1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një duel me dy fitues

Naomi Conrad/Bahri Cani3 Shtator 2013

Partitë SPD dhe CDU thonë se kandidatët e tyre kanë fituar duelin televiziv. Por Angela Merkel dhe Peer Steinbrück duhet të ofrojnë edhe argumente të tjera. Partitë më vogla mund të vendosin për koalicionin qeveritar.

https://p.dw.com/p/19aNM
Dueli Angela Merkel - Peer Steinbrück
Dueli Angela Merkel - Peer SteinbrückFotografi: picture-alliance/dpa

Vetëm pak orë pas përfundimit të duelit televiziv mes kancelares Angela Merkel (CDU) dhe kundërkandidatit të saj Peer Steinbrück (nga SPD), shikuesit kanë bërë nga pëgjigjet e tyre një këngë të stilit muzikor "rap" dhe e kanë futur në internet. Një nga komentet që mund të lexohet është: "Edhe në Youtube tingëllon keq". Në shumë komente në internet thuhet se dueli që ka zgjatur 90 minuta ka qenë monoton.

Politikanët dhe partitë e Merkel dhe Steinbrück kanë një mendim tjetër. Ata thonë se dueli të cilin e shikuan 17,5 milionë njerëz ka zgjuar interesim të madh. Kryetari i socialdemokratëve Sigmar Gabriel foli për një mbrëmje shumë interesante. Kandidati i partisë së tij Steinbrück "ka pasur argumentet më të mira dhe ka qenë i bindshëm në përgjigjet e tij". Ai ka reaguar si duhet dhe i ka kundërshtuar me sukses argumentet e kancelares Merkel, nëse ajo kishte ndonjë argument.

Dueli Angela Merkel - Peer Steinbrück
Dueli Angela Merkel - Peer SteinbrückFotografi: picture-alliance/dpa

Gabriel u paraqit i bindshëm dhe luftarak: Dueli televiziv e ka dhënë sinjalin për intensifikimin e fushatës parazgjedhore. "Asnjëherë nuk ka qenë ndonjë duel kaq i bindshëm në favor të një kandidati", thotë Gabril, i cili mendon se Steinbrück ka fituar bindshëm. Gabriel në veçanti nënvizon sondazhet ku thuhet se Steinbrück ka fituar 19 % më shumë votues të pavendosur se sa kancelarja aktuale. Pikërisht këta votues janë të domosdoshëm për socialdemokratët.

Gara kokë më kokë

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Hermann Gröhe mendon ndryshe. Ai pohon se kancelarja Merkel ka fituar bindshëm duelin: "Ajo ka shënuar pikë me paraqitje kompetente, me mbledhjen e simpative dhe me besueshmëri". Ndërsa Steinbrück nuk ka dhënë përgjigje në shumë pyetje. "Ai nuk ka pasur përgjigje të qarta", thotë Gröhle. Por as ai nuk është i bindur se CDU-ja i ka fituar zgjedhjet. Kjo është vetëm një fitore në fushatë, ndërsa fitorja përfundimtare duhet të arrihet në ditën e zgjedhjeve me 22 shtator. Gara edhe më tej është kokë më kokë.

Në duel televiziv nuk ka mundur të marrë pjesë asnjë kandidat i partive më të vogla. Por politikanët e ekologjistëve, liberalëve dhe të të Majtës, e kanë përcjellë me vëmendje këtë duel. Debati ka treguar se shumë zgjedhës ende janë të pavendosur se kujt t'ia japin votën, thotë udhëheqësi i listës së ekologjistëve Jürgen Trittin. Patia e tij do të futej në koalicion me socialdemokratët në rast fitoreje. Steibrück i cili në këtë fushatë është futur si humbës, ka daluar nga ky duel i barabartë, e sipas disa sondazheve ishte madje edhe më i mirë se kancelarja Merkel. "Kjo tregon se shumë zgjedhës ende nuk kanë vendosur se kujt do t'ia japin votën", thotë Trittin.

Dueli i partive më të vogla

Koalicionin e tanishëm qeveritar e përbëjnë partitë e Unionit CDU/CSU dhe liberalët (FDP). Udhëheqësi i listës së liberalëve Rainer Brüderle, thotë se nëse SPD dhe CDU nuk duan një koalicion të madh, atëherë partitë e vogla janë ato që do të vendosin se kush dotë jetë kancelari i ardhshëm. Kolaicionin e madh nuk e duan as Merkel dhe as Steinbrück. Brüderle rikujton se kancelari në Gjermani nuk zgjidhet me vota të drejtëpërdrejta por nga partitë. Ndaj dueli televiziv nuk mund të vendosë se kush do të jetë kancelar. Liberalët janë të interesuar të vazhdojnë koalicionin e tanishëm.

Këtë të hënë do të mbahet edhe dueli i udhëheqësve të listave të liberalëve Rainer Brüderle, ekologjistëve Jürgen Trittin, dhe të Majtës Gregor Gysi. Ata mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në koalicionet e ardhshme.