1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nishani: ekziston infrastrukturë shumë e mirë, që Shqipëria të realizojë zgjedhje të mira

Marrëveshja Kosovë-Serbi, bashkëpunimi me fqinjët, lufta kundër korrupsionit, marrëdhëniet me Gjermaninë, angazhimi i diasporës, zgjedhjet e 23 qershorit, janë temat e intervistës ekskluzive të presidentit të Shqipërisë.

DW: Zoti President, le ta fillojmë bisedën pikërisht me ngjarjen më të madhe të ditëve të fundit, marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës. Sa e rëndësishme është kjo marrëveshje veçanërisht për Shqipërinë, por edhe për gjithë vendet e rajonit?

Presidenti Nishani: Nuk ka asnjë dilemë dhe asnjë dyshim që është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nuk është aspak teprim të quhet edhe një hap historik për faktin e uljes në tryezën e bisedimit, si përfaqësues të dy vendeve, qeveritarët e Serbisë dhe qeveritarët e Kosovës, duke tejkaluar momentet shumë të dhimbshme të një të shkuare të afërt dhe duke promovuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të vështrimit të së ardhmes së përbashkët në kontekstin rajonal, në kontekstin e pajtimit, në kontekstin e orientimit drejt një rruge, e cila për ne shqiptarët është e vetmja dhe pa alternativë, është rruga e integrimit në standardet, modelet dhe strukturat evropiane. Së dyti, unë mendoj që është shumë e rëndësishme, përveç këtyre dy vendeve, edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë, për faktin se rajoni i Ballkanit ka qenë gjithmonë një rajon në ngërç, në momente të veçanta dhe në marrëdhënie lufte, marrëdhënie spastrimesh etnike, gjenocidi, urrejtje. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të relaksojë tërë marrëdhëniet, në radhë të parë midis shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi, por edhe midis të gjithë nacionaliteteve të tjera të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë trashëguar nga e shkuara e largët dhe e afërt, doza të urrejtjes karshi njëri-tjetrit, të përplasjes, të luftës, të vrasjeve, të dhimbjes. Por, parimet dhe trendi i zhvillimeve moderne të kohës, kërkojnë në mënyrë të padiskutueshme, pikërisht këtë marrëdhënie bashkëpunimi, bashkëjetese, dhe shkëmbimi jo vetëm të ideve dhe parimeve që sot promovohen në botën evropiane, por dhe të modeleve të zhvillimit ekonomik, që në fund të fundit janë konkluzioni i tërë asaj atmosfere, që synohet të krijohet përmes këtyre marrëveshjeve, përmes bisedimeve, përmes bashkëpunimit, krijimit të strukturave ligjore, funksionimit të shtetit ligjor, e kështu me radhë.

Marrëveshja  midis Kosovës dhe Serbisë - domosdoshmëri zbatimi i saj

DW: Zoti President, sikurse e përmendët, vendet në këtë rajon kanë pasur pikërisht këtë të kaluar me luftëra, me gjak, me dhunë e burgosje, gjenocid. Mendoni se sot janë shuar përfundimisht këto plagë, këto pasoja në këta popuj, pra janë tejkaluar plagët, urrejtjet në këto vende?

Presidenti Nishani: Unë besoj që ne kemi nevojë për realizëm, sepse realizmi ndihmon të shërohen plagët e së shkuarës dhe të ndriçohen mendjet për të përcaktuar hapat e së ardhmes. Çfarë dua të them me këtë. Nuk është e lehtë që gjithçka të harrohet, të hidhet pas krahëve, sepse janë momente të dhimbshme, që kanë lënë pasoja të rënda për popuj e vende. Por, unë besoj që, edhe sakrificat e bëra nga viktimat e kësaj të shkuare, kanë qenë pikërisht në funksion të arritjes së lirisë, të prosperitetit, të zhvillimit. Dhe, nëse do të përcaktonim përfundimisht për zhvillimin, për lirinë, demokracinë, atëherë zgjedhjet nuk janë të shumta. Zgjedhja është një dhe e vetme. Është padyshim mosharrimi i së shkuarës, si kujtesë dhe ndihmesë për të mos u përsëritur në të ardhmen, por mbi të gjitha, si shërbesë për të përcaktuar hapat drejt këtyre parimeve, drejt këtyre idealeve, të cilët vetë historia jo shumë e largët na i provoi, se nuk mund të arrihen aspak përmes luftërave, përmes urrejtjes, përmes ndasisë, përmes dhunës, përmes zjarrit, përmes viktimave, por mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit, koekzistencës dhe përmes zbatimit të vlerave dhe parimeve që i kanë bërë sot të arritshme, modelet më të mira që ne synojmë, që është Bashkimi Evropian. Dhe shembujt janë të gjallë dhe shumë të rëndësishëm, edhe midis familjes evropiane. Prandaj, unë them që ndonëse e shkuara ka qenë e dhimbshme dhe nuk mund të harrohet, forca e individit, mençuria e një shoqërie, vitaliteti i një kombi dhe përcaktimi i një shteti, të gjitha këto duhet të orientohen pikërisht tek këto parime dhe tek kjo praktikë për të ndërtuar të ardhmen, të cilën neve na e sollën me një shembull konkret marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Serbisë dhe besojmë se është një domosdoshmëri zbatimi i saj në të ardhmen.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në bisedë me gazetaren Mimoza Kelmendi.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në bisedë me gazetaren Mimoza Kelmendi.

DW: Megjithatë, janë vënë re disa tendenca nacionaliste dhe trazira, sikurse ishin pak kohë më parë në Maqedoni. Cila është përgjegjësia dhe roli i Shqipërisë në radhë të parë me vendet, që kanë pakica shqiptare, si në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi etj? Mos ndoshta këto veprime e kanë burimin pikërisht nga e kaluara, apo ende këto shoqëri s'janë pjekur politikisht për të ecur me hapin e kohës, siç udhëzon Brukseli, siç udhëzojnë parimet bashkëkohore?

Presidenti Nishani: Ka një të vërtetë. Askush, edhe nëse do të tentojë, nuk mund ta mohojë dot faktin, që për shkaqe historike, që ne e i quajmë të padrejta, është një realitet që shqiptarët jetojnë në pesë shtete të ndryshme ballkanike. Ata jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, jetojnë dhe një pakicë në Luginën e Preshevës në Serbi. Por kjo nuk do të thotë që Shqipëria e sheh këtë si një mundësi për të rivendikuar, apo për të rinisur diskutimet apo tentativat për të ndryshuar kufijtë. Jo, aspak! Kjo, as ka qenë dhe as është as platformë akademike, dhe as një ide praktike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Ne e kemi parë gjithmonë ekzistencën dhe jetesën e shqiptarëve në këto vende si një mundësi që shqiptarët aty ku jetojnë, të ndërtojnë të ardhmen e vendeve të tyre. Dhe ku jetojnë me nacionalitete të tjera, së bashku me nacionalitetet e tjera. Unë e kam vlerësuar shumë faktin që sot pesë vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shoqëria kosovare dhe institucionet e shtetit të Kosovës, treguan se dinë të funksionojnë dhe të implementojnë ato parime në një shtet multietnik, në respektin maksimal të të gjithë etnive të ndryshme që jetojnë në Kosovë. Gjithashtu kam pasur rastin të shpreh vlerësimin tim maksimal dhe i mbetem këtij vlerësimi për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët janë një element shumë i rëndësishëm për vetë ekzistencën e shtetit maqedonas. E kam konsideruar bashkëjetesën e shqiptarëve dhe të maqedonasve, dhe kontributin e shqiptarëve dhe maqedonasve në shtetin e tyre të përbashkët në Maqedoni, si një domosdoshmëri dhe si një vlerë të madhe për të ardhmen e të dy nacionaliteteve, të shqiptarëve, maqedonasve dhe fëmijëve të tyre. Po kështu e kam vlerësuar shumë rolin stabilizues dhe paqtor që kanë luajtur shqiptarët në Malin e Zi. Natyrisht, kam vlerësuar shumë të gjithë kontributin e tyre për të ruajtur kulturën, gjuhën e tyre, për të ruajtur trashëgiminë e tyre kombëtare. Ashtu siç e kam vlerësuar shumë edhe rezistencën, them rezistencë, sepse kushtet kanë qenë të vështira nga pikëpamja e sigurisë dhe ekonomike veçanërisht, për shqiptarët dhe Luginën e Preshevës në Serbi. Por, gjithmonë i kam mbështetur dhe vazhdoj t'i mbështes për të qëndruar dhe për të ruajtur fort trashëgiminë e tyre kulturore, trashëgiminë e tyre kombëtare, gjuhën, zakonet, por dhe ekzistencën e tyre në atë tokë të tyre ku jetojnë, ashtu siç kam inkurajuar dhe do të vazhdoj t'i inkurajoj autoritetet e Serbisë, që t'i trajtojnë edhe shqiptarët si qytetarë të barabartë dhe të njëjtë me të gjithë qytetarët serbë të Serbisë, veçanërisht në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe konsolidimin e sigurisë të qytetarëve të atij vendi, pavarësisht se ata i përkasin etnicitetit shqiptar. Në këtë kontekst do t'ju them që Shqipëria nuk ka pasur kurrë në të shkuarën dhe as nuk do të ketë kurrë në të ardhmen konflikte me fqinjët, nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale, por për bashkëjetesë paqësore, sepse në fund të fundit harmonia midis njerëzve, pavarësisht etnicitetit, besimit fetar apo orientimeve të ndryshme sociale, politike të tyre, është e vetmja mënyrë që njeriu të jetojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Projekte dhe ide të përbashkëta në luftën kundër korrupsionit

DW: Zoti President, sipas statistikave zyrtare ndërkombëtare, por dhe në opinionin gjerman, vendet e Ballkanit kritikohen shumë për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dhe sigurisht që ky korrupsion dhe krim i organizuar gjen hapësirë kur dhe vendet fqinjë ndihmojnë njëri-tjetrin, ashtu sikurse për të luftuar duhet të luftojnë bashkarisht. Konkretisht ju si President, a keni projekte që të fshihet nga opinioni ndërkombëtar kjo njollë e errët për shqiptarët?

Presidenti Nishani: Çështja e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të vërtetë është një problem shqetësues dhe një problem real në Shqipëri, e në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në fakt, është një fenomen global, por në vende të tilla, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Shqipërinë, ku institucionet e zbatimit të ligjit nuk janë në standardin e konsolidimit, siç janë në vendet e tjera të Bashkimit Europian, ky problem dhe ky shqetësim do jetë më evident dhe më agresiv ndaj jetës së qytetarëve dhe shoqërisë. Prandaj dhe kjo është një sfidë prioritare dhe shumë e rëndësishme për të gjitha këto vende dhe për institucionet tona. Së pari, kjo nis dhe duhet të konsolidohet me forcimin e institucioneve të zbatimit të ligjit. Unë kam pasur fatin të kem eksperienca shumë të vyera në administrimin e punëve të shtetit, qoftë si Ministër i Brendshëm, qoftë si Ministër i Drejtësisë. Nuk mund të mohojë askush hapat e ndërmarrë, përpjekjet e bëra për ta luftuar korrupsionin, për ta luftuar krimin e organizuar, herë herë me rezultate, herë herë me dështime, por mund t'ju them që unë jam i bindur në këtë eksperiencë që kam krijuar, që paralelisht me forcimin e institucioneve të zbatimit të ligjit, duhet të konsolidohen mekanizmat dhe procedurat që e ngushtojnë maksimalisht hapësirën për të përfituar në kuadrin e korrupsionit apo për t'i lënë hapësirë gjenerimit të krimit të organizuar. Për të qenë më i kuptueshëm, po marr një rast. Në Shqipëri ka pasur një problem shumë të madh dhe një dozë të lartë të korrupsionit me pranimin në universitete më parë të studentëve, ku të pranoheshe në universitet, ishte një andrallë shumë e madhe për një gjimnazist, për një maturant, dhe për hir të së vërtetës dominonte abuzimi përmes aferave korruptive. Prej disa vitesh tashmë, me procedurën që u zbatua, askush as Presidenti i Republikës, as Kryeministri i vendit, dhe as biznesmeni më i pasur, nuk kanë mundësi më të influencojnë se çfarë të drejte studimi apo dege do të përfitojë njëri apo tjetri, sepse është vetë mekanizmi që e bën të pamundur këtë. Kjo tregon që u reduktua dhe shkoi pothuajse në zero mundësia e abuzimit. Pra, këtu kemi një rast, dhe raste ka të shumta, kur procedura e ka eliminuar mundësinë e abuzimit. Dhe unë shpeshherë mundohem të studioj praktika dhe modele të vendeve perëndimore. Ky duhet të jetë një lloj objektivi jete për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dhe do të jetë shumë i mirë, sepse në fund të fundit jemi kombe që i takojmë etnive të ndryshme, por mentalitetet nuk kanë shumë dallime, dhe do të ishte më eficiente nëse ne mendojmë për t'i implementuar, pse jo, edhe projekte dhe ide të përbashkëta.

DW: Pikërisht në këtë drejtim duhet punuar edhe më shumë, pasi në fusha të tjera iniciativat e përbashkëta kanë qenë shumë të suksesshme.

Presidenti Nishani: Shumë të suksesshme! Veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar. Po të shikojmë vëmendjen që ka dhënë për shembull Bashkimi Evropian, dhe këtu Gjermania është në vendin e parë, janë mjaft donacione dhe angazhime të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët ofrojnë kontributet e tyre, ofrojnë paratë e taksapaguesve të vendeve të tyre, ofrojnë ekspertizën e tyre për të ndihmuar pikërisht këto fusha. Unë e kam gjetur me vend dhe kam pasur diskutim para pak ditësh edhe me përfaqësues të Fondacionit “Hans Seidel” të cilët ishin në Tiranë, për të përfituar eksperiencën gjermane të institucioneve të ndryshme kryesisht në Gjykatën e Lartë shqiptare. Është dhe një mundësi shumë e mirë, sepse forcimi dhe konsolidimi i shtetit gjyqësor është shumë i rëndësishëm. Nuk është vetëm sinjal, por është edhe një mundësi reale, për të krijuar të gjithë modelet e mira dhe më të mirat e mundshme. Pra, në pyetjen tuaj, e cila është shumë thelbësore dhe shumë e rëndësishme ka dy gjëra që janë shumë të qarta: e para, që janë të identifikuara problematikat dhe sfidat, dhe së dyti, zgjidhjet do të jenë më efektive dhe më të arritshme, pikërisht edhe me angazhime të projekteve rajonale, të cilat unë në çdo rast që do ta kem të mundur, do t'i nxis të ecin përpara.

Presidenti i Republikës - institucioni më i përshtatshëm për diasporën

DW: Zoti President, le të ndalemi pikërisht në iniciativën për diasporën, një ide kjo që është vlerësuar shumë në diasporë, ku unë punoj dhe jetoj prej 22 vjetësh. Pak e vonuar, por siç thotë populli: ‘Më mirë vonë, se kurrë'. Ndoshta ishte momenti që pritët që kjo diasporë edhe të piqet, të integrohet më shumë, që të jetë dhe më efikase në kontributin e saj për të dhënë për atdheun, apo ndoshta kishte ardhur momenti për diasporën, për ta vlerësuar, për ta tërhequr?  Pra, kjo është një merita juaj personale,por përse e bëtë gjithë këtë ose ku e gjetët motivin për tu marrë seriozisht dhe konkretisht me diasporën?

Presidenti Nishani: Pyetja juaj ceku arsyet e mia të motivimit për ta iniciuar këtë nismë. Ju thatë që është e vonuar, por përtej kortezisë suaj, unë do të plotësoja, është e vonuar në ushtrimin e përgjegjësive tona si institucione. Sot është evidente më shumë se kurrë më parë se sa kapacitete të rëndësishme shqiptare kemi ne në diasporë, në të gjitha vendet, qytetarë të nderuar të atyre vendeve tashmë, me origjinë dhe kombësi shqiptare, të cilët kanë kapacitete shumë të larta intelektuale dhe qytetare, natyrisht që i shfrytëzojnë në interes të vendit ku jetojnë, të familjeve të tyre, por që e kanë të gjithë gatishmërinë dhe dëshirën e tyre për të ofruar për momente të caktuara për çështje të rëndësishme kombëtare këtë kontribut, këtë bagazh intelektual dhe shoqëror, edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë besoj që Presidenti i Republikës është personi dhe institucioni më i përshtatshëm për të koordinuar këtë angazhim, për të ofruar ftesën, që të gjitha këto kapacitete, në mënyrë të koordinuar, të japin mendimin e tyre, propozimet e tyre, të shfaqin idetë, se si Shqipëria të përparojë më mirë, se si shqiptarët të prezantojnë veten e tyre më mirë në raport me botën, në raport me Europën. Do të desha të tregohesha shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë me ju dhe me dëgjuesit e radios suaj, që është shumë prestigjioze edhe përbën një opinion shumë të rëndësishëm. Ne shqiptarët fatkeqësisht kemi një sfidë shumë të madhe, e cila lidhet me përgjegjësinë tonë të drejtpërdrejtë, sfidë e cila ka të bëjë me një diferencë që ekziston jashtë Shqipërisë midis perceptimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, me realitetin që ekziston në Shqipëri. Shqipëria nuk është një parajsë, ka problematika të ndryshme. Por, unë kam pasur rastin të konstatoj me mjaft vizitorë të ndryshëm, homologë të mi, të cilët vinin në Shqipëri me një ide dhe perceptim krejt ndryshe nga ai i realitetit që gjenin në Shqipëri. Natyrisht, këtu nuk bëhet fjala për të krijuar një imazh fiktiv apo të lustruar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por duhet të promovojmë vlerat e mira që ne kemi, duhet të promovojmë kontributet që ne mund të japim edhe në hapësirën evropiane. Shpesh herë ne flasim për tolerancën e shkëlqyer fetare që ekziston në Shqipëri. Pakkush e njeh në thelb dhe në tërësi këtë vlerë të shqiptarëve në botën perëndimore dhe unë besoj që sot në momentet aktuale, kjo është një vlerë, e cila ka nevojë të promovohet në Perëndim, si një shenjë e modernizmit, shenjë e ecjes përpara, e paqes. Shqipëria është një vend i vogël, i cili ka qenë në një izolim të tmerrshëm dhe të paimagjinueshëm për ata që nuk kanë jetuar në Shqipëri. Por, sot Shqipëria ka dhe mjaft vende të bukura, të cilët mund të promovohen si vende turistike dhe të vizitohen, dhe të krijojnë afeksion të veçantë për turistë nga mbarë bota. Në këtë kontekst, ne duhet t'i promovojmë shumë më tepër këto vlera brenda realizmit që ato mbartin, brenda seriozitetit që ne kemi, por edhe në promovim të krenarisë që meritojnë.

DW: Mendoni se diaspora do të ndihmojë në këtë rast?

Presidenti Nishani: Pa diskutim. Pse mendoj që diaspora do të ndihmojë shumë më tepër se sa shqiptarët dhe institucionet shqiptare në këtë sens. Sepse së pari, janë tërësisht të integruar në mentalitetin e vendeve dhe shoqërive ku jetojnë. Ne në Shqipëri ende nuk e kemi arritur këtë stad, kjo është një e vërtetë që nuk mohohet gjithashtu. Së dyti, mekanizmi që ata kanë dhe mundësia që kanë për të komunikuar dhe për ta prezantuar, është shumë e madhe, dhe është e dëshiruar prej tyre. Por kjo atyre u duhet mundësuar edhe nga pikëpamja institucionale. Po të shikosh donacionet që i janë dhënë Shqipërisë, Bashkimi Europian është në vendin e parë me qindra milionë euro të dhëna, dhe natyrisht donatori kryesor është Gjermania. Po të shikosh sot ka një prezencë të firmave private, bizneseve gjermane në Shqipëri, por është shumë larg asaj çka ne do të dëshironim dhe mundësisë që ekziston. Meqë jemi tek pjesa e promovimit dhe të imazhit, një kompani private, një biznes ka nevojë të jetë i sigurt në investimin e tij, në pikëpamjen administrative, ligjore, në pikëpamjen e rendit publik e kështu me radhë. Jam i bindur që, nuk dihet si informacion midis kompanive të mëdha dhe bizneseve të ndryshme gjermane fakti që, në Shqipëri mund të regjistrosh një biznes brenda 24 orësh, thjesht duke komunikuar përmes kompjuterit dhe me një kosto prej një euro. Pra, është një element që nuk ekziston në asnjë vend tjetër. Jam i sigurt që, kjo nuk njihet sa duhet. Së dyti, flitet shumë dhe është e saktë problematika e madhe që ekziston me pronësinë, por nga ana tjetër jam i sigurt që nuk dihet aq sa duhet që, Parlamenti ka miratuar një ligj i cili është në fuqi, që për çdo konflikt për pronësinë e një biznesi të huaj, përgjegjësitë i takojnë qeverisë shqiptare dhe për asnjë moment investitori nuk ngrin investimin, apo nuk ka moratorium gjatë investimit të tij gjatë kohës që konflikti për këtë pronësi është në proces e sipër dhe interesat e kompanisë private i përfaqëson qeveria shqiptare. Shqipëria njihet si një vend i vogël, i izoluar, si një vend që ka prodhuar emigracion të tmerrshëm, etj., dhe nuk njihen resurset e mëdha që ka Shqipëria në minerale, në energji, në bujqësi, në blegtori. Pra ka një kontradiktë midis perceptimit dhe realitetit. Edhe njëherë, nuk mund të ngul këmbë që jemi një realitet i shkëlqyer, një parajsë, por duhet të shkojmë drejt një realizmi prej asaj çka mund të ofrojë Shqipëria dhe shqiptarët dhe në atë çka mund të përfitojmë përmes këtij bashkëpunimi. Çështja kryesore e tërë këtij bashkëpunimi është zhvillimi ekonomik. Prandaj, unë do të dëshiroj dhe do të tentoj maksimalisht sa herë të më jepet mundësia për të nxitur veçanërisht biznesin gjerman, të orientojë dhe të hedhë sytë dhe vëmendjen edhe ndaj Shqipërisë, edhe ndaj tregut shqiptar. Është një treg, i cili jo vetëm nga pikëpamja gjeostrategjike të nxjerr në portën, jo vetëm të vendeve të tjera ballkanike, por dhe në Azinë e afërme, menjëherë, përmes alternimit të shkëlqyer që ka midis detit, ajrit dhe tokës në kuptimin e transportit dhe lëvizjes së mallrave dhe njerëzve, por dhe në faktin që është një shoqëri, e cila tej problematikave që ka, ka një dinamizëm dhe ambicie të një shoqërie të re, e cila në këtë bashkëpunim dhe me orientimin e duhur përshtatet shumë shpejt në atë që duhet të jetë.

DW: Zoti President, Gjermania ka luajtur rol të madh në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ka kontribuar në shumë fusha duke pasur një  rol shumë të rëndësishëm. Sot si e shikoni rolin e Gjermanisë në aspiratën e Shqipërisë për tu bërë anëtare e BE-së?

Presidenti Nishani: Sot është një fakt, i cili nuk ka nevojë as për dilema dhe as për dyzime. Roli i Gjermanisë është roli i udhëheqjes në Europë, në kontekstin, jo vetëm ekonomik, por dhe të kontributeve në tërësi të dimensioneve të tjera. Modeli i Gjermanisë është modeli që inkurajon çdo komb, çdo vend tjetër në Europë besoj, por edhe përtej Europës. Gjermania ka ditur të tregojë jo vetëm forcën e zhvillimit të vendit të saj, por dhe të asistencës dhe të partneritetit për shumë vende të tjera brenda BE-së dhe jashtë BE-së. Për mua është një domosdoshmëri e rëndësishme vëmendja e Gjermanisë ndaj Ballkanit perëndimor. Unë pata një takim të shkëlqyer me Ministrin e Jashtëm, Westerwelle, të cilit i kërkova një favor, që konsistonte tek dëshira ime që zoti ëesterëelle, qeveria gjermane të mbajë në prioritetet e vëmendjes së saj Shqipërinë dhe shqiptarët gjithmonë. E cila m'u premtua me shumë miqësi nga ana e ministrit Westerwelle në emër të qeverisë gjermane. Shqipëria dhe ne si shqiptarë e kemi evidentuar gjithmonë këtë vëmendje, por është shumë e rëndësishme për ne që të vijojë të mbahet kjo vëmendje ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi. Unë mendoj që, kontributi dhe ndihma shumë e madhe që ka dhënë Gjermania ndaj Shqipërisë është edhe si arsye e këtyre arritjeve, që kanë sot shqiptarët dhe Shqipëria në mjaft fusha. Ne duhet të shkëputemi nga modeli i donacioneve gjermane dhe të shkojmë drejt një modeli të ri të investimeve të bizneseve gjermane apo nga Gjermania në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Bota sot po bëhet shumë konkurruese, kështu që në këtë kontekst Europa ka nevojë të jetë e bashkuar; Europa ka nevojë të jetë e konsoliduar ekonomikisht, por dhe politikisht. Kështu që, unë e shoh me shumë entuziazëm dhe me gëzim konsolidimin e këtij roli të Gjermanisë, i cili nuk është thjesht një rol pragmatist gjerman, por është një kontribut në tërësi për një Europë më solide në aspektin politik në radhë të parë, një Europë më të fortë ekonomikisht dhe një Europë më të organizuar dhe më të menaxhueshme në objektivat e saj afatgjatë për Ballkanin.

Zgjedhjet: Jam kundër çdo retorike agresive, ndarëse, përçarëse

DW: Së fundi Zoti President ndalemi në zgjedhjet që zhvillohen pas dy muajsh, më 23 qershor. Në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE,  ju personalisht, mbarë shqiptarët, diaspora, Gjermania dhe BE i keni sytë pikërisht në këto zgjedhje, që janë edhe test për vendin, një detyrë që duhet të kapërcehet me sukses. Keni besim, jeni optimist për këtë?

Presidenti Nishani: Pa diskutim jam optimist dhe është e udhës që kushdo që shprehet optimist për situata të tilla duhet të japë dhe argumente që të detyrojë besimin përkatës. Arsyeja dhe faktori kryesor i këtij optimizmi për mua është pjekuria dhe sjellja e shoqërisë shqiptare, e cila tashmë ka një nivel dhe stad për nga mënyra e të menduarit, mënyra e reflektimit dhe mënyra e sjelljes shumë të ndryshme krahasuar me pesë vite më parë, e pakrahasueshme me dhjetë vite më parë dhe e paimagjinueshme me njëzetë vite më parë. Askush nuk mund ta tërheqë më politikisht për hundësh shoqërinë shqiptare. Me këtë dua të them që e tërë superstruktura është e detyruar dhe do të jetë e detyruar të sillet në raport me këtë reagim që vjen nga shoqëria dhe kjo jep garancinë më të madhe për optimizmin që ekziston tek unë. Së dyti, zgjedhjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ne, që të gjithë bashkë; institucionet, shoqëria civile, media, duhet të konsolidojmë një mentalitet që ekziston prej vitesh, dekadash në perëndim, që zgjedhjet nuk janë një domain i partive politike. Zgjedhjet janë një e drejtë themelore e qytetarëve të këtij vendi, e mundësisë së tyre për të shprehur vullnetin më të rëndësishëm dhe kryesor për një njeri, që ka të bëjë me mënyrën sesi do të udhëhiqet ajo shoqëri dhe si do të zhvillohet e si do të drejtohet ajo shoqëri. Këto nisin me hapin e parë për të krijuar infrastrukturën, dhe nëse shikojmë infrastrukturën që ekziston sot për zgjedhjet në Shqipëri, unë kam jo vetëm eksperiencën, por edhe argumentet e padiskutueshëm, se ekziston një infrastrukturë shumë e mirë, që Shqipëria të realizojë zgjedhje të drejta, të mira dhe të ndershme. Mbetet një sfidë, e kam thënë dhe herë të tjera. Nëse nga njëra anë kemi një maturi dhe një pjekuri të rritur të shoqërisë, një infrastrukturë të mirë, nga ana tjetër kemi një sfidë shumë të madhe që rrjedh nga ambiciet politike të lidershipit politik, e përkthyer në mënyrën e sjelljes politike të partive politike dhe të lidershipit politik duke filluar nga retorika. Jam kundër çdo retorike agresive, ndarëse, përçarëse. Kundër çdo retorike, e cila i shmanget thelbit që ka në parim por edhe implementim procesi zgjedhor, që është alternativa, doktrina dhe platforma qeverisëse dhe jo sulmi verbal, ironia therëse, apo retorika përçarëse. Kështu që në këtë kontekst, unë do të vlerësoja disa shenja pozitive që janë dhënë nga dy kampet e së djathtës dhe të së majtës, të cilët këtë prag fushate paraelektorale e kanë nisur duke shpalosur programe, duke shpalosur alternativa, duke menduar se çfarë është bërë, çfarë duhet bërë, si e shikon procesin e zhvillimit ekonomik njeri krah, si e shikon tjetri; cilat janë elementet ku do të mbështetet njeri, apo ku do të mbështetet tjetri. Dhe do t'i inkurajoja dhe këshilloja të vazhdojnë me fokus kryesor në këtë metodikë, në këtë sjellje elektorale për qytetarët shqiptarë dhe të largohen tërësisht nga retorikat e panevojshme, retorika të cilat ngarkojnë emocionalisht dhe psikologjikisht qytetarët dhe krijojnë një imazh jo të vërtetë ndaj Shqipërisë dhe ndaj shoqërisë shqiptare. Por kjo mbetet sfidë, e cila lidhet me përgjegjësinë, me përgjegjshmërinë, me pjekurinë, me qytetarinë, në radhë të parë të lidershipit politik, të tërë superstrukturës partiake dhe politike të forcave politike apo koalicioneve. Dhe unë besoj që ne duhet të shkojmë drejt të kuptuarit dhe të ushtruarit përmes sjelljes sonë se produkti i një gare elektorale do të na sjellë jo një fitues apo një humbës, por do të na sjellë një mazhorancë dhe një minorancë ku automatikisht mazhoranca ka përgjegjësi më të mëdha dhe minoranca ka përgjegjësi morale më të mëdha. Pra, unë shpresoj dhe mbetem në dozat e optimizmit tim edhe për këto fakte.

Intervistoi Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica