1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një aksident hekurudhor shokon Spanjën

ml/qu (afp, rtr, dpa) A Verbica25 Korrik 2013

Treni ishte rrugës nga Madridi për në El Ferrol, kur ndodhi aksidenti. Disa kilometra para Santiago de Compostela treni me më shumë se 200 pasagjerë doli nga shinat. Ka shumë të vdekur dhe të plagosur.

https://p.dw.com/p/19E0q
epa03800010 General view of the train accident of a train travelling from Madrid to Ferrol which was derailed close to Santiago de Compostela, Galicia, Spain on 24 July 2013. No details of fatalities or injuries have been made availble by the train operatives. EPA/OSCAR CORRAL
Fotografi: picture-alliance/dpa

Fotografitë nga vendi i aksidentit bëjnë të qarta përmasat e tij. Autoriteteve iu duhej të korrigjonin vazhdimisht numrin e të vdekurve, duke e ngritur atë. Sipas qeverisë së krahinës autonome të Galicias të paktën 77 njerëz kanë humbur jetën, më shumë se 140 vetë janë plagosur.

Shkaku i aksidentit është ende i paqartë. Në disa njoftime thuhet se treni mund të ketë shtuar shpejtësinë në një kthesë. Kompania spanjolle e hekurudhave Renfe e quajti këtë deklaratë "shumë të rrezikshme". Pamjet e vendit të aksidentit tregonin vagonë të përmbysur dhe të ngatërruar me njëri-tjetrin, prej të cilëve të paktën njëri është shkatërruar tërësisht. Nga çatia e lokomotivës shpërthyen flakët. Sipas zëdhënësit të hekurudhave aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:00, pak kilometra para stacionit hekurudhor të Santiago de Compostelës.Treni me 238 pasagjerë ndodhej rrugës nga Madridi për në El Ferrol.

Santiago de Compostela është kryeqyteti i rajonit autonom të Galicias dhe një qendër e rëndësishme pelegrinazhi. Të enjten atje do të zhvillohej një festë për nder të shenjtorit mbrojtës të rajonit, Shën Jakobit. Autoritetet i anulluan festimet e planifikuara për shkak të aksidentit.