1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shqipëria 1990

Nisja – përmes Ambasadës drejt Perëndimit

Të premten në Tiranë u zhvillua një panel diskutimi me temë: “Nisja – përmes Ambasadës drejt perëndimit”që kishte në qendër ngjarjet e 20 viteve më parë. Në korrik 1990 rreth 3200 vetë hynë në Ambasadën gjermane.

Paneli i diskutimit “Nisja – përmes Ambasadës drejt perëndimit”.

Paneli i diskutimit “Nisja – përmes Ambasadës drejt perëndimit”.

Paneli i diskutimit kishte një pjesëmarrje të larmishme. Ishin dëshmitarë okularë, të cilët iu kthyen kujtimeve të tyre nga këndvështrime të ndryshme. Sepse në fillim të korrikut të vitit 1990 ata ishin në pozicione të ndryshme: Ylli Bodinaku dhe Vilma Filaj - Ballvora ishin në mesin e rreth 3200 refugjatëve që ndodheshin brenda ambjenteve të ambasadës Gjermane; Fatos Lubonja i përjetonte këto ngjarje nga qelia si një i burgosur politik nga diktatura; Hilmar Marohn kishte marrë detyrën nga Kryqi i Kuq Gjerman për të menaxhuar lëvizjen e refugjatëve gjatë transferimit nga Bari i Italisë për në territorin gjerman; diplomati në pension, Dr. Christian Nakonz, ishte funksionari më i lartë ne ambasadën gjermane pas ngjarjeve të korrikut, 20 vite më parë.

Moderatori i panelit, gazetari gjerman Alfred Eichhorn, shfrytëzoi mjaft mirë pozicionin e secilit prej oratorëve për ta dinamizuar kujtimin e atyre ngjarjeve të bujshme. Duke kaluar herë në ambjentet e ambasadës, herë jashtë tyre, herë në planin humanitar dhe herë në atë diplomatik. E gjithë e shkuara u trajtua me fokusin e perspektivës së proceseve demokratizuese në Shqipëri, në relatat mes dy vendeve.

Paneli i diskutimit “Nisja – përmes Ambasadës drejt perëndimit”

Paneli i diskutimit “Nisja – përmes Ambasadës drejt perëndimit”

Ylli Bodinaku, njeriu që çau i pari murrin e ambasadës gjermane me automjetin e tij, nuk harron asnjë detaj qoftë dhe të parëndësishëm nga aventura, siç e quan ai, “që theu frikën ndaj regjimit Stalinist të Tiranës”. Si një ish i burgosur politik për Bodinakun kishte humbur durimi në popull se pasuesi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, mund të lejonte ndryshime si ato që ndodhnin në ish Lindjen komuniste.

Publicisti Fatos Lubonja kujton se në burg depërtonin lajme për atë që ndodhte në selitë diplomatike të huaja në ato ditë korriku. Mes të burgosurve politikë kishte nga ata që i shikonin me optimizëm situatat, ndërkohë që nuk mungonin dhe skeptikët. Për Lubonjën propaganda komuniste për herë të parë reagoi, sepse u organizua dhe një meting për të dënuar aktin e hyrjes nëpër ambasada. U dha një version i manipuluar për ngjarjet. “Në këtë version ndjehej dobësia. Ishte një ngjarje e paparë në historinë e Shqipërisë, sepse përgjithësisht regjimi kishte dhënë gjithmonë idenë e intrasigjencës, por për herë të parë filluan të duken të çarat që pastaj u thelluan dhe sollën rënien”.

Drejtuesja e programit shqip të Radios Deutsche Welle në Bon, Vilma Filaj – Ballvora ishte spikere në Televizionin Shqiptar në kohën kur hyri në ambasadën gjermane në Tiranë. Fryma kritike si e shikonte ajo dhe familja e saj realitetin në kohën e diktaturës, papajtueshmëria dhe pakënaqësia për atë që ndodhte e shtynë drejt vendimit për të qënë dhe ajo në mes të refugjatëve që kërkuan të largohen jashtë vendit nëpërmjet ambasadës gjermane. “Nuk e dija më parë se sa vetë ishin në personelin e ambasadës gjatë atyre ditëve të vështira. Më pas mësova se ata ishin vetëm 15 vetë. 15 vetë për rreth 3200 refugjatë. Nuk gjej fjalë për ta përshkruar punën dhe përkushtimin e tyre. Ata ishin 15 heronj të vërtetë”.

Korrik 1990

Korrik 1990

20 vite më parë Hilmar Marohn, kryetar bashkie në Altenhof të Schleswig-Holstein, mori detyrën nga Kryqi i Kuq Gjerman që të ishte përgjegjës për mbikqyrjen e refugjatëve gjatë transferimit të tyre nga Bari i Italisë. Në panel Marohn kishte me vete ditarin personal të atyre ditëve. Kishte fiksuar gjithçka qysh nga 11 korriku 1990 kur nisi misionin dhe për gjatë gjithë udhëtimit gati biblik të refugjatëve me tren nga Italia për në territorin gjerman. Situata të papritura, vështirësi në komunikim me ata që nuk dinin gjuhë të huaj, vendime të shpejta për të evituar problemet shëndetësore e psikologjike, mbajtje e rregullit dhe trajtim për të gjithë pa përjashtim. Për Hilmar Marohn ato ishin momente të një solidariteti të jashtëzakonshëm njerëzor.

Dr. Christian Nakonz mbërriti në Tiranë si funksionari më i lartë i ambasadës gjermane pak më shumë se dy muaj pasi kishin ndodhur ngjarjet e korrikut të vitit 1990. Një situatë shumë e nderë ekonomike dhe sociale për popullatën, por dhe shumë e vështirë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Dr. Nakonz, tani në pension, gjatë qëndrimit të tij në detyrë deri në vitin 1991 përjetoi ndryshime të mëdha që nisën në Shqipëri, lëvizjen studentore, krijimin e partive opozitare etj., si treguesit e orientimit të vendit drejt proceseve demokratike, për funksionimin e ekonnomisë së tregut të lirë, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut etj. Sipas tij ndihma e mëpasme e Gjermanisë për Shqipërinë ka qënë nëpërmjet projekteve dhe programeve për zhvillim.

Korrik 1990

Korrik 1990- Ambasada gjermane në Tiranë

Interes për auditorin gjatë diskutimit të panelistëve ishin dhe refleksionet e tyre për zhvillimet social – politike gjatë këtyre dy dekadave, pritmëritë e publikut, performancat qeverisëse, atmosfera politike dhe perspektivat e vendit nga një vend anëtar i NATO-s në objektivin drejt anëtarësimit me të drejta të plota në BE.

“Nisja-përmes Ambasadës drejt perëndimit” u mbështet nga Ambasada Gjermane dhe Instituti “Gëte”. Partnerë mediatikë ishin Radio Deutsche Welle dhe Televizioni Publik Shqiptar. Gjatë panelit të diskutimit u përdorën dhe materiale filmike të përgatitura nga programi shqip i Radios Deutsche Welle, që prej muajsh ka të publikuar një dosje të pasur multimediale ne faqen e vet të internetit mbi 20 vjetorin e ngjarjeve të ambasadave në Shqipëri.

Edhe Instituti “Gëte” si bashkëorganizator i aktivitetit ka hartuar një kolazh projektesh që trajtojnë çështjen e kujtesës kolektive, që janë publikuar në faqen e internetit të këtij institucioni mjaft prezent me aktivitet në Shqipëri.

Sipas organizatorëve të panelit të diskutimit kujtimi ngjarjeve të tilla në mënyrë publike është një privilegj. Diskutime të tilla shikohen si gurë mozaiku të kujtimeve në poçeset e transformimit politik në Evropë. Për të hedhur dritë edhe mbi një pikë të përbashkët në historinë gjermane dhe shqiptare.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 01.11.2010
  • Fjalët kyç ballkani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PuVe
  • Data 01.11.2010
  • Fjalët kyç ballkani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PuVe