1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nis zyrtarisht zbatimi i IBM-së mes Kosovës dhe Serbisë

Për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi ranë dakord kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Ivica Daçiq në takimin e fundit në Bruksel.

Pikëkalimi në Merdare

Pikëkalimi në Merdare

Në dy pika kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Merdare, nisi të Hënën (10.12.2012) zyrtarisht zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit. Zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se në dy pikat kufitare me Serbinë, doganierët e Kosovës janë aty dhe kalimet kufitare po zhvillohen pa ndonjë problem. Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi është hapi më i rëndësishëm në kuadër të integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian. Serbia synon caktimin e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova synon nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me BE-në.

Detaje të marrëveshjes ende të papublikuara

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë-Serbi, u arrit në Nëntor të vitit të shkuar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, ndërsa, për fillimin e zbatimit të saj u dakorduan në takimin e fundit në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq. Të dy kryeministrat patën deklaruar se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje para së gjithash do të luftohet kontrabanda dhe fenomenet e tjera negative që kanë ndodhur në kufirin ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në Serbi marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit me Kosovën, interpretohet si detyrim për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa në Prishtinë kjo marrëveshje shihet se vendosje përfundimtare e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe atë në veri. Akoma nuk janë publikuar detaje të marrëveshjes sidomos për pikë-kalimet në veri të Kosovës, si edhe mbi hyrjen e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Serbët e veriut zhbllokuan vendkalimin në Jarinje vetëm pas premtimeve që morën nga autoritetet e Serbisë se ata nuk do t'u nënshtrohen kontrolleve sikurse në një doganë klasike.

Çështje ende të hapura

Për analistët e mediave i rëndësishëm është zbatimi në ditët në vijim i marrëveshjes. Analisti nga Instituti për Hartimin dhe Zhvillimin e Politikave KIPRED, Ardian Arifaj thotë se ditët e ardhshme do të tregojnë se kush ka të drejtë në deklarime, kryeministri Thaçi, apo, ai i Serbisë Ivica Daçiq. Kryeministri serb u ka premtuar serbëve të veriut se mallrat që dedikohen për veriun nuk do t'u nënshtrohen taksave. “Deri më tash në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, disa herë me disa vendime dhe marrëveshje kontestohet shtetësia e Kosovës. Mbetet pikëpyetje çështja e Kosovës si një zonë doganore, pasi kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq po jep një version që sipas marrëveshjes, mallrat që do të destinohen për veriun e Kosovës do të kenë një trajtim tjetër doganor. Pra, ka shumë hapa që jo vetëm figurativisht por edhe konkretisht e përmes të cilave kontestohet integriteti i Kosovës”, thotë Adrian Arifaj.

Analisti Ardian Arifaj

Analisti Ardian Arifaj

Bashkëpunim jo bashkëveprim

Menaxhimi i integruar i kufirit sipas konceptit të Bashkimit Evropian, nënkupton koordinim dhe bashkëpunim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjitha autoriteteve relevante dhe agjencive për sigurinë e kufijve dhe lehtësimin e tregtisë për të themeluar një sistem efektiv, të menaxhimit të integruar të kufijve, kufij që duhet të jenë të hapur, por të kontrolluar dhe të sigurt.

Por në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ky koncept interpretohet pak më ndryshe. Behar Selimi, i cili për disa vjet radhazi ka qenë udhëheqës i departamentit të policisë kufitare të Kosovës vëren se ka një dallim themelor: “Me Serbinë, koncepti i menaxhimit të integruar të kufirit do të zbatohet në bashkëpunim dhe jo në bashkëveprim, sepse bashkëveprimi është forma më e avancuar e menaxhimit të integruar të kufirit që do të thotë zbatimin e ligjeve të shteteve të ndryshme që janë të involvuara në menaxhim, por që bëhet në bazë të burime të përbashkëta njerëzore, teknike dhe teknologjike. Por në rastin Kosovë-Serbi, burimet janë të ndara”, thotë Behar Selimi.