punojnë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Francë.

Familje rome në Marsejë
Familje rome në MarsejëFotografi: DW/U. Duplantier