1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një tjetër proces kundër Berlusconit

Eliana Xhani (dpa, afp, rtr)24 Tetor 2013

Berlusconi dhe gjykatat, një histori pa fund. Ish kryeministri italian i dënuar Berlusconi, tani duhet të dalë në gjyq edhe për një akuzë korrupsioni të një senatori. Këtë herë në Napoli.

https://p.dw.com/p/1A5Wg
Ish kryeministri italian Silvio Berlusconi
Fotografi: Reuters

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi sipas të dhënave nga qarqe të drejtësisë, duhet të dalë në gjyq nën akuzën për korrupsion. Gjykatësi përgjegjës në Napoli përcaktoi 11 shkurtin si datën e fillimit të procesit. Padia e akuzon Berlusconin se i ka dhënë tre milionë euro ish senatorit Sergio de Gregorico, në mënyrë që ky t'i kundërvihej partisë së vet. Në këtë mënyrë Berlusconi është përpjekur të rrëzojë në 2006 qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Romano Prodi. Së bashku me Berlusconin është paditur edhe ish-njeriu i tij i besuar Valter Lavitola, i cili akuzohet se ka organizuar dorëzimin e parave. Deri tani për këtë akuzë nuk ka pasur deklarata nga avokatët e Berlusconit.

De Gregorico në fillim i pati mbështetur hetuesit dhe u dënua me 20 muaj burg në kuadër të së ashtuquajturës "marrëveshje juridike". Lavitola në mbrojtje të vet tha se edhe nëse vërtetohet se ka marrë në dorëzim paratë, nuk ka dëshmi se bëhej fjalë për korrupsion.

Në zgjedhjet parlamentare 2006, një koalicion i qendrës së majtë pati marrë shumicën me diferencë të vogël votash dhe pati zgjedhur Romano Prodin në krye të qeverisë. Pak muaj më vonë De Gregorio ndryshoi kamp dhe kështu kontribuoi që qeveria Prodi të rrëzohej në 2008. Zgjedhjet parlamentare që pasuan i fitoi Berlusconi.

Edhe më shumë procese

Berlusconi ka disa procese të hapura për shkak të shumë skandaleve. Së fundi një gjykatë apeli në Milano shqiptoi një dënim që e ndalon Berlusconin të mbajë poste publike për një periudhë dyvjeçare. Në proces bëhej fjalë për mashtrim fiskal në shuma miliardëshe në koncernin mediatik të Berlusconit, Mediaset.

Ish-kryeministri italian pas vendimit të gjykatës dhe një dënimi me fuqi ligjore për heqje lirie, kërcënohet nga humbja e vendit në Senat. Dënimi i shpallur në Milano megjithatë nuk ka pasoja për senatorin Berlusconi, pasi prioritet do të ketë një vendim i Senatit për përjashtimin e tij. Ky vendim pritet në nëntor.

Nëse Berlusconi përjashtohet nga Senati, do të humbiste në të njëjtën kohë edhe imunitetin si deputet. 77-vjeçari u dënua në verë në instancë të fundit me katër vjet heqje lirie për mashtrim fiskal. Pas një amnistie dënimi u reduktua në një vit.

Çështja e përjashtimit të Berlusconit nga Senati kohët e fundit vuri para një sprove edhe koalicionin qeverisës në Itali mes Partisë Demokratike dhe partisë tij, Populli i Lirisë (PdL). Por një rebelim i deputetëve dhe senatorëve të PdL shmangu prishjen e koalicionit qeverisës, që do të kishte pasoja të rënda për ekonominë e Italisë.