1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një fjalim i pazakontë - Papa Benedikti i XVI-të foli në parlamentin gjerman

23 Shtator 2011

Rrallë herë një fjalim në parlamentin gjerman do të kishte shkaktuar aq shumë interes qysh më parë, si ai i Papës. Shumë deputetë munguan në seancë. Ata humbën rastin të ndiqnin një fjalim të pazakontë.

https://p.dw.com/p/12f0C
Papa Benedikti XVI. në Bundestag
Papa Benedikti XVI. në BundestagFotografi: dapd

Një Papë para parlamentit gjerman, kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Në parlament zakonisht flitet  për opinionin publik. Por Benedikti XVI. iu drejtua vetë deputetëve, duke marrë parasysh se shumë njerëz para televizorëve nuk do të ishin në gjendje ta ndiqnin atë.

Papa gjatë meshës në stadiumin olimpik të Berlinit
Papa gjatë meshës në stadiumin olimpik të BerlinitFotografi: picture alliance/dpa

Nuk ishte vetëm lëndë e rëndë filozofike, ajo që Papa kishte për t'u thënë përfaqësesve të popullit gjerman, e vështirë edhe për shumë deputetë, siç pohuan duke dalë nga salla. Ai u foli atyre për atë që është detyra e tyre, dmth:

"Politika duhet të bëjë përpjekje për të sjellë drejtësi dhe në këtë mënyrë të krijojë parakushtet për paqe. Natyrisht një politikan do të kërkojë suksesin, pa të cilin as që do të kishte mundësinë e karrierës politike. Por suksesi është sekondar në raport me kriterin e drejtësisë, dëshirën për të qenë i drejtë dhe të kuptuarit e së drejtës."“

Por që të bën të shtrosh pyetjen: „Si mund ta dini, se çfarë është e drejtë?“

Këtu profesori në petkun e Papës hyri thellë në filozofinë ligjore evropiane. Ai kujtoi bashkimin e ligjit grek dhe romak në teorinë e ligjit natyral, që i sheh themelet e ligjit jashtë lirisë së njeriut për të vendosur. Kjo doktrinë e ligjit natyral është përvetësuar nga krishterimi i hershëm dhe është lidhur me besimin hebraik tek Zoti.

Papa Benedikti i XVI-të gjatë fjalimit në Bundestag
Papa Benedikti i XVI-të gjatë fjalimit në BundestagFotografi: dapd

Që aty Benedikti kaloi fillin në mesjetën evropiane, në iluminizmin, në kushtetutën gjermane me dinjitetin e njeriut, të garantuar në të, dhe me deklaratën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Për të konstatuar pastaj një shkëputje dramatike nga kjo traditë në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar, për të cilën ndoshta nuk ishin të vetëdijshëm asnjë nga dëgjuesit. Në vend të ligjit natyral ka hyrë një koncept natyral, që i shprehur në mënyrë të thjeshtuar, njeh vetëm shkakun dhe pasojën.

"Një koncept pozitivist për natyrën, që e kupton natyrën si thjesht funksionale, siç e njeh atë shkenca, nuk mund të jetë urë për tek etika dhe ligji, por nga ana tjetër do të prodhojë vetëm përgjigje funksionale."

Se çfarë donte të thoshte me këtë kreu i Kishës Katolike është e qartë: Evropa po humbet themelet e saj shpirtërore, të cilat kanë krijuar idetë e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut. Por Benedikti sheh edhe shpresë - dhe përmend lindjen e lëvizjes ekologjiste në vitet shtatëdhjetë. .

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: cc2.5 Fabio Pozzebom/ABr/DW

"Të rinjtë ishin bërë të vetëdijshëm se diçka në marrëdhëniet tona me natyrën nuk është në rregull, se materia nuk është material për të bërë diçka me të, por që toka mban në vetvete dinjitetin e saj dhe ne duhet të ndjekim udhëzimet e saj."

Dhe pastaj ai u tha në fytyrë jo vetëm të Gjelbërve, krejtësisht të befasuar, por të gjithë deputetëve, se njeriu nuk është vetëm mendje dhe vullnet, por edhe natyrë. Dhe se kjo në gjetjen e drejtësisë, pra në pyetjen: "Si mund të dini, se çfarë është e drejtë", nuk duhet të lihet mënjanë. Pa përmendur çështjen e kërkimeve në qelizat embrionale dhe të drejtën për të abortuar, secili në sallë e merrte me mend, se çfarë donte të thoshte Papa. Pavarësisht nga ky paralajmërim i pakamufluar Benedikti XVI. u duartrokit në fund nga deputetët e të gjitha fraksioneve, të ngritur në këmbë.

 

Autor: Peter Stützle / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti