1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nismë kundër propagandës së IS-it

Grupi terrorist IS përdor sidomos mediat sociale si platformë për propagandën e vet. Pas publikimit të videos së vrasjes së gazetarit amerikan James Foley filloi një kundërnismë për mospërhapjen e videove të tilla.

default

Gazetari James Foley në Alepo, Siri

Videoja me titullin "Një mesazh për Amerikën" tregon për gati pesë minuta gazetarin James Foley të ulur në gjunjë në rërën e shkretëtirës. Pas tij qëndron xhelati, i mbuluar me një maskë të zezë, një luftëtar i IS-it. Grupi terrorist "Shteti Islamik" (IS, më parë ISIS) thotë se i preu kokën fotografit nga SHBA si hakmarrje për sulmet ajrore amerikane. Autoritet amerikane thanë se videoja është autentike.

Kundërnisma ndaj strategjisë propagandistike të IS-it

Menjëherë pas publikimit të videos filloi një kundërnismë: Në hashtag-un "#ISISmediaBlackout" bëhet thirrje për të mos e parë as këtë video dhe video të tjera të grupit terrorist dhe për të mos i përhapur ato. Kjo thirrje është përhapur me mijëra herë herë nëpërmjet Twitterit.

Grupi terrorist IS përdor sidomos mediat sociale si platformë për propagandën e vet. Përmes rrjeteve sociale shpërndahen rregullisht video, fotografi dhe mesazhe që tregojnë për veprimet e tyre brutale. Qëllimi i ofensivës mediale është që të motivojnë ithtarë për aksionet e tyre dhe që të frikësojnë kundërshtarët.

Videon me prerjen e kokës terroristët e vunë në YouTube dhe e lidhën prej atje me Twitter. YouTube e ka hequr ndërkohë videon nga rrjeti. Por deri sa platforma të tilla si YouTube të reagojnë duke i fshirë nga rrjeti, zakonisht kalon një farë kohe. Deri atëherë mesazhet terroriste shpesh janë përhapur disa mijëra herë.