1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Nis procesi kundër Ramush Haradinajt, por shqiptarët janë skeptikë për rihapjen e gjykimit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u përball të enjten (18.08.) sërish me Tribunalin e Hagës për krime lufte, për rolin e tij si njëri nga komandantët e UÇK-së. Prokuroria e akuzoi për vrasje e tortura.

Ramush Haradinaj sot duke hyrë në Tribunalin e Hagës (18.08.)

Ramush Haradinaj sot duke hyrë në Tribunalin ë Hagës (18.08.)

Në hapje të procesit të ri gjyqësor kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, para Tribunalit të OKB-së për ish-Jugosllavinë, Prokuroria e akuzoi 43 vjeçarin Haradinaj për vrasje dhe tortura. Krimet janë kryer "pa marrë parasysh përkatësinë etnike" ndaj serbëve dhe romëve të Kosovës, tha prokurori Paul Rogers të enjten pasdite në Hagë. Gjatë luftës së Kosovës, në vitet 1998 dhe 1999, krahas "dhunës së justifikuar" janë përdorur edhe "mjete të kundërligjshme", u tha. Haradinaj dhe dy të akuzuar të tjerë e ndoqën leximin e aktaakuzës me pamje të qetë. Po si vlerësohet në Kosovë procesi i ri kundër Haradinajt?

Vendimi që Ramush Haradinaj, njëri një nga komandanët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministër i Kosovës do të dalë sërish para Tribunalit të Hagës për krime lufte për Ish-Jugosllavinë i ka shokuar dhe zhgënjyer shumë shqiptarë të Kosovës. Haradinaj akuzohet për krime lufte si vrasje, trajtim çnjerëzor dhe tortura kundër civilëve dhe të burgosurve të luftës gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998 dhe 1999.

Por shumica e njerëzve në Kosovë nuk i besojnë argumentat e gjykatësve se tani ka evidenca të reja dhe kanë dalë dëshmitarë të rëndësishëm, të cilët e bëjnë të nevojshëm një proces të dytë gjyqësor në Hagë. Njëherë i pafajshëm, gjithmonë i pafajshëm, thonë ata. Rihapja e procesit është thjesht një gjest politik ndaj Serbisë, për të krijuar pamjen e objektivitetit të vendimeve gjyqësore ndërkombëtare, thonë në Kosovë. Kjo sepse ndaj viktimave nuk mund të aplikosh të njëjtat standarde si ndaj agresorëve.

Drejtësi për të gjithë?

Thomas Brey, shefi për Ballkanin i DPA

Thomas Brey, shefi për Ballkanin i DPA

Thomas Brey, drejtor për Ballkanin i agjencisë gjermane të shtypit dpa ka ndeshur pikëpamje si të shqiptarëve të Kosovës edhe në disa vende të tjera të ish-Jugosllavisë. Ai kujton që në luftërat në ish-Jugosllavi, serbët që kishin vënë nën kontroll Ushtrinë Popullore Jugosllave, ushtrinë e katërt për nga madhësia të Evropës në atë kohë, kanë kryer shumë padrejtësi e krime.

„Çështja me rëndësi thelbësore, megjithatë, që duhet shtruar në rastet e Kroacisë, Bosnjës ose Kosovës, është nëse viktimat – shqiptarët në këtë rast- kanë prej krimeve serbe justifikimin që të kryejnë të gjitha llojet e akteve të dënueshme, dhe të mos përballen me gjykime penale“, thotë Brey. „Por kjo nuk mund të funksionojë, nëse në palën shqiptare ka pasur krime individuale, atëherë ato duhet të dënohen gjithashtu pa dyshim.“

Për Behxhet Shalën, kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut në Kosovë, shqiptarët e Kosovës janë pa ngurrim të gatshëm që krimeve t'u vënë emrin që kanë dhe t'i dënojnë ato në gjyq. Por problemi i vërtetë, sipas Shalës është te sistemi ndërkombëtar i drejtësisë, i cili i zgjedh në mënyrë selektive ata që nxirren para gjyqit. Në Kosovë mbështetet parimisht dënimi në gjyq i krimeve kundër serbëve, romëve dhe minoriteteve të tjera dhe kërkimi i llogarisë përgjegjësve. Por ai kërkon që „para gjyqit të nxirren edhe ata që kanë kryer krime kundër shqiptarëve. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.“

Haga po e humbet shkëlqimin

Në foto, Sllobodan Millosheviç

Në foto, Sllobodan Millosheviç

Vendimet e gjykatave ndërkombëtare vështrohen dendur me skepticizëm në Kosovë. Kjo megjithëse menjëherë pas luftës institucionet ndërkombëtare gëzonin besimin absolut të shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë, në Kosovë është krijuar përshtypja se Tribunali i Hagës për krime lufte ndikohet shpesh nga politika. Kjo përshtypje është përforcuar nga deklaratat që kanë bërë pas largimit nga posti ish-kryeprokuroret e Tribunalit, Louise Arbour dhe Karla del Ponte. Ato kanë folur për presione politike, jo vetëm nga palët e prekura, por edhe nga SHBA, BE etj.

"Kjo përshtypje u krijua gjatë gjyqit kundër Sllobodan Milosheviçit, i cili u çua vetëm deri në gjysmë për shkak të zvarritjeve të shumta“ thotë gazetari dhe anëtari i Klubit për Politikën e Jashtme në Prishtinë, Ardian Arifaj. Pasoi pastaj gjykimi i ish anëtarit të UÇK-së, Fatmir Limaj, i cili pas arrestimit u lirua dhe që sot është ndër politikanët kryesorë të Kosovës. „Por edhe procesi [i parë] gjyqësor kundër Haradinajt u prit me rezerva“, shton Arifaj. Kryeprokurorja e asaj kohe e Tribunalit, Karla del Ponte tha se ajo dyshonte që dëshmitarët janë kërcënuar.


Drejtësi nga lart – poshtë

Ardian Arifaj, Klubi për Politikë të Jashtme

Ardian Arifaj, "Klubi për Politikë të Jashtme"

Arifaj flet për dëshirën e shumë shqiptarëve të Kosovës, që gjykatat të nxjerrin para gjyqit ekzekutuesit, ata që i kanë lyer duart me gjakun e shqiptarëve. Kjo megjithatë nuk është parashikuar në Tribunalin e Hagës për Krime lufte. Atje të akuzuarit gjykohen në bazë të hierarkisë së postit që kanë pasur kur kanë dhënë urdhërat për krime lufte. Ai që ka mbajtur përgjegjësinë më të lartë merr edhe dënimin më të lartë, dhe jo ushtarët e thjeshtë, që kanë zbatuar urdhërat.

Pajtim për paqe

Sqarimi i krimeve të luftës në Kosovë nuk ecën me ritmin e duhur ose mbetet në vend, ankohen përfaqësuesit ndërkombëtarë. Shumë procese gjyqësore nuk kryhen pasi zhduken dendur dëshmitarët kryesorë.

Kërcënimi i dëshmitarëve dhe eleminimi i tyre është për fat të keq një fenomen i përhapur në shumë vende ballkanike. Në Serbi p.sh. gjatë proceseve gjyqësore kundër organizatorëve të vrasjes së Zoran Xhinxhiçit dhe kundër Klanit të Zemunit u eleminuan shumë dëshmitarë të akuzës.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë e konfirmon rënien në Kosovë të gatishmërisë së dëshmitarëve për të dëshmuar. „Dëshmitarë kryesorë janë vrarë ose kanë humbur jetën në rrethana të pasqaruara“, thotë Behxhet Shala. „Po përgjegjësia për këtë bie te ndërkombëtarët, që nuk kanë bërë asgjë për t'i mbrojtur të ashtuquajturit dëshmitarë të mbrojtur. Ndërkombëtarët u kanë premtuar shumë para dëshmitarëve, identitete të reja dhe largim në vende të treta. Por asgjë nga këto premtime nuk kanë zbatuar.“ Sqarimi i krimeve të luftës mbetet megjithatë shumë i rëndësishëm,“sepse kur nuk ke sqaruar të kaluarën, nuk mund të kesh as të tashme dhe as të ardhme në paqe“, thotë Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë.

Autor: Auron Dodi

Redaktor:Esat Ahmeti

DW.COM