1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një qartësi në qëndrim që shkatërron shpresat

Peter Philipp22 Prill 2008

Pas bisedimeve me ish-presidentin amerikan Karter shefi i Hamasit deklaroi se organizata e tij është e gatshme ta pranojë themelimin e shtetit palestinez në kufijtë e e vitit 1967, por pa e njohur shtetin e Izraelit.

https://p.dw.com/p/DmDD
Qeveria izraelite nuk i mori seriozisht nismat diplomatike të ish-presidentit amerikan dhe nuk u takua me të pasi ky kishte biseduar me Hamasin.
Qeveria izraelite nuk i mori seriozisht nismat diplomatike të ish-presidentit amerikan dhe nuk u takua me të pasi ky kishte biseduar me Hamasin.Fotografi: AP / picture-alliance / dpa/dpaweb / Fotomontage DW

Kush do paqen, duhet të jetë i gatshëm të bisedojë edhe me armiqtë e tij. Këtë këndvështrim pati vite më parë presidenti i sotëm izraelit, Shimon Perez, në kohën kur ndërmjetësuesit e tij zhvillonin bisedime sekrete me Organizatën për Çlirimin e Palestinës të Jaser Arafatit.

Tani që ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter po kërkon të njëjtën gjë nga Hamasi islamist, ai përballet me refuzimin e Izraelit. Negociatat nuk mund të zhvillohen, sepse "Hamasi" vazhdon të kërkojë shkatërrimin e Izraelit dhe nuk është i gatshëm për bisedime të paqes me Izraelin.

Pikërisht këtë qëndrim mohoi ish-presidenti amerikan ditën e hënë. Pas bisedimeve me udhëheqësin e Hamasit, Khlaed Mashal në Damask, Karteri deklaroi se grupi radikal palestinez, do të ishte i gatshën për paqe me Izraelin dhe se nuk do të minonte përpjekjet për paqen që ndërmerren nga rivali politik, Mahmud Abaz. Një arsye kjo të vëzhgosh me vëmendje zhvillimet, sepse brenda dy javësh ky është sinjali i dytë që vjen shefi i Hamasit, se organizata e tij do të pranonte variantin ndërkombëtar me dy shtete. Një shtet palestinez përbri Izraelit.

Qeveria izraelite nuk i mori seriozisht këto nisma diplomatike të ish-presidentit amerikan dhe nuk u takua me të pasi ai kishte biseduar me Hamasin. Pa marrë parasysh që me këtë injorohet një personalitet politik, i cili dikur mundësoi paqen mes izraelitëve dhe egjiptinëve, ndërsa sot si person privat përpiqet për zgjidhjen e konfliktit palestinez, vlerësimi i Izraelit ndaj qëndrimit të Hamasit, duhet të konfirmohet para se Xhimi Karter të largohet nga Lindja e Mesme.

Hamas i gatshëm për një armëpushim dhjetëvjeçar me Izraelin

Në Damask, Khaled Mashal siguroi se Hamasi nuk do të ishte i gatshëm edhe në të ardhmen të njihte Izraelin dhe të jetonte në paqe me të. Por në rast se Izraeli do të tërhiqej nga zonat e pushtuara në vitin 1967 në perëndim të Jordanit dhe do të lejonte kthimin e refugjatëve palestinezë, atëherë organizata e tij do të ishte e gatshme për një armëpushim dhjetëvjeçar me Izraelin. Ndërsa njohja e tij nuk shtrohet për Hamasin.

Një qartësi e tillë në qëndrim nuk është keq, edhe pse ajo shkatërron shpresat, që u mbollën nga vetë Khaled Mashali. Sigurisht që është dëshpëruese të shohësh se si Hamasi nuk di të menaxhojë realitetin. Funksionari më i lartë i lëvizjes islamiste duhet ta ketë kuptuar që Izraeli nuk mund të hiqet si problem vetëm po ta injorosh, dhe se sulmet me raketa ndaj Izraelit më shumë dëmtojnë palestinezët se sa Izraelin. Sepse Jeruzalemi kundërpërgjigjet në mënyrë ofensive, e palestinezët në zonën e Rripit të Gazës po zhyten gjithnjë e më tepër në varfëri dhe izolim, ndërsa bota e jashtme nuk është e gatshme të ndihmojë, sa kohë që kjo organizatë i mbetet besnike ideologjisë së shkatërrimit.

Ish-udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Jaser Arafat, i kishte kuptuar të gjithë këta faktorë, prandaj mori rrugën atëherë për në Oslo. Një kthesë historike në historinë e Lindjes së Mesme. Por paqja nuk është arritur ende dhe shpresa e presidentit Bush për të arritur marrëveshje e paqes këtë vit, duket se nuk do të realizohet. Izraeli ka pjesën e vet të përgjegëjsisë për këtë zhvillim, përkrahësit e Hamasit po ashtu: Edhe për ata vlen qëndrimi, se duhet folur me armikun, për të arritur paqen. Qëndrimi i kundërt mbahet, vetëm kur nuk e do paqen. Për këtë pastaj duhet të jesh gati për të marrë mbi vete pasojat.