1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nishani: Shqipëria po punon në zbatimin e standardeve europiane

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, thotë në intervistë me DW-në se përputhshmëria legjislative e Shqipërisë me BE-në është një standard permanent. Nishani e konsideron si mjaft të frytshëm dhe ndihmën e Gjermanisë.

default

Bujar Nishani

Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të standardeve europiane është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare në procesin e integrimit në BE. Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani thotë për DW se çdo akt ligjor, jo vetëm i hartuar nga institucioni i tij, por dhe nga të tjerat, para se të shkojë për diskutim e miratim në Parlament, duhet të krahasohet me përputhshmërinë që ai ka me legjislacionin e BE-së. Ministritë e linjës që hartojnë projektligje kanë një drejtori të posaçme të integrimit europian. Sipas Nishanit, kjo strukturë bën ekspertizën e përputhshmërisë ligjore.

“Në këtë kuadër në ministrinë e drejtësisë funksionon së pari Drejtoria e Kodifikimit brenda së cilës ka një sektor për përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe me standardet e tjera që kërkon Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar nga Shqipëria me këtë organizëm. Pastaj është dhe ministria e Integrimit Europian të cilës i kërkohet mendimi për çdo projektligj që propozohet të kalojë në parlament, pikërisht për këtë përpuethshmëri”, pohon ai.

Ndihmat e misionit EURALIUS


Veç kësaj Bujar Nishani përmend dhe asistencën prej vitesh që ju bën grupeve të punës të ekspertëve shqiptarë në hartimin e projektligjeve organike që është misioni EURALIUS, që mbështet nga BE.

“Përmes ekspertizës së tij ai ofron të gjitha rekomandimet përmes edhe opononecës ligjore për të tëra draftet që hartohen në Ministrinë e Drejtësisë. EURALIUS nuk fokusohet vetëm tek ligjet dhe Ministria e Drejtësisë por dhe në institucione e operatorë të tjerë të sistemit të drejtësisë, siç është Prokuroria e Përgjithshme, për aktet që bëhen nga ky institucion, këshilli i lartë i drejtësisë e në operatorë e agjensi të tjera të sistemit të drejtësisë”, shpjegon ai.

Gjatë intervistës me DW ministri i Drejtësisë i referohet dhe tre ligjeve më të rëndëishëm të kohëve të fundit që janë në përputhje të plotë me legjislacionin europian. Këto janë ligji për antimafien, apo dhe ligji tjetër për bashkëpunimin juridiksional me jashtë. Ky ndihmon drejtëpërdrejtë në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe agjenisve të Shqipërisë me ato të vendeve partnere. Për ekstradimet e personave me precendentë penale, për njehsimin e vendimeve gjyqësore etj. Aktualisht në duart e ekspertëve vendas dhe të huaj është projektligji i policisë gjyqësore, që pritet të japë lehtësim në komunikimin e kooperimin mes policisë së shtetit, prokurorisë dhe policisë gjyqësore në të gjithë fazën e hetimit.

Bashkëpunimi me Gjermaninë

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani e përshkruan si të frytshëm bashkëpunimin me Gjermaninë. Partneriteti sipas tij ka qënë jo vetëm në kuadër të programeve e projekteve të BE-së, por dhe e drejtëpërdrejtë. Për afër një vit Ministria e Drejtësisë ka pasur një këshilltar nga Gjermania pranë ministrit, i cili u foksua në inspektoriatet e këtij institucioni.

“Ka përfunduar një punë jashtëzakonisht të vlefshme për ministrinë e drejtësisë. Ka adresuar rekomandimet e tij, të cilat do të jenë pjesë e punës për hartimin e ligjit për këshillin e lartë të drejtësisë”, thotë Nishani.

Gjithashtu Dhoma kombëtare e avokatisë është duke punuar me ekspertë gjermanë për pëmirësimin e punës së dhomave të avokatisë dhe lidhjet e tyre me shërbimin që duhet të ofrojnë zyrat e pasurive të paluejtshme për qytetarët shqiptarë. Kjo përbën dhe një prioritet të punës së Ministrisë së Drejtësisë, thotë Nishani për DW. Ai veçon dhe kontributin e Gjermanisë në trajnimin e personelit të institucionit që ai drejton.

“Ne do të dëshironim, dhe jemi të gatshëm për ta thelluar edhe më shumë bashkëpunimin për të përfituar nga një eksperiencë jashtëzakonsiht e madhe dhe e konsoliduar që ka sistemi politik, sistemi gjyqësor sistemi i drejtësisë në shtetin gjerman”, thotë Bujar Nishani.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Bahri Cani