1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nivel shqetësues prostitucioni në Afganistan

Edhe pse prostitucioni është i ndaluar dhe tabu në Afganistan, sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ai po përhapet atje. Kryesisht pas tij fshihen detyrimi dhe vështirësitë ekonomike.

Yaseem, prostitutë afgane e shitur në moshën 12 vjeçare.

Prostitucioni është i ndaluar me ligj në Afganistan. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk ekziston në këtë vend thellësisht konservator. Për shkak të mureve zakonisht të larta të shtëpive nga jashtë, nuk ka ndonjë shenjë ku klienti që kërkon një prostitutë mund të dallojë se në cilat shtëpi jetojnë tutorët dhe prostitutat. Por kush i kërkon ato edhe mund t'i gjejë. Këtë njeriu mund ta zbulojë edhe në rrugë. Ai i ndez dritat e makinës një gruaje në rrugë të mbuluar me burkë. Nëse ajo i jepë shenjë, ai e di se është "në adresën e duhur".

Heather Barr nga sektori për Azinë në Organizatën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Human Rights Watch flet për një shtet konservator siç është Afganistani për një shkallë çuditërisht të lartë të prostitucionit. Por arsyeja nuk është se gratë zgjedhin vullnetarisht për ta bërë këtë punë. "Në mars, organizata jonë kishte publikuar një raport mbi gratë në Afganistan, të cilat ndodhen në burg për krime "morale". Unë kam folur me këto gra dhe jam habitur se sa shumë gra kanë qenë të detyruara nga bashkëshortët dhe familjet e tyre të merren me prostitucion."

Arsye kryesore varfëria

Varfëria është shkaku kryesor që i shtyn gratë drejt prostitucionit

Varfëria është shkaku kryesor që i shtyn gratë drejt prostitucionit

Arsyet për këtë praktikë çnjerëzore janë kryesisht varfëria dhe varësia e burrave nga droga. Shpesh familjet i shohin gratë e reja si një burim të të ardhurave të tyre.Siç njoftojnë Organizatat Joqeveritare, ka disa kohë që nga Pakistani sillen gra në Afganistan për të ushtruar prostitucion. Kufiri ndërmjet dy vendeve nuk është nën kontrollin e qeverisë, kështu që kontrabandistët mund të transportojnë pa problem njerëz dhe mallra. Sapo të jenë dërguar në anën tjetër të kufirit gratë e reja janë të pafuqishme dhe duhet t'i binden urdhërave të tutorëve të tyre. Si kjo grua nga Pakistani për shembull, e cila nuk dëshiron t'i përmendet emri. Tani ajo jeton në Xhalalabad , larg nga vendlindja e saj Karaçi. "Ne jemi të varfra dhe të pafuqishme. Çfarë mund të bëjmë pra? Ne nuk kemi as për të ngrënë. Prandaj, "i madhi" na ka sjellë këtu nga Karaçi. Askush nuk e bën këtë punë me kënaqësi, por unë nuk kam zgjedhje tjetër."

Prostitucioni i ndaluar sipas të drejtës afgane dhe islamike

Shpesh gratët detyrohen nga familjet e tyre të ushtrojnë prostitucionin

Shpesh gratët detyrohen nga familjet e tyre të ushtrojnë prostitucionin

Gruaja e re nuk flet as Dari as Pashtu, gjuhët vendore në Afganistan. Ajo nuk e di se me kë mund të kontaktojë dhe njëkohësisht ka frikë nga pasojat e mundshme të veprimeve të saj dhe forca e tutorit të saj, "i madhi", siç e quan ajo. Por edhe ky "i madhi" thotë se motiv kryesor që gratë duhet të ushtrojnë prostitucion është varfëria. "Unë e bëj këtë sepse jam i varfër. Kështu fëmijët mund të kenë diçka për të ngrënë në tryezë. Unë jam i vetdijshëm se kërcënohem nga përbuzja shoqërore dhe në rastin më të keq edhe nga vdekja." Megjithatë, ai këmbëngul se në asnjë mënyrë nuk i detyron gratë që të merren me prostitucion.

Prostitucioni, vullnetar apo i detyruar, është i ndaluar sipas të drejtës afgane dhe islamike. Kleriku Nek Mohammad punon në një gjykatë në krahinën lindore të Nangarharit dhe është këshilltar mbi çështjet islame. Prostitucioni dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë kundër parimeve islame dhe janë të ndëshkueshme, thotë ai. "Së paku katër dëshmitarë duhet të dëshmojnë për krimin dhe nëse njëri prej pjesëmarrëve në prostitucion, klienti i prostitutës ose prostituta, është e martuar, atëherë ai ose ajo duhet të vritet duke u qëlluar me gurë. Nëse ata nuk janë të martuar atëherë dënimi është rrahje me kamzhik."