1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Nisin negociatat në Stamboll për programin atomik iranian

Raundi i bisedimeve mes përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe Iranit zhvillohet me 21. dhe 22. janar në Stamboll. Takimi është vazhdim i një raundi negociatash, që u zhvilluan në Gjenevë me 6 dhe 7 dhjetor.

default

Specialist iranian në Isfahan, 255 milje në jug të Teheranit.

Në Stamboll ka filluar një raund të ri bisedimesh për kursin e diskutueshëm të Iranit në politikën bërthamore. Në hapje të negociatave Republika Islamike kërkoi heqjen e sanksioneve të vendosura kundër saj. Vetëm kështu mund të zhvillohen negociata të tjera, deklaruan anëtarët e delegacionit.

Shumë shtete dyshojnë se Irani me pasurimin e uraniumit kërkon të arrijë të jetë në gjendje për të ndërtuar edhe armë bërthamore. Qeveria në Teheran e hedh poshtë këtë. E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme Catherine Ashton, në emër të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të OKB-së (Kina, Franca, Britania e Madhe, Rusia, SHBA) dhe Gjermanisë bisedoi për herë të parë pas 13 muajsh me kryenegociatorin iranian.

Europa Reform Vertrag tritt in Kraft 1. Dezember 2009

Catherine Ashton e ngarkuara e BE për politikën e jashtme.

Stambolli u zgjodh si vendi i konferencës, sepse Turqia, megjithëse anëtare e NATO-s, ka pasur traditionalisht marrëdhënie të mira me Iranin. E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Katrin Ashton, nuk e saktësoi qartë, se përse do të negociohet :

"Irani dhe ne kemi rënë dakord të vazhdojmë negociatat në fund të janarit në Stamboll. Atëherë do të diskutojmë për mënyrat dhe mjetet, për të cilat preokupohemi për shkak të problemit bërthamor."

Askush nuk do dhe nuk mund ta pengojë, që Irani si anëtar i Agjencisë për Energjinë Atomike, të përdorë energjinë bërthamore për nevoja civile. Ky vend prej vitesh i është ekspozuar dyshimit, se gërsheton programin e tij atomik me ambicie ushtarake. Rolf Mützenich, Ekspert për Lindjen e Mesme dhe anëtar i PSD në komisionin e Punëve të jashtme të Bundestagut gjerman:

"Besoj se Irani mund ta shmangë këtë dyshim, vetëm nëse u përgjigjet të gjitha pyetjeve, që i ka shtruar Agjencia e Energjisë Atomike, që siç duket ka akoma paqartësi. Dhe së dyti t'u lejojë inspektorëve të Agjencisë ndërkombëtare të Energjisë Atomike të kontrollojnë të gjitha impiantet dhe të nënshkruajë protokollin shtesë të traktatit për bllokimin e armëve bërthamore."

Rolf Mützenich

Rolf Mützenich, Ekspert për Lindjen e Mesme.

Çështje e diskutueshme është mbi të gjitha ndërtimi i centrifugës për pasurimin e uraniumit. Sidomos në impiantin bërthamor pranë qytetit të shenjtë të Kumit. Ky impiant i hapur në vitin 2009, për shkak të kapacitetit të tij të vogël me 3000 centrifuga, shton dyshimin se është ndërtuar vetëm për procesin e pasurimit të uraniumit, pra për qëllime ushtarake. I vetmi central atomik iranian në qytetin port Bushehr, i cili pas vonesave të gjata do të lidhet në shkurt me rrjetin, i merr shufrat e karburantit nga Rusia. Në Teheran që nga viti 1968 ka një reaktor për qëllime hulumtuese, që përdor uranium të pasuruar me 20 përqind, të cilit i nevojitet uranium me përqindje më të madhe pasurimi.

Për funksionimin e termocentraleve bërthamore konvencionale mjafton pasurimi me dy deri pesë përqind, për qëllime kërkimore janë të nevojshëm deri në 20 përqind , kapaciteti për prodhimin e armëve fillon në vlerën 85%.

Irani më i gatshëm se më parë për "deal" me perëndimin?

Një rrugë për zgjidhjen e konfliktit do të ishte depozitimi i kontrolluar i uraniumit me pasurim të dobët nga Irani jashtë shteti, në këmbim të uraniumit me pasurim më të lartë, i cili i nevojitet Iranit për institucionet mjekësore.

"Kjo është provuar të bëhet një vit e gjysëm më parë në Gjenevë, por ka dështuar për shkak të situatës së brendshme politike dhe kundërshtarëve të Presidentit Ahmadinexhad, të cilët nuk dëshironin të bënin "deal" me perëndimin. Tani situata është më e favorshme, mund të ketë sukses si masë për ndërtimin e besimit dhe është teknikisht logjike."

Ahmadinejad mit Uran Zentrifugen

Ahmadinexhad i interesuar në radhë të parë për zhvillimin e ekonomisë.

Me qëllim që të konsolidojë pozicionin e tij të brendshëm, presidenti Ahmadinexhad është i interesuar në rradhë të parë për zhvillimin e ekonomisë, që pengohet nga sanksionet e perëndimit kundër Iranit. sidomos në SHBA u dëgjuan së fundi zëra, që ishin për ashpërsimin e sanksioneve kundër Teheranit për shkak të programit të tij atomik. Kryeministri izraelit Netanjahu në fillim të janarit shkoi aq larg, sa i quajti sanksionet me kuptim vetëm nëse ato do të ishin të lidhura me kërcënimin e forcës ushtarake.

"Unë nuk mendoj se ky është presioni i mjaftueshëm për të detyruar regjimin në Iran të ndryshojër kursin në çështjet bërthamore, pa një opsion ushtarak nga ana e komunitetit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA."

SHBA dhe evropianët për vazhdimin e negociatave

Prof. Dr. Volker Perthes

Eksperti për Lindjen e Mesme, Volker Perthes.

Një zgjidhje ushtarake e problemit atomik iranian në këtë moment nuk shtrohet në diskutim nga SHBA. Edhe për këtë arsye negociatat duhet të vazhdojnë, thotë Volker Perthes:

"Është e vërtetë se tensionet ndërmjet Iranit dhe Izraelit janë të larta dhe që kjo është një tjetër arsye për SHBA dhe evropianët, për të thënë, se përmes vazhdimit të negociatave duhet t'ia heqim tensionin Lindjes së Mesme, në mënyrë që të mos shkaktohet konfrontim ushtarak ndërmjet Izraelit dhe Iranit. "

Negociata diskrete, në mënyrë që të krijohet më shumë besim i ndërsjelltë. Kjo të paktën mund të ketë sukses në Stamboll.

Autor: Daniel Scheschkewitz/Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 21.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/100F8
  • Data 21.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/100F8